Shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës në Kosovë

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës në Kosovë

Me rastin e 22 Prillit, “Ditës Ndërkombëtare të Tokës”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëorganizim me MASHT-in, UNDP-në shënuan disa aktivitete në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu theksoi se ambienti është ndotur dhe po vazhdon të ndotet në masë të madhe, por ai ngjalli shpresën tek fëmijët për përmirësimin e ambientit në të ardhmen.

Ai theksoi po ashtu se për ndotjen që është shkaktuar dhe që po vazhdon ende, fëmijët e kanë të drejtën që kur të rriten t’i padisin keqbërësit.

“Për ndotjen që kemi shkaktuar dhe po e shkaktojmë ne çdo ditë, këta fëmijë e kanë të drejtën që të na padisin kur të rriten dhe të bëhen të vetëdijshëm për ambientin të cilin e kemi dëmtuar ne. Pra, të dashur fëmijë këto bimë që po i mbjellim sot në këtë mur, këto do të ndikojnë që të pastrohet ky ajër. Ndërsa, ky ajër është i ndotur sot për shkak se ne e ndotim”, u shpreh ministri Aliu.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se pastërtia e Prishtinës është përgjegjësi e të gjithë qytetarëve.

“Jemi duke bërë agjendën për vetëdijesimin e qytetarëve për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e qytetit, për arsye se kjo është përgjegjësi e gjithë neve, fillon nga fëmijët se si mundet një qytet me qenë shumë më i mirë dhe më i shëndetshëm për qytetarët e Prishtinës, sepse të gjithë e dëshirojmë, e çmojmë dhe e ruajmë”, theksoi Rama./Motilokal.com