Rocket Lab, një kompani lider në sistemet hapësinore, ka nisur me sukses misionin e saj të 26-të raketës Electron, duke vendosur 34 satelitë në orbitë. Rocket Lab tani ka vendosur gjithsej 146 satelitë në orbitë me mjetin lëshues Electron.
Misioni “There And Back Again” gjithashtu bëri që Rocket Lab të përfundonte kapjen në ajër të përforcuesit të Electron me një helikopter e kjo ndodhi për herë të parë.
“Raketa Electron ngrihet për #ThereAndBackAgain! Vetëm pak minuta më vonë ky përforcues u kthye në Tokë nën parashutë dhe u kap nga ne siç ishte planifikuar. Një hap i madh përpara për programin tonë të rimëkëmbjes!”, shkruan kompania në Twitter.
Kompania hapësinore e cila synon të lëshojë satelitë në hapësirë shpejt dhe me çmim të ulët, deklaron se thjesht përdori një parashutë për të kapur një pjesë të raketës në ajër.
Këshilltarja e komunikimit e kompanisë, Murielle Baker, pasi deklaroi fillimisht suksesin, tha se piloti i helikopterit e hodhi raketën “sipas gjykimit të tij” pasi u përball me një “karakteristikë të ndryshme të ngarkesës” nga ajo që kishte gjatë testeve të kapjes. Megjithatë, Baker e quajti kapjen fillestare “një hap monumental përpara”.
“Ne dëshmuam një kapje spektakolare”, tha ajo.
Pamjet e publikuara në internet tregojnë helikopterin që merr parashutën e raketës rreth 15 minuta pas lëshimit dhe kjo shoqërohet nga një brohoritje prej kontrollorëve të misionit, por disa çaste më vonë u dëgjua një psherëtimë zhgënjimi dhe video u ndërpre.
“Ata e lëshuan atë sepse nuk ishin të kënaqur me mënyrën se si po fluturonte,” shtoi në Twitter Peter Beck, CEO i Rocket Lab.
“Kërkon saktësi ekstreme. Disa momente kritike duhet të përputhen në mënyrë të përsosur për të siguruar një kapje të suksesshme”, kishte thënë Baker më herët.
Raketa Electron, raketa e vogël e Rocket Lab e cila kishte nisur dhjetëra misione të suksesshme përpara nisjes së së hënës, e përfundoi me sukses objektivin e saj kryesor: vendosi 34 objekte satelitore për një numër operatorësh tregtarë, duke sjellë numrin e përgjithshëm të satelitëve të lëshuar nga Electron në hapësirë deri në 146″.
Misioni i ardhshëm i Rocket Lab është planifikuar në maj 2022./Motilokal.com
