Inspekcioni i Prishtinës gjobit transportuesit ilegal që hedhin mbeturina në zona të ndryshme

Inspekcioni i Prishtinës gjobit transportuesit ilegal që hedhin mbeturina në zona të ndryshme

Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës përmes një komunikate ka njoftuar se po vazhdon realizimin e aksioneve sipas planifikimit dhe kërkesave të qytetarëve të kryeqytetit.

"Gjatë ditëve që lamë pas, Drejtoria e Inspekcionit, përveç punëve të përditshme, ka realizuar edhe dy aksione të mëdha që ndërlidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe ndalimin e transportuesve ilegal të udhëtarëve të cilët operojnë në Komunën e Prishtinës dhe pengojnë jashtëzakonisht shumë rrjedhën normale të trafikut brenda qytetit", thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se sipas planit të Drejtorisë dhe ankesave/kërkesave të qytetarëve, inspektorët e rendit komunal kanë ndaluar dhe gjobitur një numër të madh të transportuesve ilegal të cilët po hidhnin dhe por edhe mbetje inerte në zona të ndryshme në periferi të qytetit të Prishtinës. Duke u nisur nga qëllimi primar i këtyre aksioneve e që është mbrojtja e mjedisit në Komunën e Prishtinës, Drejtoria e Inspekcionit do të vazhdojë edhe në të ardhmen mbikëqyrjen dhe kontrollin e këtyre zonave të cilat potencialisht shfrytëzohen për hedhje të dheut dhe mbeturinave inerte kudo në Komunën e Prishtinës.  

"Gjithashtu, nisur nga numri i madh i transportuesve ilegal të udhëtarëve (taxive ilegal) si dhe problemeve të shumta që ata shkaktojnë në rrjedhën normale të trafikut në Prishtinë, Drejtoria e Inspekcionit bashkë me Policinë e Kosovës, për disa ditë me radhë ka ndërmarrë aksione që kishin për qëllim largimin e tyre nga trafiku dhe rrjedhimisht ndalimin e operimit ilegal të tyre, përveç tjerash edhe për arsye të sigurisë së udhëtarëve, thekohet në komunikatë.

"Si Drejtori e Inspekcionit - Komuna e Prishtinës, mbetemi të përkushtuar në respektimin dhe zbatimin e ligjit dhe akteve tjera në fuqi që rregullojnë mjaftë aspekte me rëndësi për jetën e qytetarëve tonë në Komunën e Prishtinës, prandaj për këtë, presim mirëkuptimin por edhe bashkëpunimin e qytetarëve të Prishtinës."/Motilokal.com