Studim: Ndotja vret më shumë se 9 milion njerëz çdo vit nëpër botë

Studim: Ndotja vret më shumë se 9 milion njerëz çdo vit nëpër botë

Pavarësisht rënies së vdekjeve nga ndotja e ajrit dhe ujit në shtëpi, ndotja ende vret më shumë se 9 milion çdo vit, ose një në gjashtë vdekje në mbarë botën, sipas një studimi të botuar të mërkurën në një revistë mjekësore.

"Gjatë dy dekadave të fundit, vdekjet e shkaktuara nga format moderne të ndotjes janë rritur me 66%, të nxitura nga industrializimi, urbanizimi i pakontrolluar, rritja e popullsisë, djegia e karburanteve fosile", thuhet në studim.

Më shumë se 90% e vdekjeve të lidhura me ndotjen ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Ndotja e ajrit shkakton mbi 6.5 milion vdekje çdo vit globalisht, ndërsa plumbi dhe kimikatet e tjera janë përgjegjëse për 1.8 milion vdekje.

Rritja e vdekjeve të lidhura me ndotjen është veçanërisht e dukshme në Azinë Jugore, Azinë Lindore dhe Azinë Juglindore.

Në Afrikë, ndotja e ajrit në familje dhe ndotja e ujit janë ende shkaqet kryesore të sëmundjeve dhe vdekjeve të lidhura me ndotjen.

“Megjithëse vendet me të ardhura të larta kanë kontrolluar format e tyre më të këqija të ndotjes, vetëm disa vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme kanë qenë në gjendje ta bëjnë ndotjen një prioritet, për kontrollin e ndotjes ose kanë bërë përparim”, thuhet në studim.

Studiuesit në studim thanë se kërkohet vëmendje urgjente për të kontrolluar ndotjen dhe për të parandaluar sëmundjet e lidhura me ndotjen, duke shtuar se shumica e vendeve kanë bërë pak për t'u marrë me këtë problem të madh të shëndetit publik.

Ndotja, ndryshimi i klimës dhe humbja e biodiversitetit janë të lidhura ngushtë, por ato janë injoruar kryesisht në axhendën e zhvillimit ndërkombëtar, thanë studiuesit./Motilokal.com