Paralajmërohen reduktime të ashpra të ujit, shkak keqpërdorimi nga qytetarët

Paralajmërohen reduktime të ashpra të ujit, shkak keqpërdorimi nga qytetarët

Me të hyrë në sezonin e verës dhe me ngritjen e temperaturave, kanë filluar të rriten dukshëm edhe kërkesat për ujë të pijshëm si dhe keqpërdorimi i tij.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Sokol Xhafa, ka paralajmëruar reduktime të ashpra të ujit të pijes në të gjitha qytetet dhe zonat që i mbulon kompania rajonale e ujësjellësit.

Ai ka thënë se kjo do të vijë nëse nuk ndalen keqpërdorimet.

Në një postim në Facebook, Xhafa ka publikuar disa pamje në vende të ndryshme që tregojnë rrjedhjen e ujit.

“Kultura’ jonë ‘qytetare’, ose më mirë qyqare. Keqpërdorimet - vjedhjet e ujit në të gjitha anët. Lusim qytetarët të lajmërojnë keqpërdorimet, përndryshe e ardhmja e afërt mund të rikthejë reduktimet e ashpra në të gjitha qytetet dhe zonat”, ka shkruar Xhafa.

Keqpërdorimet e ujit të pijes, krahas telasheve me furnizim, kanë bërë që KRU “Prishtina” në vazhdimësi të apelojë për kujdes nga qytetarët./Motilokal.com