Agjencia Europiane e Mjedisit ka publikuar raportin vjetor të cilësisë së ujit të plazheve, ku tregon se në vitin 2021 pothuajse 85% e zonave të plazheve në Evropë përmbushnin standardet më të rrepta të cilësisë së ujit 'të shkëlqyer' të Bashkimit Evropian. Vlerësimi jep një tregues të mirë se ku mund të gjejnë pushuesit vendet më cilësore në të gjithë Evropën këtë verë.
Ndërsa sipas këtij raporti ujërat e brigjeve ku do të lahen pushuesit këtë sezon turistik në Shqipëri marrin një vlerësim pozitiv për cilësinë. Agjencia Evropiane e Mjedisit i njeh vendit tonë përmirësimin e madh të bërë përgjatë viteve të fundit.
Nëse në vitin 2015, 39.1% e pikave të monitoruara konsideroheshin me cilësi të dobët, sot vetëm 6.7% nuk e kalojnë klasën, falë ndërtimit të pesë impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura.
Në hartën ku përmblidhen gjetjet e raportit, zonat me ngjyrë të kuqe, që nuk këshillohet të lahesh gjenden pranë zonës së Portit në Durrës, në plazhin e vjetër pranë Portit të Vlorës dhe në liqenin e Ohrit pranë qytetit të Pogradecit.
Zona e Golemit, plazhi i Darëzezës dhe Saranda kanë pasur përmirësimin më të madh në cilësi vitet e fundit, ndërsa kryesisht riviera e Jugut, Shëngjini dhe Velipoja vazhdojnë të marrin vlerësim maksimal.
Agjencia Evropiane e Mjedisit vlerëson gjithsesi se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në drejtim të përmirësimit të cilësisë së ujërave.
Kjo pasi në Bashkimin Evropian vetëm 1.6% e zonave marrin një notë ngelëse, ndërsa në shtetet rivale në turizëm si Greqia dhe Kroacia, nuk ka asnjë plazh të ndotur dhe mbi 95% marrin notën maksimale./Motilokal.com
