Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se brenda tre vjetësh do të arrihet kapacitet deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore.
Ajo ka thënë se deri në finalizimin e Strategjisë për Energjisë është bërë punë e gjatë nga një grup i madh ekspertësh.
Ministrja Rizvanolli tha se procesin e konsultimit paraprak para fillimit të draftimit të strategjisë e kanë filluar një vit më parë dhe në tetor është krijuar grupi punues.
Rizvanolli ka thënë se analizat teknike janë bërë nga një grup i ekspertëve të pavarur.
Më tej ajo theksoi se qeveria është e përkushtuar të aplikojë qasje të re të planifikimit për të adresuar sfidat aktuale dhe për të vendosur themelin për një të ardhme të sektorit energjetik të vendit.
“Siguria e furnizimit do të forcohet duke i bërë kapacitetet ekzistuese më të besueshme dhe më të pastra për ambientin. Një njësi e Termocentralit Kosova A do të rivitalizohet dhe për këtë procedurat do të fillojnë sa më shpejtë që është e mundur. Do të punohet intensivisht për të ndërtuar kapacitete të reja me burime të ripërtëritshme të energjisë nga dielli dhe era”, ka shtuar ajo./Motilokal.com
