Vjosa do të shpallet Park Kombëtar. Në një aktivitet të posaçëm, u firmos marrëveshja mes Ministrisë së Turizmit dhe organizatës amerikane Patagonia për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën Park Kombëtar.
I pranishëm në ceremoni, kryeministri Edi Rama u ktheu përgjigje edhe kritikëve që kërkonin mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Europë, Vjosës.
“Organizata Patagonia ka atë që ne na duhet më shumë se çdo gjë tjetër, që është dija dhe eksperienca në një fushë si kjo e mbrojtjes përmes sistemit të Parkut kombëtar të një pjese të rëndësishme të vendit, e cila duket si e lehtë por është shumë e vështirë, sepse Vjosa kalon mes përmes trupit të Shqipërisë, hyn nga njëra anë dhe del nga ana tjetër. Dhe të thuash park kombëtar është një fjalë goje ndërkohë që në këtë gjatësi shtrihen qytete, fshatra të tërë dhe një popullsi e tërë e cila ka nevojë për një horizont zhvillimi ekonomik dhe social se kur na thotë që ky është lumi i fundit i egër në Europë bëjnë sikur harrojnë që lumenjtë e tjerë të egër i kanë zbutur për veten e tyre, kurse këtu e duan të egër. Ne nuk jemi kundër sepse përderisa po e bëjmë, po e bëjmë me bindje të plotë, por këta që e duan Vjosën të egër duhet të kenë parasysh që ne nuk mund të ndërtojmë një rezervat që edhe njerëzit t’i egërsojmë. Por të ndërtojmë një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ushqen shëndetshëm gjeneratat që ja lënë Vjosën trashëgim njëra pas tjetrës në një rrugë të re dhe deri më sot të pashkelur në Europë. Gjithë lumenjtë e tjerë janë bërë si ata qentë dhe macet e cirkut që prodhojnë energji, ndërsa Vjosa do të prodhojë ardhmëri në një formë tjetër. Kjo është një histori që ka pasur edhe një aspekt të lidhur me pavërtetësinë edhe me hipokrizinë pasi ne e vendosëm Vjosën në mbrojtje”.
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar edhe aktorin Leonardo DiCaprio në lidhje me qasjen e tij ndaj mbrojtjes së lumit Vjosë.
Rama deklaroi se aktori amerikan u bë i gjallë vetëm për të goditur qeverinë, ndërkohë që nuk reagon tani që qeveria merr një vendim në përputhje me kauzën e tij.
Ai shtoi me ironi se ndoshta duke e sharë pak, mund t’i vejë ndonjë fjalë në vesh dhe ta bëj të reagojë.
“Të gjitha procedurat e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar të jetë me standardet më të larta evropiane. Kur flasim për Park Kombëtar nënkuptojmë ndalimin kategorik të çdo biznesi apo veprimtarie ekonomike që mund të dëmtojë shtratin e lumit. Duke e shpallur Vjosën park kombëtar impakti ekonomik do të jetë ë i lartë se sa impakti ekonomik i veprimtarive në dëm të Vjosës. Do të ketë një rritje të numrit të turistëve në këtë Park Kombëtar, kjo do të ndihmojë banorët e zonës në zhvillimin ekonomik.
Vjosa ka mbi 1100 specie dhe ndër to janë 13 specie kafshësh dhe dy bimësh që janë specie në zhdukje në rang planeti. Ka të paktën 50 specia kafshësh dhe bimësh që janë në listën e kuqe të Shqipërisë.
Më kanë shënuar diçka këtu për Leonardo DiCaprion pasi u bë i gjallë për të goditur qeverinë, por nuk u bë i gjallë për ta mbrojtur qeverinë. Tani që qeveria po bën atë që atij i kishin thënë që nuk kishim ndërmend ta bënim, por që ndërkohë po e bëjmë.
E ka shok të mirë Ministrja e Turizmit, prandaj nuk po i bie më shumë. Mbase këto goditje do t’i shkojnë në vesh, pasi mund ta kishim lajmëruar dhe nuk do t’i vente në vesh fare. Mbase duke e sharë pak do t’ia kapi veshi”, tha Rama./Motilokal.com
