Ka nisur të frekuentohet si plazh vetëm pas viteve 90. Më parë ishte një zonë ushtarake ku nuk lejohej askush të shkonte. Ky plazh me vijë bregdetare 3 kilometra është një prej zonave më të kërkuara dhe thuajse të gjitha plazhet janë private që administrohen nga operatorë turistik. Zona publike është vetëm vija bregdetare pranë monumentit të natyrës Rana e Hedhun, nga i cili ka marrë emrin krejt zona.
Rana e Hedhun nuk ofron turizëm masiv dhe nuk ka shumë hotele. Plazhi arrihet në këmbë pasi keni lënë makinën në një prej vendparkingjeve të operatorëve turistikë.
Rana e Hedhun është një plazh i mbrojtur që vazhdon të mbërthejë kuriozitetin e vizitorëve dhe pushuesve pasi duket sikur rëra ka nisur udhëtimin e saj drejt malit. Ndodhet 2.5 km nga qyteti i Shëngjinit në Bashkinë Lezhë dhe vlerësohet si një gjeomonument i rrallë.
Ky plazh rrëzë malit të Rrencit të jep një pamje që nuk e ndesh askund përgjatë bregdetit Adriatik. Aty takohet rëra gri me detin e kaltër, ndërsa nuk mungojnë edhe shkëmbinjtë që zbresin nga mali dhe derdhen në det./Motilokal.com
