Shkencëtarët kanë përdorur për herë të parë të dhënat satelitore për të zbuluar një rrjedhje të madhe në det të hapur të metanit, një gaz që kontribuon në efektin serë dhe është përgjegjës për rreth 30% të ngrohjes globale deri më sot.
Edhe pse shumë më i vogël në atmosferë se dioksidi i karbonit, ai është rreth 28 herë më i fuqishëm si një gaz që shkakton rritjen e temperaturave gjatë një shekulli. Gjatë një periudhe prej 20 vjetësh, ai është 80 herë më i fuqishëm.
Kompanitë e lëndëve djegëse fosile kanë emetuar rreth 120 milionë ton gazra të ngrohjes globale deri në vitin 2020, që është pothuajse një e treta e të gjitha emetimeve të metanit nga aktiviteti njerëzor, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA).
Studimi i ri, i botuar në revistën “Environmental Science and Technology Letters”, zbuloi një sasi metani nga një platformë e prodhimit të naftës dhe gazit në Gjirin e Meksikës që lëshoi rreth 40,000 ton metan gjatë një periudhe 17-ditore në dhjetor.
Platforma, pranë Campeche në Meksikën jugore, ndodhet në një nga fushat më të mëdha të naftës në vend.
"Rezultatet tona tregojnë se si satelitët mund të zbulojnë retë e metanit nga infrastruktura në det të hapur", tha studiuesi Luis Guanter, një profesor në Universitetin e Valencias.
"Kjo hap derën për monitorimin sistematik të emetimeve industriale nga platformat individuale në det të hapur", shtoi ai.
Metodat e bazuara në satelit për zbulimin e rrjedhjeve të metanit në tokë janë zhvilluar me shpejtësi vitet e fundit. Megjithatë, mungojnë teknikat e ngjashme për rrjedhjet nga kompanitë e naftës dhe gazit në det të hapur, të cilat përbëjnë rreth 30% të prodhimit botëror.
Deri më tani, aftësia e ujit të oqeanit për të thithur rrezatimin infra të kuqe me valë të shkurtra ka kufizuar sasinë e dritës së reflektuar përsëri në sensorët hapësinorë./Motilokal.com
