Nga Shkëlzen Rrecaj
Gurthyesit në Kosovë radhiten ndër ndotësit më të mëdhenj të natyrës në vend. Veprimtaria e tyre vazhdon të jetë një shqetësim i madh për mjedisin ku ata operojnë, duke shkaktuar pasoja të mëdha dhe të pariparueshme.
Degradimi i tokës, rrëshqitja e dherave, ndotja e ujërave, ndotja e ajrit dhe ndotja nga zhurma janë disa nga efektet që çojnë në probleme të lidhura drejtpërdrejt me shëndetin e njeriut dhe humbjen e biodiversitetit.
Gurthyesit po vënë në rrezik jetën e egër dhe popullatat lokale, përderisa institucionet vazhdojnë të japin leje dhe pastaj të heshtin për veprimtarinë degraduese të këtyre operuesve.
Ndikimi që kanë gurthyesit në ambient është tejet negativ, me theks të veçantë në regjimet hidrogjeologjike dhe hidrologjike. Ky ndikim i pafavorshëm i gurthyesve shkakton prishjen e rrjedhave të ujërave nëntokësore, humbjen e tokës pjellore, degradimin e pyjeve, përkeqësimin e biodiversitetit dhe shëndetit publik; sëmundje të lidhura me pluhurin, sëmundje të lëkurës, astmë dhe humbje të dëgjimit e shkaktuar nga zhurma.
Gurthyesit lëshojnë grimca tepër të rrezikshme në ajër dhe renditën si një ndër 100 ndotësit më të rrezikshëm, duke përfshirë grimcat e pluhurit dhe dioksidin e sulfurit, të cilat krijojnë edhe reshjet acidike.
Po ashtu, gurthyesit njihen si kompani fitimprurëse, pasi, viteve të fundit, është rritur shumë kërkesa për nxjerrjen e mineraleve ndërtimore dhe industriale nga natyra, që më pas përdoren për ndërtimin e autostradave dhe objekteve të banimit dhe atyre komerciale.
Pjesa më e rrezikshme e gurthyesve është fakti se ata sapo e kryejnë aktivitetin në një hapësirë të caktuar e lënë atë në gjendje të mjerueshme. Kjo përveç që duket keq, paraqet rrezik të madh për banorët pasi gropat e krijuara nga minimet dhe gërmimet me makineri të rëndë, janë shumë të mëdha. Numri i tyre nuk është i vogël. Shteti në këto raste nuk shihet se ka intervenuar, sepse një gjë e tillë është e kushtueshme.
Sipas KPMM-së, rreth 200 operatorë kanë licenca për shfrytëzimin e resurseve minerare, bëri të ditur për motilokal.com, Ali Sefaj zyrtar i lartë ligjor në Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK).
Ai theksoi se gjysma e tyre operojnë me leje mjedisore.
“Ka kontrolle të vazhdueshme nga Inspektorati i MMPHI-së dhe KPMM-së”, ishte përgjigja e Sefajt në pyetjen se sa kontrollohen gurthyesit.
Por, këto kompani që sipas marrëveshjeve që kanë pas marrjes së gurit të nevojshëm dhe përfundimit të punës, obligohen që hapësirat t’i mbushin me dhé si dhe të pyllëzojnë, e një gjë e tillë nuk shihet të ketë ndodhur në vendet ku kanë gërmuar.
“Këto kompani pas shfrytëzimit të resursit minerar, konform planit të revitalizimit obligohen t'i revitalizojnë vendguroret. Sepse me rastin e marrjes së lejeve dhe licencave dorëzojnë në MMPHI dhe KPMM planin e shfrytëzimit dhe revitalizimit”, u shpreh z. Sefaj për motilokal.com.
Më tej, ai përmendi edhe dëmet që shkaktohen nga gurthyesit si degradimi i sipërfaqeve, humbja e humusit, humbja e tokës bujqësore, erozioni, ndotja e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, dëmtimi i habitateve të kafshëve dhe shpezëve.
Për fund, motoja e Ditës Botërore të Mjedisit me 5 qershor ishte: “Ne kemi vetëm një tokë, le të kujdesemi për të”./Motilokal.com
