Norvegjia vendi me më së shumti vetura elektrike në Europë

Norvegjia vendi me më së shumti vetura elektrike në Europë

Deri në vitin 2025, Norvegjia është zotuar që 100 për qind e tregut të veturave të reja të jetë vetëm elektrike. Ndërsa shtetet tjera kanë filluar përcaktimin e synimeve deri në vitin 2030 dhe 2040, sipas të cilave veturat e reja në treg duhet të jenë të gjitha elektrike.

Sipas të dhënave mbi 80 për qind e tregut të veturave të reja në Norvegji tani përbëhet vetëm nga veturat elektrike.

Edhe pse e pasur me naftë, Norvegjia ka disejnuar dhe zhvilluar një numër politikash për të promovuar këtë qasje.

Përmes këtyre politikave, veturat elektrike tani janë shumë konkurruese në treg, më shumë se ato me karburante tradicionale sikurse benzina dhe nafta. Për më shumë, Norvegjia ka nxitur edhe prodhuesit e veturave të ofrojnë më shumë vetura elektrike në treg.

Në kuadër të këtyre politikave, qeveria e Norvegjisë ka larguar të gjitha taksat rrugore për veturat elektrike, ndërsa ka ofruar 50 për qind zbritje në transportin e veturave me tragete brenda vendit.

Edhe pse varet nga qeveritë lokale dhe kompanitë, parkingu për veturat elektrike në Norvegji nuk duhet të tejkalojë 50 për qind të shumës normale, apo të asaj që paguhet për makinat tjera.

Po ashtu Norvegjia ka zvogëluar deri në 40 për qind taksat për ndërmarrje që kanë në pronësi vetura elektrike, ndërsa ka larguar tërësisht taksat e importit dhe blerjes për veturat elektrike për të gjitha kategoritë.

E bashkë me taksa të importit, Norvegjia ka liruar të gjitha veturat elektrike nga TVSH-ja prej 25 për qind.

Ndërsa prodhimi i energjisë elektrike në Norvegji është i bazuar në energji të ripërtëritshme, Parlamenti i këtij vendi ka vendosur që deri në vitin 2025, të gjitha veturat e reja të jenë elektrike dhe pa emetime.

Kësisoj, duke marrë parasysh të gjitha këto benefite, pas vitit 2025 shumë shpejt pritet që të gjitha veturat të jenë pa emetime dhe të mbushen me energji elektrike nga burime të ripërtëritshme të energjisë./Motilokal.com