Volkswagen dhe Tesla 'kokë më kokë' në shitjet e automjeteve elektrike

Volkswagen dhe Tesla 'kokë më kokë' në shitjet e automjeteve elektrike

Volkswagen mund të shesë më shumë makina elektrike se Tesla deri në vitin 2024. Gjatë viteve të ardhshme, dy prodhuesit e makinave do të luftojnë për një rol udhëheqës në shitjet globale të automjeteve elektrike, duke e lënë pjesën tjetër të industrisë së makinave shumë prapa. Prodhuesi gjerman ka njoftuar prej vitesh se ka ndërmend të shesë më shumë makina elektrike se kompania amerikane. Sipas një raporti të publikuar nga ‘Bloomberg Intelligence’, kjo më në fund mund të ndodhë në vitin 2024.

VW mund të shesë një gamë të gjerë modelesh elektrike në tregjet anembanë botës, si Audi e-Tron, VW ID.3, VW ID.4 SUV dhe Porsche Taycan. Shitjet e të gjitha markave të grupit Volkswagen pritet të rriten në vitet e ardhshme. Nga ana tjetër, linja e kufizuar e modeleve të Teslas e bën kompaninë inferiore ndaj ofertës dhe çmimeve të Volkswagen. Dy tregje, Kina dhe Evropa, do të jenë veçanërisht të rëndësishme në garën mes dy kompanive në vitet e ardhshme. Rregulloret në të dy këto tregje favorizojnë shumë automjetet elektrike. Sipas raportit të ‘Bloomberg’, deri në vitin 2025, automjetet elektrike pritet të përbëjnë 25% të shitjeve totale të makinave në Kinë dhe 20% në Evropë.

Volkswagen, me seli në Gjermani dhe disa fabrika në të gjithë Evropën, tashmë është përpara Tesla-s në shitjen e automjeteve elektrike në Kontinentin e Vjetër. Megjithatë, në Kinë, Volkswagen aktualisht është shumë prapa Tesla-s në shitjet e automjeteve elektrike, duke zënë vetëm 3.5% të tregut të automjeteve elektrike atje vitin e kaluar. Tesla kishte një pjesë prej 13% në shitjen e automjeteve elektrike në Kinë në vitin 2021.

Është interesante se deri në 55% e shitjeve të automjeteve elektrike në Kinë vijnë nga një numër prodhuesish më të vegjël, kryesisht kinezë, të makinave. Modelet e makinave elektrike aktualisht përbëjnë vetëm 11% të shitjeve totale të makinave në Kinë, por rregulloret vendosin një barrë të rëndë për prodhuesit e makinave që nuk shesin EV, ndërsa shpërblejnë ata që bëjnë, kështu që kjo përqindje pritet të rritet me shpejtësi.

Rikujtojmë, se Ford ka thënë së fundmi se do të tërheqë rreth 49,000 makina elektrike të modelit Mustang Mach-E nga tregu amerikan për shkak se një pjesë e makinës ka rrezik të mbingrohjes së pjesëve kryesore të baterisë dhe si rezultat i saj mund të çojë deri në humbje të fuqisë shtytëse./Motilokal.com