Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën pasi u kapën nga një ortek i shkaktuar nga shembja e një akullnaje në Alpet veriore të Italisë.
Zyrtarët e emergjencës thanë se nëntë të tjerë u plagosën nga shembja, me dy persona të lënduar rëndë.
Zjarrfikësit kontrolluan zonën e shembjes në Marmolada gjatë gjithë natës me dronë dhe së shpejti do të ngrihen edhe dronët e Shpëtimit Alpin Trentino.
Mes të zhdukurve ka italianë, gjermanë, çekë dhe rumunë.
Ndërkohë në Canazei kanë mbërritur dy grupe familjarësh të viktimave dhe të zhdukurve. Trupat e gjetur deri më tani janë dërguar në një shtëpi funerale në qytet ku do të bëhet njohja e tyre.
“Orteku në Marmolada është një fatkeqësi e paimagjinueshme, një masakër dhe do ta kemi të vështirë të përcaktojmë identitetin e saktë të viktimave sepse trupat u copëtuan nga rrjedha e akullit dhe gurëve”, kështu janë shprehur hetuesit, raporton Ansa.
Kushtet e motit do të jenë vendimtare për vlerësimin e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të shpëtimtarëve: të ftohtit dhe temperaturat e ulëta janë thelbësore për të garantuar një minimum sigurie për operacionet, duke qenë se një sasi e madhe akulli i pasigurt ka mbetur në mal./Motilokal.com
