Rizvanolli: Programi i MCC-së për energji do t'i kursejë buxhetit të Kosovës 15 milionë euro në vit

Rizvanolli: Programi i MCC-së për energji do t'i kursejë buxhetit të Kosovës 15 milionë euro në vit

Të gjithë akterët politikë të Qeverisë së Kosovës duhet të përshpejtojnë në nxjerrjen e përfitimeve të programit Kompakt të Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Kështu është shprehur shefja e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead në diskutimin e fundit me akterët e përfshirë në këtë program.

“Inkurajomë që të gjithë të punojnë së bashku, jo vetëm njerëzit në këtë dhomë, por edhe njerëzit e politikës nga Qeveria e Kosovës duhet të punojnë që të përshpejtojnë përfitimet për vetë popullin e Kosovës. Pres që marrëveshja të nënshkruhet në muajin korrik e pastaj të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës”, tha Olmstead.

Sipas saj, programi duhet të krijoj mjedis të barabartë për gratë.

“Kemi kënaqësinë që të krijojmë një mjedis të rëndësishëm për investime në bateri, që ta mbështesim Kosovën që ta arrijë energjinë e ripërtrishme dhe synimet e energjisë në përgjithësi e të kemi synimet e barabarta për minoritetet dhe për gratë në këtë program”, shtoi ajo.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Kosova do të kursej të paktën 15 milionë euro në vit nga programi i ri kompakt i Korporatës të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Rizvanolli tha se ky program, që përfshin 202 milionë dollarë grant direkt nga Qeveria amerikane për Kosovën, është investimi më i madh në historinë e shtetit dhe më i madhi në rajon.

“Ky program do të sjellë në Kosovë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë rreth 347 megavat orë rezerva, të cilat do të kryejnë funksionin e stabilizimit të frekuencave të rrjetit si dhe shfrytëzimit të energjisë së ruajtur gjatë natës në orët më të ngarkuara gjatë ditës, që do të thotë ulje të importit të shtrenjtë të energjisë”, tha Rizvanolli.

Ministrja shtoi se programi po ashtu do të zhvillojë shkathtësitë e fuqisë punëtore dhe tenton të përfshijë sa më shumë gra në sektorin e energjisë.

“Programi kompakt do të mundësojë një tranzicion të shpejtë dhe të drejtë energjetik në Kosovë në një të ardhme me energji të ripërtërishme. Strategjia e energjisë, siç e dini, parasheh instalimin e së paku 1,400 megavatëve kapacitete të energjisë diellore dhe të erës, të cilat do të kyçen në rezerva për t’u shfrytëzuar në kohërat kur nuk kemi erë ose diell të mjaftueshëm me anë të baterive që do t’i blejmë përmes këtij programi”, tha Rizvanolli.

Sipas zyrtarëve amerikanë, prokurimi i parë për këtë program pritet të lansohet pas dy vjetësh.

Në maj të këtij viti, Qeveria e Kosovës dhe MCC-ja u pajtuan për programin e ri kompakt. Përveç 202 milionë dollarëve që janë grant direkt nga Qeveria amerikane dhe mjete që nuk duhet të kthehen, Kosova do të kontribuojë në këtë program me rreth 35 milion dollarë, kurse 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim./Motilokal.com