U vihet sërish zjarri pyjeve në Krastë të Krujës

U vihet sërish zjarri pyjeve në Krastë të Krujës

Janë rikthyer vatrat e zjarrit të cilat shkrumbuan mbi 70 hektarë ditën e djeshme në Krastë të Krujës. Edhe pse vatrat arritën të shuhen mëngjesin e sotëm, burime nga policia konfirmojnë se disa persona të paidentifikuar po vijojnë t’u vënë flakën pyllit duke i rrezikuar jetën edhe zjarrfikësve në zonë.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe një patrullë policie në ndjekje të personave të dyshuar të cilët mendohen të jenë ende në zonë. Deri tani në total janë djegur mbi 70 ha.

Për zjarrin në Krastë të Krujës është kërkuar ndërhyrje nga ajri pasi është e pamundur shuarja e flakëve. Burime bëjnë me dije se Ministria e Mbrojtjes ka thënë se helikopter janë në remont. Deri tani është djegur mbi 70 hektarë sipërfaqe e pyllëzuar ndërsa janë riaktivizuar edhe disa vatra të reja nga persona të pa identifikuar.

Kujtojmë se zjarri në Krastë nisi mëngjesin e djeshëm dhe arriti të shuhej orët e para të ditës së sotme. Zjarri masiv i favorizuar nga era avancoi edhe më shumë duke bërë që ndërhyrja për shuarjen e flakëve të ishte vështirë, duke pasur parasysh se në zonë ishin vetëm dy grupe zjarrfikësish.

Sipas burimeve nuk pati asnjë ndërhyrje nga institucionet për të ndihmuar në fikjen e zjarrit. Ditën e djeshme Ministria e Mbrojtjes bëri një njoftim në të cilin thuhej se ishin stabilizuar të gjitha vatrat aktive, një njoftim i cili u kundërshtua nga korrespondenti ynë në vendngjarje, zjarri u stabilizua mëngjesin e sotëm dhe rinisi këtë pasdite nga disa persona ende të paidentifikuar.

Ndërkaq, dy vatra zjarri janë aktive edhe në Lezhë. Flakët kanë përfshirë një zonë pyjore në fshatin Zejmen dhe në një zonë në fshatin Troshan.

Në Troshan deri më tani mësohet se janë shkrumbuar mbi 50 hektarë me ullinj e pemëtari. Zjarri ka rënë rreth orës 14:00 dhe vijon të jetë aktiv, ndërsa për fikjen e tij krahas zjarrfikësve u angazhuan dhe banor të zonës, duke shmangur rrezikun për banesat. Dëmet e shkaktuara për fermerët në këtë fshat janë mjaft të mëdha.

Në fshatin Zejmen deri më tani nga flakët janë djegur rreth 10 hektarë me ullinj dhe vreshtari. Dy zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e flakëve./Motilokal.com