Zbulohet koloni e re e dallëndyshes së detit në Shqipëri

Zbulohet koloni e re e dallëndyshes së detit në Shqipëri

Qendra “Shpendët e Shqipërisë” gjatë këtij sezoni folezimi ka vijuar kërkimet për gjetjen e vendfolezimeve të reja të dallëndyshes së detit (Glareola pratincola) në Shqipëri.

Sipas njoftimit kjo punë, deri më tani dha frytet e saj duke bërë të mundur gjetjen e një kolonie të re të këtij lloji me 90 deri në 110 çifte folezuese.

Tutje thuhet se kolonia e gjetur së fundmi gjendet në Qarkun e Fierit në një zonë jo të mbrojtur, e vendosur në një  distancë prej rreth 20 km vijë ajrore nga Parku Kombëtar Divjakë dhe rreth 10 km vijë ajrore nga Zona e Mbrojtur Vjosë-Nartë.

“Sikundër ndodh zakonshëm me këtë lloj edhe kjo koloni në momentin e gjetjes shprehte dinamikë të fortë në procesin e folezimit, ku një pjese e çifteve folezuese ishin ende në inkubim, një pjesë kishin çelur zogjtë, mosha e të cilëve ishte e ndryshme”, tregojnë nga qendra “Shpendët e Shqipërisë”.

“Ne po vazhdojmë kërkimet për gjetjen e vendfolezimeve të tjera të këtij lloji në Shqipëri dhe në fund të sezonit të folezimit do të përcjellim për të gjithë ju rezultatet e punës duke bërë edhe një përmbledhje të gjendjes së popullatës së këtij lloji në vendin tonë. Falë këtyre kërkimeve është bërë e mundur gjithashtu gjetja e vendfolezimeve të tjera për lloje të rralla si grifsha e detit (Coracias garrulus) etj.”, thuhet në njoftim./Motilokal.com