Shkencëtarët nga Universiteti Vrije në Amsterdam kanë gjetur mikroplastikë në gjakun e njeriut pas analizimit të mostrave nga 22 të rritur të shëndetshëm dhe u zbulua se mikroplastika u gjet në 17 mostra. Tani i njëjti grup shkencëtarësh ka analizuar mostrat e kafshëve.
Shkencëtarët kanë gjetur mikroplastikë në gjakun, mishin dhe qumështin e kafshëve të fermës, dhe ky mund të jetë shpjegimi se si përfundoi në trupin e njeriut. Ajo që është edhe më shqetësuese është mundësia që këto grimca të “udhëtojnë” nëpër trup dhe të ngecin në organe.
Raporti thotë se 80 për qind e mishit dhe produkteve të qumështit të testuar përmbanin mikroplastikë. Janë analizuar 12 mostra gjaku të lopës dhe 12 mostra të gjakut të derrit dhe në secilën prej tyre janë gjetur mikroplastikë duke përfshirë polietileni dhe polistiren.
Gjithashtu, janë analizuar 25 mostra qumështi nga ambalazhet në supermarkete, rezervuarë qumështi në ferma dhe mostra të marra me mjelje manuale, ku është konstatuar se 18 mostra kanë pasur mikroplastikë.
Një nga burimet e mundshme të grimcave të rrezikshme mund të jetë ushqimi për lopët dhe derrat. Të 12 mostrat e peletave dhe ushqimit të copëtuar përmbanin plastikë, por nuk kishte kontaminim në ushqimin e freskët.
"Ky hulumtim ngre shqetësime serioze për ndotjen e zinxhirit tonë ushqimor. Është e qartë se fermerët nuk janë përgjegjës për këtë. Duket se të paktën disa produkte ushqimore të supermarketeve po përpunohen në ushqim për kafshët së bashku me paketimin e tyre. Kjo nuk është vetëm e dëmshme për kafshët, por ndoshta edhe për ne njerëzit. Ndoshta pothuajse çdo biftek dhe hamburger përmban copa të vogla plastike”, tha Maria Westerbos.
Shqetësimet janë rritur prej vitesh për sasinë e plastikës që përmban mishi i kafshëve që njerëzit konsumojnë. Kjo është arsyeja pse shkencëtarët paralajmërojnë për ushqimin që përgatitet për bagëtinë.
"Kafshët janë në gjendje të thithin të paktën disa nga grimcat plastike ndaj të cilave janë të ekspozuara në habitatin e tyre. Ky hulumtim duhet të shkaktojë një hetim më të detajuar të shtrirjes së plotë të ekspozimit dhe të gjitha rreziqeve që lidhen me të. Prodhimi i ushqimit të kafshëve pa plastikë mund të jetë një mënyrë, për të përmirësuar situatën kur bëhet fjalë për ekspozimin e bagëtive ndaj grimcave plastike”, tha ekotoksikologia Heather Leslie.
Fondacioni nisi një peticion për të zbatuar masat e nevojshme për të mbrojtur kafshët shtëpiake nga plastika dhe për t'i bërë produktet e tyre të sigurta për konsum. Qëllimi i fondacionit është që ushqimi i kafshëve të mos përmbajë mikroplastikë.
Ky është një hap i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit të njeriut, sepse viruset mund të ngjiten në mikroplastikë në mënyrë që të mbijetojnë, të lulëzojnë dhe të kontaminojnë këdo që bie në kontakt me to./Motilokal.com
