Rihapet pas më shumë se 30 vjetësh Observatori i Prishtinës për vrojtime qiellore

Rihapet pas më shumë se 30 vjetësh Observatori i Prishtinës për vrojtime qiellore

Prej sot, në zemër të kryeqytetit, në Pallatin e Rinisë, Observatoriumi astronomik i Prishtinës do të jetë i hapur për gjithë qytetarët!

Kryetari, Rama e siguroi Astronomy Club of Kosova se në rrugëtimin për ta rikthyer këtë qendër në një hapësirë të këndshme për gjithë komunitetin, neve do të na ketë përkrah.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se observatori kishte mbetur aq gjatë jashtë funksionit sa që njerëzit e njihnin vetëm jashtë dhe vetëm si një strukturë cilindrike në kryeqytet pa e ditur se kishte shërbyer si vend për vrojtimin e gjithësisë.

“Që sot e tutje, i pajisur tashmë me një teleskop, ky observator do të jetë në shërbim jo vetëm të anëtarëve të apasionuar të Klubit të Astronomëve, por edhe të gjithë qytetarëve e në veçanti të rinjve dhe nxënësve duke i nxitur ata të bëhen studiues e kërkues të zellshëm”, theksoi Rama.

Suhel Ahmeti nga Klubi i Astronomëve të Kosovës tha se janë shumë falënderues për të gjithë mbështetësit që ky projekt të restaurohet.

Ahmeti tha se lokacioni i observatorit është shumë lehtë i qasshëm për të observuar planetët, yjet dhe hënën.

“Ajo çfarë është interesante është se ne do të kemi tani shumë vizitorë në Kosovë për çfarë ky vend do të jetë vend turistik dhe po mundohemi ta mbajmë këtë vend sa më origjinal”, theksoi Ahmeti.

Ky observator, i cili tani është bërë me teleskop të ri nga SHBA ka qenë funksional vetëm për 10 vjet, nga viti 1977 kur është ndërtuar Pallati i Rinisë dhe Sporteve deri në vitin 1987./Motilokal.com