Nis pastrimi i liqenit të Komanit nga mbeturinat

Nis pastrimi i liqenit të Komanit nga mbeturinat

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ajo e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, inspektuan sot në liqenin e Komanit investimin e ndërmarrë nga Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) për pastrimin e basenit të HEC-it nga mbetjet e ndryshme.

Balluku tha se, “KESH ka nisur në liqenin e Komanit një projekt të rëndësishëm, që ka të bëjë me pastrimin e liqenit nga prurjet e mbetjeve, kryesisht inerte dhe materiale plastike, që vijnë kryesisht nga lumi Drin i Bardhë dhe i Zi”.

“Vitet e fundit ne kemi bërë një investim të mirë për sa i takon pastrimit të baseneve të HEC-eve në kaskadën e Drinit, pasi sot KESH ka në pronësi një anije e cila arrin të bëjë të gjithë mbledhjen dhe ndarjen e mbetjeve, që më pas evakuohen në vendet e caktuara”, tha Balluku.

Balluku tha se, flota e pastrimit të gjitha mbetjet plastike i depoziton dhe më pas i çon në vendet përkatëse, ndërsa mbetjet drusore, thahen dhe u shpërndahen banorëve të zonës për ngrohje.

Sipas saj, mbetjet në liqen krijojnë edhe probleme teknike nëse futen në turbinën e HEC-it.

“Për ne krijohen edhe probleme teknike nëse këto mbetje futen në prodhim energjetik”, u shpreh ministrja.

Nga ana e saj, ministrja Kumbaro vlerësoi punën e ndërmarrë nga KESH-it për pastrimin e liqenit nga mbetjet, teksa vuri në dukje se “pastrimi i lumenjve është thelbësor”.

“Lumi i Shalës është mjaft i frekuentuar së fundmi nga turistët dhe vizitorët e shumtë, por ka momente të caktuara që shfaqet i ndotur nga prurjet e mbetjeve”, tha Kumbaro, duke theksuar se është e rëndësishme që të ndalohen mbetjet që në burim.

“Ndalimi i përdorimit të qeseve njëpërdorimshe do të çojë në uljen e ndotjes, por ne do të ndërmarrim nismën për ndalimin edhe të gotave dhe pjatave plastike”, tha Kumbaro.

Nismës për pastrimin e liqenit i është bashkuar edhe Shoqata e Ambientalistëve. Ndërsa ministrja Balluku dhe Kumbaro ndanë të njëjtin mendim për të bashkërenduar punën për pastrimin e basenit të liqenit të Komanit edhe me institucionet homologe të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, për të marrë masa që të ndalohen mbetjet që në burim, pasi një pjesë e ujërave rrjedhin nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut./Motilokal.com

VIDEO