Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se në pajtim me informacionet e Drejtorisë për çështje hidrometeorologjike, prej sot deri më 24 korrik të dielën, territori i mbarë vendit do të përfshihet nga temperatura të larta të fazës së portokallt.
Sipas njoftimit të kësaj ministrie, duke filluar nga sot të gjitha rajonet në vend, ai i Shkupit, Osogovë-Maleshevës, Pellagonia dhe Ohër-Prespë do të hyjnë në fazën e portokalltë ndërsa gjendja e valës së nxehtë fillon të vlejë në tërë territorin e shtetit.
Në këtë periudhë do të vlejnë rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, në pajtim me Planin aksional të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e pasojave nga valët e nxehta mbi shëndetin e popullatës.
Me qëllim të mbrojtjes së popullatës, Ministria e Shëndetësisë i dha rekomandimet si në vijim:
“Lirim nga detyrimet e punës për grupet më të rrezikuara të popullsisë, siç janë - gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë. Në institucionet e kujdesit për fëmijët (kopshtet), nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë në mes të orës 11:00 dhe 17:00. Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit do të ofrojnë ndihmë për të moshuarit, të pafuqishmit dhe të pastrehët”.
Duke marrë parasysh faktin se disa prodhime të caktuara të rrezikshme dhe procese teknologjike mund të paraqesin rrezik shtesë mbi shëndetin e punonjësve të ekspozuar, rikujtohen punëdhënësit për detyrimin për respektimin e dispozitave ligjore të kësaj sfere.
Siç theksohet në njoftim, për shkak të temperaturave të larta dhe mundësisë së rritur për paraqitje të helmimit dhe sëmundjet infektive të zorrëve, rekomandohet larja e patjetërsueshme e pemëve dhe perimeve të freskëta para përdorimit të tyre, përgatitja termike e ushqimit dhe konsumimi i saj në afat shumë të shkurtër pas përgatitjes si dhe evitimi i prodhimeve të papërpunuara në mënyrë termike.
Kujtojmë se popullata në periudhën e verës duhet të respektojë masat e përgjithshme të mbrojtjes shëndetësore si:
Gjatë ditëve jashtëzakonisht të nxehta, të qëndroni më shumë në dhoma të mbyllura (kryesisht me ajër të kondicionuar), dhe nëse është e nevojshme të qëndroni në një hapësirë të hapur gjatë kësaj periudhe, të gjeni një mundësi për pushime më të shpeshta në hije.
Të vishni rroba të shndritshme dhe të lehta, dhe në ekspozim direkt në diell, vishni syze mbrojtëse dhe kapele dhe kur bëni banjë dielli përdorni krem me faktor të lartë mbrojtës.
Hani më pak ushqim, kryesisht fruta dhe perime, dhe më pak ushqim me yndyrë.
Marrja e sasive të mëdha të lëngjeve, mundësisht ujë të pijshëm të thjeshtë dhe shmangia e pijeve alkoolike.
Kur hyni në një automjet, është e nevojshme të ventiloni atë për një periudhë të caktuar.
Të sëmurët kronikë duhet të marrin rregullisht terapinë e përshkruar, në konsultim me mjekët e familjes.
Nga ana tjetër, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e Maqedonisë së Veriut u bëri thirrje punëdhënësve, kujdestarëve dhe edukatorëve në kopshte, të punësuarve në qendrat për punë sociale, në Kryqin e Kuq që t’i respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtjen e shëndetit dhe parandalimin e pasojave nga vala e nxehtë që vijon./Motilokal.com
