Nga qesja në qese - Pse nuk duhet mbështjellë frutat dhe perimet me plastikë?!

Nga qesja në qese - Pse nuk duhet mbështjellë frutat dhe perimet me plastikë?!

Nga Shkëlzen Rrecaj

Është bërë trendi tashmë jo vetëm në Kosovë, Shqipëri dhe rajon por në gjithë botën mbështjellja e perimeve e frutave me plastikë.

Po sa të futesh te sektori i perimeve dhe frutave në marketet tona mund të shihni perime si presh, kunguj, patëllxhanë, speca, kastraveca, patate, karrota, domate, qepë, rrepa, lakra, lulelakrat, majdanozin dhe fruta si mollët, dardhat, portokajtë, kivi, limoni, kumbulla të thata, pjepër, ananas, mango e shumë lloje tjera të mbështjella me plastikë.

Mbështjellja e tyre jo vetëm që është e dëmshme për mjedisin, por edhe për shëndetin e njeriut.

Sipas një studimi të fundit grimcat e vogla të plastikës janë gjetur për herë të parë në gjakun e njeriut, duke ngjallur frikën për efektet e tyre afatgjata shëndetësore.

Shkencëtarët holandezë zbuluan se 17 nga 22 vullnetarë, ose 77%, kishin mikroplastikë në gjakun e tyre.

Nivelet ishin të ulëta, mesatarisht 1.6 mikrogramë (1.6 milionta e gramit) në çdo mililitër gjak.

Por prania e mikroplastikës, fragmente të sendeve të përditshme, në qarkullimin e gjakut është shumë domethënëse.

Ajo u gjet në 50% të vullnetarëve, sipas rezultateve të publikuara në revistën Environment International.

Polistireni, i cili përdoret gjerësisht në paketimin e ushqimeve, u gjet te 36%, kurse polietileni, i cili përdoret në filmat dhe qeset e ambalazhimit, u gjet në 23% e tyre.

Studiuesit, nga Universiteti Vrije i Amsterdamit, thonë se mikroplastika ka të ngjarë të jetë thithur ose gëlltitur përpara se të përthithet në qarkullimin e gjakut.

Ata i përshkruajnë fragmentet plastike si "ndotës të kudogjendur në mjedisin e jetesës dhe zinxhirin ushqimor". Por asnjë studim i mëparshëm nuk ka mundur t'i zbulojë ato në gjak.

"Përqendrimet e grimcave plastike të raportuara këtu janë shuma e të gjitha rrugëve të mundshme të ekspozimit, burimet në mjedisin jetësor që hyjnë në ajër, ujë dhe ushqim, por edhe në produkte të kujdesit personal që mund të gëlltiten, polimere dentare, fragmente implantesh polimerike, nanogrimca polimerike të shpërndarjes së ilaçeve dhe mbetjet e ngjyrës së tatuazheve”, përfundojnë ata.

Edhe pse shumë prej nesh besojnë se riciklimi do të zgjidhte problemin dhe do të vazhdonte të përdorë plastikën, është në të vërtetë e kundërta.

Meqë shumica prej nesh nuk e shohin realitetin, që shpesh fshihet nga ne, ka një detyrë të rëndësishme për të edukuar njerëzit dhe për të hapur sytë për të kuptuar se paketimi plastik që përdorim për disa sekonda mund të marrë deri në 1000 vjet për t’u tretur.

Ekologja Egzona Shala për Motilokal.com tregoi se pretendimi i ofrimit të shërbimeve më të shpejta për klientët, shprehia e paketimeve të tepërta është shfaqur edhe në dyqanet tona, madje për ironi ky fenomen paraqitet tek produktet organike.

Tutje ajo theksoi se kjo është një qasje tejet e gabuar nga ofruesit e këtyre produkteve përveç faktit që krijon ndotje të plastikës e stiroporit (produkte të ndaluara në shumë shtete të botës).

“Këto paketime shkurtojnë jetëgjatësinë e produkteve bimore. Kanë përmbajtje toksike – p.sh styrene ose phthalates (janë esteret e acidit ftalik. Ato përdoren kryesisht si plastifikues) – kemikale që ndikojnë negativish në shëndetin e njeriut, në sistemin vaskular si dhe në organe të tjera vitale ku gjatë qëndrimit për kohë të gjatë këto kemikale lirohen dhe u servohen qytetarëve. Ndryshimi i shijes dhe përmbajtjes së produktit - duke e shndërruar atë në produkt madje edhe të dëmshëm”, shprehet ekologja Shala.

Ajo shtoi se ofrimi i shërbimit parësore duhet të jetë cilësia e produkteve e jo shpejtësia e dërgesës së tyre.

“Në një vend ku riciklohet më pak se 3%, deponitë janë në gjendje kaotike dhe helmojnë çdo ekosistem aktual. Nuk kemi nevojë për prodhues të mbeturinave të panevojshme, por produkte cilësore dhe kujdes ndaj natyrës”, deklaroi Shala.

Në një prononcim për Motilokal.com zëvendësministrja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Linda Çavdarbasha tha se përdorimi i plastikës është një dukuri në gjithë botën, jo vetëm në Kosovë.

“Jo vetëm në Kosovë por çdo kund në botë ka filluar të bëhet problematike përdorimi i plastikës njëpërdorimshme e këtu hyn edhe mbështjellja e pemëve të freskëta me plastikë. Natyrisht se kjo bëhet për arsye të ruajtjes më afatgjate të frutave duke menduar gjithmonë aspektin ekonomik e financiar e duke anashkaluar efektet në mjedis dhe në shëndetin e njeriut”, është shprehur për motilokal znj. Çavdarbasha.

Tutje ajo shtoi se disa vende Evropiane e kanë ndaluar përdorimin e plastikës njëpërdorimshme ndërsa edhe Kosova është duke shkuar në këtë drejtim, mirëpo duke analizuar gjendjen momentale do kalojmë në një fazë tranzicioni ku gradualisht do aplikojmë këtë praktikë.

“Me mijëra ton plastikë brenda vitit hidhen në tokë dhe në det, prandaj është e rëndësishme që edhe tek ne të rregullohet përgjegjësia e zgjedhuar e prodhuesit për të cilën jemi duke punuar si dhe po përditësohet Udhëzimi Administrativ për menaxhimin e mbeturinave nga ambalazhet dhe paketimet e më pastaj duhet të shtohen mekanizmat e kontrollit dhe të vendosen gjoba për ata të cilët nuk respektojnë ligjin”, theksoi zëvendësministrja Çavdarbasha.

Ndërsa sa i përket mbështjelljes së frutave dhe perimeve me plastikë zëvendësministrja Çavdarbasha u shpreh: “Unë e shoh si diçka që mund të rregullohet duke përcaktuar mënyrën e mbështjelljes së frutave e kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Së bashku, duhet të vlerësojmë se a mund të bëhet rregullimi si pjesë e ndonjë Udhëzimi Administrativ ekzistues gjatë plotësim ndryshimit apo duhet të draftohet një Udhëzim Administrativ i veçantë”./Motilokal.com