Një nga territoret më atraktive dhe më magjepse të trevave shqiptare me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike, janë Alpet Shqiptare.
Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruara natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë madje edhe në botë.
Alpet i përngjajnë një kupole me majën të lartë Jezerca 2694 metra nga e cila dalin në formën e rrezeve vargjet malore me maja të mprehta dhe me shpate të thepisura.
Nuk ka si të mos tërheqin vëmendjen e vizitorëve format e shumta karstike, akullnajore me një bukuri mistike ku natyra ka bërë kompromis me veten dhe me njeriun. Majat e maleve në këtë territor duket sikur arrijnë qiellin.
Në gjithë Alpet shqiptare gjenden 30 liqene akullnajore por grupi i liqeneve të Jezercës është i pa krahasueshëm.
Gjenden në anën veriore të malit të Jezercës, në një luginë të vogël e të rrethuar me maja të larta e cila fillon në Jezercë dhe përfundon në Vuthaj dhe më poshtë në Guci (Mali i zi) ku bashkohet me lumin e Vermoshit.
Këtu gjenden 6 liqene, ku më i madhi dhe më i thelli prej tyre është ‘Buni i Jezercës’ i cili është liqeni që shtrihet më në lartësi (1794 metra lartësi mbidetare). Liqeni i vendosur më ulët si lartësi mbidetare gjendet në kuotën 1765 metra lartësi mbidetare.
Regjimi i këtyre liqeneve është tipik alpin. Gjatë dimrit ngrijnë të gjithë.
Disa nga liqenet janë 3-4 metra të thellë, ndërsa disa të tjerë janë krejt të cekët. Pavarësisht faktit se gjenden mbi formacione gëlqerorësh, ata mbajnë ujë për një periudhë të gjatë edhe në stinën e verës.
Fotografitë janë shkrepur nga Abdulla Diku, ambientalist./Motilokal.com
