Që prej 1 korrikut, inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit janë çdo ditë në terren për të kontrolluar prodhuesit e qeseve plastike.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi se pas informimit e ndërgjegjësimit, tani s’ka më tolerancë ndaj shkelësve të ligjit që ndalon qeset plastike njëpërdorimshme.
“Subjektet e kontrolluara deri tani kanë përshtatur teknologjinë në prodhimin e qeseve brenda standardeve e urojmë që po kështu të vijojnë të gjithë, sepse ky nuk është vetëm një ligj, por misioni ynë i madh drejt një mjedisi të pastër dhe pa plastikë”, u shpreh Kumbaro në një postim në Facebook.
Nga 1 korriku, grupet inspektuese kanë nisur monitorimin e rreptë për zbatimin e ligjit që ndalon prodhimin, importimin dhe tregtimin e qeseve plastike njëpërdorimshme.
Qeset që ndalohen janë ato njëpërdorimshme mbajtëse, me trashësi më të vogël se 70 mikron dhe kapacitet më pak se 10 kilogramë. Sipas ndryshimeve ligjore, importimi, prodhimi dhe hedhja në treg e qeseve që nuk plotësojnë standardet e reja dënohet me gjobë nga 500 000 deri në 1,500,000 lekë, me sekuestrim të qeseve dhe deri në heqje të licencës së aktivitetit./Motilokal.com
