Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një konference për media ka folur në lidhje me Marrëveshjen e Programit Kompakt me të Zyrën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Ministrja deklaroi se zbatimi i projektit është paraparë të nisë 18 deri në 24 muaj pas ratifikimi duke shtuar se bateritë mund të jenë të instaluara pas dy-tre vitesh.
“Kur po flasim për zbatimin e projektit duhet pasur të qartë se zbatim i projektit fillon 18 deri 24 muaj pas ratifikimit. Gjatë 18 muajve në vijim do të krijohen parakushte, do të bëhen analiza shtesë, lokacioni për bateritë për shembull vetëm është caktuar. Tri lokacione preliminare. Do të vazhdojnë studimet për ato lokacione. Do të vazhdojë puna në zhvillimin e parapërgatitjes për zhvillimin e programeve të trajnimeve, do të selektohet institucioni, ose institucionet partnere, do të bëhen ndryshimet ligjore, rregulluese të cilat mundësojnë blerjen dhe shfrytëzimin e baterive, këtu të gjitha do të ndodhin gjatë 18 muajve të ardhshëm para se të fillojë zyrtarisht atë që quajmë zbatimi i projektit kur edhe fillon shpenzimi i pjesës më të madhe të grantit. Me fillimin e zbatimit të projektit mund të fillojë prokurimi i baterive, por po flasim për dy-tri vite deri në kohën kur t’i kemi bateritë e instaluara dhe deri në kohën kur të fillojë ofrimi i programeve të trajnimit”, deklaroi ajo.
“Sektori i energjisë në Kosovë ka qenë në nevojë urgjente për investime për vite me radhë, Qeveria e Kosovës dhe MCC kanë identifikuar mungesën e furnizimit të besueshëm me energji elektrike si pengesë kryesore për zhvillim ekonomik të Kosovës. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje të dyja vendet partnere janë zotuar të përmirësojnë të tashmen dhe të ardhmen energjetike të Kosovës, duke stabilizuar furnizimin me energji elektrike dhe përshpejtuar tranzicionin e saj drejt karbonizimit të energjisë”.
“Diversifikimi i burimeve të energjisë dhe decentralizimi i rrjetit me prodhues kërkon që të kemi kapacitete për të menaxhuar me përfshirjen e burimeve të ripërtëritshme në rrjet, duke maksimizuar shfrytëzimin e secilit kapacitet që ndërtohet, ndërsa pavarësia energjetike nuk përfshin vetëm kapacitetet e reja të gjenerimit, por edhe stabilitet të rrjetit energjetik të pavarur”, u shpreh ajo.
Tutje, ajo u shpreh se projekti i parë në këtë program është blerja dhe instalimi i baterive me kapacitet të lartë.
“Projekti i parë në këtë program konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, këto bateri shërbejnë si rezerva të energjisë, të cilat do të përdoren për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës, si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe të konsumit”, u shpreh ajo.
Ajo u shpreh se rezervat e energjisë do t’i kursejnë Kosovës minimum 15 milionë euro në vit.
“Përdorimi i baterisë do të ndikojë në një masë në uljen e importit të shtrenjtë. Një kalkulim preliminar i MCC-së është që rezervat e energjisë do t’i kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës minimum 15 milionë euro në vit, kjo vlerë parashihet të jetë edhe më e madhe kur rriten çmimet e energjisë, siç po ndodhë këto ditë”, ka thënë ajo./Motilokal.com
