Nga Shkëlzen Rrecaj
E mbuluar me petkun e gjelbër, aty ku rrezet e diellit nuk mund të depërtojnë aq lehtë, ngaqë lisat e gjatë me shumë gjethe i bëhen mburojë kësaj natyre të bukur.
Ky është Peizazhi i Mbrojtur i Gërmisë, i cili gjendet në Prishtinë, me një sipërfaqe prej 1126 ha. Ky park është një zonë e mbrojtur e natyrës, i shpallur në vitin 1987.
Rreth 75 % e sipërfaqes në Gërmi është e mbuluar me pyje të ruajtura me bashkësi të shpardhit, qarrit, bungut dhe ahut.
Po ashtu në sajë të pozitës gjeografike, veçorive gjeologjike, pedologjike, kushteve klimatike masivi malor i Gërmisë është mjaft i pasur me florë dhe faunë.
Nga hulumtimet e deritashme janë të evidentuara 610 lloje të florës vaskulare të grumbulluara në 82 familje dhe 83 lloje kërpudhash duke mos llogaritur taksonet e barërave të këqija, atyre ruderale dhe bimëve të tjera të ulëta. Prej tyre 5 lloje janë endemike dhe 12 lloje mjekësore.
Sipas hulumtimeve në regjionin e Gërmisë janë regjistruar: 5 lloje ujëtoksorësh, 7 lloje të rrëshqitësve, 19 lloje të gjitarëve dhe 30 lloje të shpendëve. Po ashtu, ky park është vendbanim i një numri të madh i insekteve që përbëjnë grupin më të madh të shtazëve në këtë masiv. Mirëpo të dhënat që i marrim nga terreni janë alarmante, pasi që flitet për zhdukjen e shumë llojeve bimore dhe shtazore.
Çdo vizitor që vjen në Prishtinë, nuk e lë pa e vizituar Parkun e Gërmisë, ku në hyrje të parkut, gjendet Pishina, si zonë rekreacioni.
Në këtë park mund të gjeni fusha të improvizuara të tenisit, basketbollit e fusha të vogla për futboll. Kjo nuk përfundon me kaq, pasi përveç natyrës piktoreske, ajrit të pastër, Gërmia ka dhe shtegun e saj të vrapimit dhe biçikletave.
Këto vlera atraktive natyrore dhe ajri i pastër i Gërmisë, tërheqin vëmendjen e një numri të madh qytetarësh nga Prishtina dhe rrethina të saj, të cilët kalojnë një pjesë të ditës ose gjithë fundjavën.
Sipas IUCN (Unionit botëror për Ruajtjen dhe Konservimin e Natyrës) Parku i Gërmisë është evidentuar në listën ndërkombëtare të zonave të mbrojtura (IUCN, 1990 United Nation List of National Parks and Protected Areas).
Por së fundmi kanë filluar punimet për mbajtjen e festivalit “Sunny Hilli”, ku sipas aktivistëve dhe njohësve të mjedisit, natyra e Peizazhit të Mbrojtur të Gërmisë është duke u dëmtuar.
Zhurma e madhe e muzikës për aq ditë sa do të mbahet festivali, dëmton rëndë gjallesat, ç’gjë shkakton edhe largim të tyre.
Pjesëmarrja e madhe e njerëzve dhe aparateve, gërmimet me ekskavator, si dhe vendosja e tualeteve janë vetëm disa nga shkaktarët e dëmtimit të gjelbërimit, ndotjes së ajrit dhe përkeqësimit të jetesës së kafshëve, shpezëve dhe insekteve në këtë park.
Mbajtjen e “Sunny Hill Festival” në Parkun e Gërmisë e ka kundërshtuar edhe organizata “Qytetarët Aktivë”, ku sipas tyre lejimi i çfarëdo aktiviteti të zhurmshëm që degradon natyrën dhe habitatin e specieve të egra në Gërmi apo në zonat tjera natyrore, duhet të ndalohet në mënyrë rigoroze.
“Mbajtja e festivalit “Sunny Hill” në Parkun e Gërmisë dëshmon theksueshëm që institucionet tona ende duhet të vetëdijesohen për rolin e mjedisit dhe natyrës në jetën e njerëzve dhe po ashtu duhet të punojnë shumë për të organizuar fushata ndërgjegjësuese për stafin e tyre (trajnime) dhe për qytetarët pasi që qytetarët asnjëherë nuk kanë pranuar informata të nevojshme rreth ndikimit të mbeturinave apo çfarëdo ndotjeje në jetën e tyre”, theksojnë nga organizata “Qytetarët Aktivë”.
Tutje, theksohet se ndotja akustike ka pasoja te kafshët pasi që e rrezikon aftësinë e tyre për të zbuluar gjahun ose grabitqarët dhe për të komunikuar me njëri-tjetrin. Si rezultat, zhurma indirekt ndikon në riprodhimin dhe mbijetesën e kafshëve të egra.
Organizata “Qytetarët Aktivë”, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të mandatuara të mos kontribuojnë në vrasjen dhe shkatërrimin e mjedisit dhe habitateve të kafshëve të egra.
“Jemi pjesë e natyrës dhe pa të do të shkatërrohemi edhe ne të gjithë”, shprehen “Qytetarët Aktivë”.
“Gjatë viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë të ndikimit negativ njerëzor në krizat (ndryshimet) klimatike dhe në përhapjen e viruseve dhe epidemive të ndryshme pikërisht pse autoritetet kompetente dhe njerëzit globalisht ende nuk e trajtojnë mbrojtjen e mjedisit dhe mirëqenies së kafshëve (shfrytëzimit sa më të pakët të tyre ose mos shfrytëzimin e tyre në asnjë formë) me seriozitetin që i takon. E drejta kushtetuese për të qenë vendimmarrës në shfrytëzimin e mjediseve natyrore, na takon të gjithëve dhe bëjmë thirrje që kjo e drejtë të na respektohet dhe që institucionet që japin leje joligjore për mbajtjen e këtij festivali, t’u dalin zot pasojave që kanë shkaktuar”, deklaruan nga organizata “Qytetarët Aktivë”.
Kundër mbajtjes se festivalit “Sunny Hill”, ka reaguar edhe fotografi i botës së egër Albert Krasniqi, njëherësh promovues i Peizazhit të Mbrojtur të Gërmisë dhe drejtues i organizatë “Kosova Wildlife Care”.
Fotografi Albert Krasniqi ka thënë: “Si aktivistë për mbrojtjen e natyrës, jemi tejet të shqetësuar me vendimin për mbajtjen e “Sunny Hill” në peizazhin e mbrojtur të Parkut Gërmisë për faktin që ne besojmë qe ka shkelje ligjore gjithashtu dëmi dhe pasojat për florën dhe faunën janë tejet të mëdha.”
Ai ka theksuar se vendi ku mbahet festivali është zonë e mbushur me shpendë dhe kafshë të cilët varen tërësisht prej shqisave për mbijetesë, përderisa zhurma e madhe, muzika e lartë dhe prezenca e mijëra personave, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën dhe mbijetesën e tyre.
“Duke marr parasysh që një përqindje e madhe e shpendëve dhe kafshëve nuk mbijetojnë në vitin e parë pas folenizimit (që tashmë jemi në kohën e mbarimit të folenizimit të shpendëve dhe kafshëve) me gjasë këtë vit, nuk do të mbijetojnë të vegjlit e tyre, në pamundësi për gjetjen e ushqim, dhe shqetësimin e tyre”, është shprehur fotografi Krasniqi.
Tutje ai ka deklaruar se ndikim direkt do të kenë te të gjitha kafshët dhe shpendët e në veçanti shpendët e natës si bufi veshgjatë, kukuvajka e pyjeve, bufi gjoni, gerri i madh etj., të cilët aktivitetin e tyre e kanë vetëm gjatë natës.
Fotografi Krasniqi ka theksuar se në vitet e kaluara gjatë mbajtjes së festivalit është hasur në dëmtime edhe në drunjtë pasi rrjetat kanë qenë të ngulitura me gozhda në drunj, gërmime të dheut në Park, mbeturina në pyll, dhe bllokimi i tre burimeve të ujit që janë jetike për shpendët dhe kafshët.
Ai ka kërkuar që të shqyrtohet dhe të anulohet mbajtja e festivalit “Sunny Hill” në Pejsazhin e Mbrojtur të Gërmisë dhe të merret parasysh rregullorja për rendin e brendshëm të Parkut të Gërmisë, ashtu siç e parasheh ligji.
Sipas një raporti të viti 2018/2019 të publikuar nga Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK), thuhet se gjendja e përgjithshme në Peizazhin të Mbrojtur të Natyrës “Gërmia” është jo e mirë duke pasur parasysh rastet gjatë të cilave zhvillohen aktivitetet ilegale dhe që bien në kundërshtim me ligjin, që herë pas here po planifikohen të zhvillohen në këtë zonë të mbrojtur.
“Organizimi i festivalit të muzikës të ashtuquajtur “Sunny Hill Festival” me performanca muzikore të zhurmshme mu në zonën e Peizazhit të Mbrojtur “Gërmia”, mbahet pa njoftimin dhe marrjen paraprake të pëlqimit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në raport.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës ka raportuar për ndikimet negative në vlerat e natyrës si në aspektin florisitk, siç ishte dëmtimi i trungjeve, ashtu edhe në atë faunisitk duke shqetësuar shumë lloje të gjitarëve e sidomos shpezët, të cilat kanë habitatet e tyre në Peizazhin e Mbrojtur “Gërmia”.

Ndërsa së fundmi “Qytetarët Aktivë” kanë adresuar ankesën tek Drejtoria e Inspektimit në KK Prishtina dhe Departamenti për Inspektim për Mjedis në MMPHI për veprim urgjent që të ndalohen të gjitha veprimet nga ky festival, i cili nuk ka as pëlqim nga Drejtoria e Parqeve dhe as leje adekuate dhe të respektohet ligji për mbrojtjen e Natyrës dhe Mjedisit”, thuhet në njoftim.
Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se Festivalit “Sunny Hill” i është anuluar vetëm pëlqimi, por jo edhe aktiviteti.
Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim me datën 28.07.2022 ka anuluar pëlqimin për mbajtjen e festivalit Sunnyhill në Peizazhin e Gërmisë.
“Qytetarët Aktivë kanë adresuar ankesën te Drejtoria e Inspektimit në KK Prishtina dhe Departamenti për Inspektim për Mjedis në MMPHI për veprim urgjent që të ndalohen të gjitha veprimet nga ky festival i cili nuk ka as pëlqim nga Drejtoria e Parqeve dhe as leje adekuate dhe të respektohet ligji për mbrojtjen e Natyrës dhe Mjedisit”./Motilokal.com
