Edhe në pjesët më të largëta të botës, niveli i të ashtuquajturave "kimikate të përhershme" në atmosferë është bërë aq i lartë saqë uji i shiut tani është "i pasigurt për t'u përdorur" sipas udhëzimeve të reja të cilësisë së ujit.
Këto kimikate janë një grup produktesh të rrezikshme të prodhuara nga njeriu të njohur si PFAS, që do të thotë substanca perfluoroalkil, disa prej të cilave janë të lidhura me kancerin tek njerëzit.
Në dekadat e fundit ato janë përhapur globalisht përmes rrjedhave ujore, oqeaneve, dherave dhe atmosferës dhe si rezultat, tani mund të gjenden në ujërat e shiut dhe borës edhe në vendet më të largëta të Tokës – nga Antarktida në Rrafshnaltën Tibetiane, kanë thënë studiuesit.
Vlerat udhëzuese për PFAS në ujin e pijshëm, ujërat sipërfaqësore dhe tokat janë rishikuar në mënyrë dramatike për shkak të toksicitetit të tyre dhe kërcënimeve që ato paraqesin për shëndetin dhe botën natyrore.
Ndryshimet nënkuptojnë se nivelet e këtyre kimikateve në ujin e shiut "tani janë kudo mbi nivelet mesatare", sipas studiuesve nga Universiteti i Stokholmit dhe universiteti ETH Cyrih.
Ian Cousins, autori kryesor i studimit dhe profesor në Departamentin e Shkencave Mjedisore në Universitetin e Stokholmit tha: "Bazuar në udhëzimet më të fundit të SHBA për PFOA në ujin e pijshëm, uji i shiut kudo do të gjykohej i pasigurt për t'u pirë.”
Megjithëse në botën industriale ne nuk pimë shpesh ujë shiu, shumë njerëz në mbarë botën presin që ai të jetë i sigurt për t'u pirë dhe ai furnizon shumë nga burimet tona të ujit të pijshëm."/Motilokal.com


