Ndikimi i shfrytëzuesve të rërës dhe zhavorrit në gjendjen mjedisore të lumenjve në Kosovë

Ndikimi i shfrytëzuesve të rërës dhe zhavorrit në gjendjen mjedisore të lumenjve në Kosovë

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka publikuar raportin “Ndikimi i Shfrytëzuesve të Rërës dhe Zhavorrit në Gjendjen Mjedisore të Lumenjve”.

Sipas AMMK-së resurset ujore në Kosovë kanë një shpërndarje gjeografike jo të barabartë regjionale. Edhe pse Kosova vlerësohet se ka resurse të kufizuara të burimeve të ujit, burimet ekzistuese duke përfshirë edhe lumenjtë janë shfrytëzuar dhe ndotur përtej limiteve natyrore dhe normave të lejuara.  

“Gjendja mjedisore e lumenjve është përkeqësuar si rezultat i degradimit fizik të shtretërve, shkarkimit të ujërave të përdorura urbane dhe industriale, erozionit dhe shfrytëzimit të tokave pa kriter, përgjatë shtretërve të tyre. Degradimi fizik i sipërfaqeve të lumenjve është pasojë e mbi shfrytëzimit të rërës dhe zhavorrit, nga operatorët legal dhe ilegal dhe tejkalimi i kapacitetit të prurjes natyrale të tyre”, thekson AMMK në raport.

Raporti, “Ndikimi i Shfrytëzuesve të Rërës dhe Zhavorrit në Gjendjen Mjedisore të Lumenjve”, ka si objektiv kryesor vlerësimin e gjendjes mjedisore të lumenjve të ndikuar nga shfrytëzimi i rërës dhe zhavorrit, evidentimin e sipërfaqes së degraduar, masat e ndërmarra nga institucionet në përputhje me kërkesat ligjore, rregulloret, udhëzimet administrative dhe standardet tjera mjedisore si dhe efektet e tyre për përmirësimin e gjendjes.

Ky vlerësim ka për qëllim po ashtu që të evidentojë edhe ndikimet negative dhe efektet në florë, faunë dhe peizazhin e ekosistemeve të lumenjve të ndikuara nga shfrytëzimi i inerteve, evidentimin e dëmeve dhe efekteve tjera mjedisore si dhe të informojë institucionet dhe publikun e gjerë për gjendjen aktuale të lumenjve.

Raporti vlerësues, “Ndikimi i shfrytëzuesve të rërës dhe zhavorrit në gjendjen mjedisore të lumenjve”, bazuar në të gjeturat kryesore ka nxjerrë edhe një listë masash dhe veprimesh që duhet të zbatohen ndaj degraduesve, për ndërprerjen e degradimit të mëtejmë si dhe përmirësimin e kushteve mjedisore të lumenjve./Motilokal.com

Për më shumë detaje shihni Raportin, Ndikimi i shfrytëzuesve të rërës dhe zhavorrit në gjendjes mjedisore të lumenjve