Zjarret në Evropë deri tani kanë djegur sipërfaqen e dytë më të madhe në histori

Zjarret në Evropë deri tani kanë djegur sipërfaqen e dytë më të madhe në histori

Zjarret kanë djegur 600,731 hektarë në vendet e BE-së këtë vit deri më tani, tregojnë të dhënat e cituara nga agjencia e lajmeve Reuters.

Sipas ekspertëve, kjo shifër renditet e dyta ndër më të lartat, që prej vitit 2006, kur filluan të mateshin të dhënat. Rekordin e mban viti 2017 ku janë djegur 987 844 hektarë, kurse ky vit rezulton me sipërfaqen e dytë më të madhe të djegur ndonjëherë.

Një numër i madh vendesh evropiane kanë pësuar zjarre të mëdha këtë vit, duke detyruar mijëra banorë të evakuohen dhe kanë shkatërruar shtëpi dhe biznese.

Vendet përfshirë Italinë, Spanjën dhe Francën ende përballen me rrezik ekstrem nga zjarri.

Sipërfaqja e djegur e këtij viti është më shumë se dyfishi i madhësisë së Luksemburgut.

Asnjë vit tjetër në grupin e të dhënave nuk kishte parë një sasi kaq të lartë toke të djegura në Evropë deri në gusht.

Sezoni tipik i zjarreve në rajonin e Mesdheut zgjat nga qershori deri në shtator.

E rajoni është vetëm në gjysmë të rrugës së sezonit tipik të zjarreve, sipas të dhënave nga Qendra e Përbashkët Kërkimore e Bashkimit Evropian, shkruan Reuters.

Ndryshimet klimatike po përkeqësojnë situatën me zjarret, duke rritur kushtet e nxehtësisë dhe të thatësirës që i ndihmojnë ato të përhapen më shpejt.

Victor Resco de Dios, profesor i inxhinierisë pyjore në Universitetin Lleida të Spanjës, tha se zjarret e mëdha që pësuan Franca dhe Portugalia në fillim të korrikut ishin “jashtëzakonisht të pazakonta” dhe treguan se si ndryshimet klimatike po bëjnë që sezoni i zjarreve të fillojë më herët dhe të zgjasë më shumë.

“Zjarret e sotme në Mesdhe nuk mund të shuhen më… Zjarret e mëdha po bëhen gjithnjë e më të mëdha”, tha ai./Motilokal.com