Disa vatra zjarri janë regjistruar 24 orët e fundit në qarkun e Elbasanit. Por vatra më e madhe ishte ajo që shpërtheu dje dhe gjatë natës në kurorën e ullishtës së Elbasanit.
Rreth 20 hektarë me ullinj u dogjën në këtë vend nga një zjarr i fuqishëm i ndihmuar nga era, thatësira, terreni i thyer dhe temperaturat e larta.
Ekipeve të zjarrfikësve iu desh të paktën 12 orë luftë për të vënë flakët nën kontroll, në ndihmë të të cilëve u ofruan edhe punonjës të pyjores, të bashkisë dhe banorë të Elbasanit.
Gjithashtu në fikjen e zjarrit u angazhuan rreth 30 zjarrfikës nga Cërriku Belshi dhe Peqini ndërsa janë vënë në dispozicion 7 makina.
Edhe pse vatra kryesore e zjarrit është vënë në kontroll ditën e sotme në ndihmë kanë ardhur dhe efektivë ushtrie në mbështetje të zjarrfikëses Elbasan për të fikur vatrat e vogla që kanë mbetur në brendësi të kodër ullishtës. Riaktivizimi i tyre do ta rëndonte sërish situatën./Motilokal.com


