Shumica prej nesh e dinë nevojën e trupit për ushtrimet fizike. Ne vazhdimisht dëgjojmë nga një sërë burimesh, nga mjekët tek reklamat, për përfitimet e ushtrimeve për mendjen dhe trupin tonë. Por përveç përfitimeve fizike, aktiviteti fizik, veçanërisht nëse bëhet jashtë, mund të kontribuojë në përmirësimin e humorit dhe përqendrimit, si dhe në çlirimin e stresit.
Megjithatë, rrallë dëgjojmë për rëndësinë e aktivitetit fizik në zhvillimin e fëmijëve. Aktiviteti fizik gjatë ditës së shkollës, qoftë brenda apo jashtë, ndërton motivimin dhe përmirëson rezultatet e të nxënit dhe mirëqenien sociale. Pushimet në këndin e lojërave janë jashtëzakonisht të dobishme dhe janë zbuluar se zhvillojnë aftësinë e fëmijëve për të qëndruar të fokusuar në punën që bëhet në klasë.
Fëmijëve të vegjël, ndryshe nga të rriturit, u mungon aftësia për të përqendruar vëmendjen e tyre në detyrat njohëse për periudha të gjata kohore. Ata gradualisht e zhvillojnë këtë cilësi, në mënyrë që të përvetësojnë njohuritë, të formojnë botën e tyre emocionale dhe natyrisht të përfshijnë lëvizjet e nevojshme në jetën e përditshme të një personi, si ecja.
Kur foshnjat mësojnë të ecin, kjo përpjekje kërkon përqendrim intensiv. Kjo është arsyeja pse përpjekjet e para të kujtojnë më shumë "rënie të kontrolluara" të njëpasnjëshme dhe jo aq shumë ecje. Megjithatë, disa muaj më vonë, fëmijët e vegjël po ecin dhe vrapojnë me lehtësi të lakmueshme. Pasi të kenë përfunduar me sukses fazën e parë, ndërsa rriten në gjatësi dhe peshë, atyre u kërkohet vazhdimisht të ripërshtaten dhe të mësojnë mënyra për të kryer lëvizjet e muskujve me 'trupin e ri'.
Përpjekja për të ekzistuar në një trup të ri
Një proces mësimor i paraprin, sa herë që tentojmë lëvizje të reja ose thirremi të ekzistojmë në një mjedis të ri. Ky proces i veçantë quhet të mësuarit kinestetik.
Për të arritur të mësuarit kinestetik, është e rëndësishme të perceptojmë lëvizjet e ndërgjegjshme të trupit tonë, përmes nervave ndijor në muskujt dhe nyjet tona. Stimujt që vijnë nga mjedisi i jashtëm përmblidhen në termin “stimulim kinestetik” dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me fëmijët.
Kur fillojmë një hobi ose sport të ri, mësimi sensorimotor zhvillohet teksa testohemi për aftësi, reagime dhe përgjigje të reja. Në fillim, ne mendojmë shumë për lëvizjen më të vogël. Megjithatë, me kalimin e kohës vërejmë se nuk kemi më nevojë të fokusohemi në detaje.
Të mësuarit duke lëvizur
Sot e dimë se “stimulimi motorik” ndikon jo vetëm në zhvillimin motorik dhe aftësish, por edhe në performancën akademike. Studimet kanë zbuluar efekte ë ushtrimeve të rregullta dhe kohës së lirë për lojë ose pushim.
Në një sërë rastesh, aktiviteti fizik përmirësoi performancën e përgjithshme akademike, ndërkohë që ishte veçanërisht efektiv në rritjen e aftësive matematikore të fëmijëve.
Kthimi në mirëqenien e humbur
Loja, zhvillimi i aftësive motorike dhe aktivitetet në natyrë janë gjithçka që na nevojitet, qoftë si parashkollorë, adoleshentë apo edhe të rritur.
Në fund të fundit, përkeqësimi dramatik i problemeve të shëndetit mendor është një tregues i qartë i nevojës për të rivendosur të gjitha këto aspekte të jetës sonë.
Psikoterapia nëpërmjet bashkëjetesës harmonike me natyrën është ndër praktikat e përmirësimit të shëndetit fizik dhe mendor. Prandaj, aktivitetet në natyrë mund të jenë veçanërisht të dobishme për të rivendosur dhe ruajtur mirëqenien tonë, pavarësisht nga mosha jonë. Dhe duke pasur parasysh atë që dimë për përfitimet e aktivitetit fizik në mësimin e të rinjve, ndoshta duhet të investojmë më shumë për t'u ofruar fëmijëve tanë mundësi për aktivitet fizike./Motilokal.com


