Dielli dhe era po zgjojnë Kosovën nga shtrati i qymyrit!

Dielli dhe era po zgjojnë Kosovën nga shtrati i qymyrit!

Për dekada me radhë, furnizimi me energji elektrike në Kosovë është mbështetur në disa njësi të termocentraleve me linjit si dhe në importin e sasive shtesë të nevojshme të energjisë nga vendet fqinje. Sidoqoftë, viteve të fundit ka pasur disa ndryshime pozitive dhe zhvillime të ndërmarra për t’u mbështetur tek energjia e ripërtërishme. Investimi në energji nga burimet e ujit të erës dhe diellit po duket se po shënon rritje të vazhdueshme në Kosovë.

Ndërtimi i Parkut të Erës në Shalë të Bajgorës, Kikë të Kamenicës janë projektet e para të prodhimit të energjisë nga era në Kosovë. Po ashtu, shumë biznese dhe ekonomi familjare kanë vendosur panele diellore në çatitë e tyre.

Megjithatë, këta hapa shënojnë vetëm fillimin e një rruge të gjatë para dhe me shumë sfida, e të cilat duhen të adresohen në mënyrë efektive dhe në kohën e duhur.

Një aspekt tjetër është se energjia e ripërtërishme synon të jetë sa më e pastër dhe sa më pak e dëmshme për mjedisin jetësor. Thënë shkurt energjia diellore është një mënyrë e shkëlqyer për të reduktuar gjurmët e karbonit. Ajo nuk e ndot natyrën, nuk lëshon asnjë gaz dhe ka nevojë vetëm për burime të pastra si uji, era dhe dielli për të funksionuar. Prandaj, konsiderohet e sigurt dhe miqësore ndaj mjedisit.

Për të kuptuar më shumë rëndësinë e energjisë së ripërtërishme Motilokal.com realizoi një intervistë me Prof. Asoc. Dr. Qamil Kabashi, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike e Kompjuterike dhe Prodekan për Mësimdhënie dhe çështje të Studentëve.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj 

Kriza aktuale energjisë ka imponuar zgjidhjen e nevojave energjetike sidomos për sezonin dimëror. Shumë shtete janë orientuar nga burimet e ripërtërishme. Pse është e rëndësishme energjia diellore dhe a ka Kosova kapacitete për të prodhuar energji nga era dhe dielli?

Burimet e ripërtritshme të energjisë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në reduktimin e ndotjes nga dyoksidi i karbonit (CO2) në atmosferë. Reduktimi i emetimeve të CO2 në atmosferë është një politikë e Bashkimit Evropian, andaj edhe Kosova duhet ta pranojë këtë. Epërsitë e burimeve solare të energjisë elektrike janë të shumta meqë nuk prodhojnë zhurmë as ndotje të ambientit, prodhojnë energji “të gjelbër”, kanë mirëmbajtje të lehtë, prandaj konsiderohen “miqësore me rrethinën”.

Republika e Kosovës ka një klimë të ngjashme me të Mesdheut, me verë të gjatë, të nxehtë dhe dimër të butë. Gjatë muajve të verës, Kosova ka mesatarisht 12 orë diellore në ditë. Vendndodhja gjeografike dhe topografia e vendit kontribuojnë në rrezatimin e lartë diellor. Pozicioni në Gadishullin Ballkanik i lejon vendit të pranojë shumë dritë dielli gjatë gjithë vitit, por edhe malet që rrethojnë vendin mund të reflektojnë gjithashtu rrezet e diellit në ultësirat e vendit, duke rritur sasinë e rrezatimit diellor. Kjo e bën Kosovën një vend shumë të përshtatshëm për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore.

Sipas atlasit të erës të KFW-së, Kosova ka mundësi relativisht të mira edhe për prodhimin e energjisë elektrike nga era. Aktualisht është në shfrytëzim Parku i Energjisë së Erës në Shalë të Bajgorës (Selaci 1, Selaci 2 dhe Selaci 3) me kapacitet 105 MWp (MegaWatt-peak).

Po ashtu, në Kikë është edhe një park tjetër i erës prej 32.4 MWp.

Duke pasur parasysh pozitën gjeografike të Shalës së Bajgores dhe Kikës, era në këto rajone fryn nga të gjitha anët, e jo në një drejtim të caktuar, atëherë produktiviteti i turbinave aktuale të instaluara në mund të jetë maksimalisht rreth 40% e fuqisë së instaluar.

Përveç Shalës së Bajgorës dhe Kikës, në Republikën e Kosovës si vende potencialisht të favorshme për prodhimin e energjisë elektrike nga energjia e erës janë identifikuar edhe Çyçavica, Kozhica, Zatriqi dhe Budakova ku do të kishte mundësi reale të ndërtohen kapacitete prodhuese të energjisë elektrike me fuqi diku rreth 600 MWp.

Çfarë po bën Kosova për shtimin e këtyre kapaciteteve?

Sikur edhe vendet e tjera të rajonit, edhe Kosova po bën hapa për të rritur kapacitetet diellore/erës duke investuar në zhvillimin e parqeve të energjisë së rinovueshme dhe duke ofruar nxitje fiskale për investitorët e interesuar për të ndërtuar këto sisteme.

Instalimi i turbinave me erë dhe parqeve diellore mund ta ndihmojë Kosovën të diversifikojë përzierjen e saj energjetike dhe të zvogëlojë varësinë e shtetit vetëm nga energjia prej karburanteve fosile, duke çuar në një furnizim më të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji.

Anipse viteve të fundit ka një lëvizje pozitive drejt instalimit të turbinave me erë, Kosova ka potencial të përfitojë shumë më shumë nga instalimi i turbinave shtesë, pasi kemi një burim të lartë të erës, veçanërisht në rajonet perëndimore dhe veriore.

Sa i përket parqeve diellore, progresi i përgjithshëm në Republikën e Kosovës është më i ngadalshëm se në vendet e tjera të Ballkanit: Serbi, Mal i Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni të Veriut. P.sh deri në vitin 2022 vendet e rajonit kanë kapacitete diellore të instaluara sa vijon: Serbia mbi 800 MWp, Bosnja dhe Hercegovina mbi 300 MWp, Mali i Zi mbi 100 MWp, Maqedonia e Veriut mbi 100 MWp, përderisa Kosova deri në fund të vitit 2022 kishte vetëm dhjetëra MWp fuqi instaluese.

Nisur nga ky sfond, Republika e Kosovës ka prioritet modernizimin dhe përmirësimin e sektorit energjetik të vendit dhe ka kërkuar mbështetje të vazhdueshme dhe ndihmë nga partnerët e saj zhvillimor, përfshirë Bankën Botërore, Komisionin Evropian, KFW, USAID-in, si dhe donatorë të tjerë.

Në fund të dhjetorit 2022 Qeveria e R. së Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e huas dhe grantit për Projektin “Solar për Kosovën-Ngrohje Qendrore”, që në tërësi ka vlerën prej 80 milionë euro. Ky projekt parasheh ndërtimin e një impianti diellor, i cili shfrytëzon energjinë e diellit për ngrohje qendrore, e po ashtu shton kapacitetin e ngrohjes përmes zgjerimit të rrjetit edhe për 50 MW të tjerë.

Po ashtu, me mbështetje të Qeverisë Gjermane përmes KFW-së, Bankës Evropiane të Investimeve dhe KEK-ut pritet së shpejti fillimi i ndërtimit të parkut solar “Solar4Kosovo – Fotovoltaik I” me fuqi instaluese 100 MWp. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe KEK-u kanë aplikuar për fondet e granteve të BE/WBIF ashtu që një sipërfaqe prej rreth 150 hektarësh do të përdoret për këtë park solar. Projekti do të zhvillohet në ish deponinë e hirit "Kosova A" e cila gjendet shumë afër Termocentralit Kosova A, në mes të qytetit të Obiliqit dhe Fushë Kosovës.

Cilët janë disa nga faktorët më të rëndësishëm që duhen marrë parasysh kur dikush planifikon një projekt për energjinë e ripërtërishme?

Ka shumë faktorë që duhet përfshirë për një projekt nga Burimet e Energjisë së Ripërtritshme (BRE) të cilët janë listuar si më poshtë:

  • Disponueshmëria e BRE-së: faktori bërthamë kur planifikohet një projekt për zbatimin e energjisë së renovueshme vlerësohet disponueshmëria dhe besueshmëria e burimeve të tilla si era, dielli, uji, ose gjeotermale.
  • Lokacioni: Lokacioni i projektit është kritik në përcaktimin e fizibilitetit të tij, pasi ndikon në disponueshmërinë dhe cilësinë e BRE, si dhe në koston dhe fizibilitetin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes. Nuk është e dëshirueshme që tokat pjellore bujqësore të shfrytëzohen për parqe diellore.
  • Qëndrueshmëria financiare: algoritmi i analizës finaciare të projektit duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh kostot kapitale, kostot operative dhe potencialin e të ardhurave të projektit, si dhe disponueshmërinë e stimujve financiarë, si kreditë tatimore ose subvencionet.
  • Fizibiliteti teknik: Fizibiliteti teknik i projektit duhet të vlerësohet, duke përfshirë disponueshmërinë e pajisjeve dhe materialeve, përshtatshmërinë e vendit për teknologjinë e zgjedhur dhe aftësinë për të integruar BRE në rrjetin ekzistues elektroenergjetik.
  • Ndikimi në mjedis: Është e rëndësishme të merren parasysh ndikimet e mundshme mjedisore të projektit, si përdorimi i tokës (nuk është e dëshirueshme që tokat pjellore bujqësore të shfrytëzohen për parqe diellore), habitati i kafshëve të egra dhe përdorimi i ujit, dhe për të zhvilluar strategji për të minimizuar këto ndikime.
  • Kuadri ligjor dhe rregullator: Për suksesin e një projekti të BRE është kruciale kuptimi i plotë i kuadrit ligjor dhe rregullator, duke përfshirë kërkesat mjedisore dhe të lejeve. Me sa jam në dijeni Qeveria e RKS-së ka përgatitur ligjin mbi BRE-të dhe këtu do të duhej definohet çdo gjë. Ligji duhet të përcaktoj të gjitha përgjegjësitë e prodhuesve privatë duke përfshirë këtu: kërkesat për marrjen e licencave dhe lejeve për prodhimin dhe shitjen e energjisë së prodhuar.

Cilat janë kostot e prodhimit të energjisë diellore, krahasuar me burimet e tjera?

Krahasuar me burimet e tjera të energjisë, energjia diellore është zakonisht më e shtrenjtë për MWh, por kostot e lidhura me prodhimin e energjisë diellore janë ulur ndjeshëm viteve të fundit dhe pritet të vazhdojnë të ulen. Kjo e bën atë më konkurruese me burimet e tjera të energjisë. Kostoja e energjisë diellore ndikohet nga disa faktorë, si: efikasiteti i paneleve diellore, kostoja e materialeve shoqëruese, kostoja e punës dhe stimujt e qeverisë.

Kosova ka rezerva të mëdha të qymyrit dhe termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” janë shumë pranë tyre, prandaj energjia e prodhuar nga qymyri te ne është më e lirë në krahasim me shumë vende të botës.

Në shumë vende të botës, nuk është kështu dhe energjia diellore tani është më e lirë se burimet tradicionale si qymyri dhe gazi natyror dhe në disa raste është edhe më e lirë se energjia bërthamore.

Mirëpo, një nga epërsitë kryesore të energjisë diellore është se ajo është një burim i pastër, i rinovueshëm i energjisë që nuk prodhon emetime të gazrave serrë ose ndotës të tjerë.

Cili është vlerësimi juaj për programin kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), një fond prej 200 milionë dollarësh, që do të përdoren për projektin për akumulimin e energjisë në Kosovë?

Programi kompakt i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është një investim shumë i rëndësishëm në sektorin e energjisë në Kosovë. Fondi prej 200 milionë dollarësh do të mbështesë projektet që synojnë rritjen e efikasitetit të energjisë dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike në vend si dhe do t’i ndihmojë Kosovës në pavarësinë e sistemit energjetik.

Programi MCC Compact është krijuar për të ndihmuar në adresimin e disa prej sfidave kryesore me të cilat përballet sektori i energjisë i Kosovës, duke përfshirë prodhimin e kufizuar të energjisë dhe infrastrukturën e vjetruar energjetike.

Aktualisht, për shkak të ngecjes së zhvillimit të industrisë së rëndë vendore, në sistemin elektronergjetik të Kosovës ka oscilime të mëdha të ngarkesës. Bazuar në të dhënat e KOSTT-it, për vitin 2022, piku dimëror ishte deri në 1398 MW, piku veror 805 MW, ndërsa ngarkesa minimale 320 MW. Në praktikë ndodhin po ashtu rënie të paplanifikuara të blloqeve të termoelektranave nga sistemi, por mund të ketë edhe gabime gjatë parashikimit të ngarkesës. Nëse përfshijmë këtu edhe gabimet në parashikim të prodhimit nga BRE-ve (reshjet e paplanifikuara, mungesën e erës, etj), atëherë parashihet nevoja për sistem rezervë rregullues.

Bazuar në planet e zhvillimit të BRE-ve (nga era dhe panelet diellore), sipas Draft Strategjisë së Energjisë 2022-2031 nevojat për rezervë sekondare do të rriten. Prandaj, investimi me këtë rast në kapacitetet e baterive akumuluese me kapacitet 170 MW ose për rezerva 340 MW do të ndihmojnë Operatorin e Sistemit Transmetues në drejtim të zhvendosjes së pikut, rregullimit primar dhe sekondar (reagim i shpejtë ndaj sinjalit ACE të OST), arbitrazh të energjisë si dhe aftësi për startim nga errësira.

Kosova fle mbi qymyr dhe është një zotim që deri më 2050 të ndalohet përdorimi i tij. Tashmë kriza energjetike i ka rikthyer shumë shtete nga ky burim, i cili mund të shkaktojë edhe më shumë dëme mjedisore. A është i nevojshëm ndërtimi i një termocentrali të ri në Kosovë apo të punohet më shumë drejt instalimit të turbinave me erë dhe paneleve diellore?

Rezervat e qymyrit në Kosovë janë shumë të mëdha. Sikur të ndërtohej një termoelektranë vetëm prej 500 MW para disa viteve, sot do të ishim superfuqi energjetike në Ballkan. Prandaj, çdo ditë e vonuar në këtë drejtim është shumë. Sot teknikisht është e mundur të ndërtohen termocentrale me qymyr me nivele më të ulëta të ndotjes së mjedisit. (p.sh duke bërë desulfurimin e gazit për të reduktuar emetimet e dyoksidit të squfurit dhe përdorimin e pastruesve për të reduktuar emetimet e oksideve të azotit).

E kam parasysh se termoelektranat gjithsesi do të rezultojnë me ndikime të rëndësishme mjedisore në krahasim me format e tjera të prodhimit të energjisë, mirëpo ne duhet të shfrytëzojmë këtë pasuri tonën që na e ka dhuruar Zoti, sepse ndoshta pas pak dekadave këto rezerva qymyri do të bëhen të pashfrytëzueshme bazuar në direktiva të BE-së.

Sipas mendimit tim duhet të krijohen mundësi që të punohet paralelisht edhe në ndërtimin e një termocentrali të ri në Kosovë me bazë linjiti (rreth 500 MW), por edhe instalime të turbinave me erë dhe paneleve solare.

A mund të ndërtohen në liqenet e Kosovës si Batllavës, Badovcit dhe Radoniqit impiante fotovoltaike lundruese për prodhimin e energjisë nga dielli?

Po, teknikisht është e realizueshme që të ndërtohen në liqenet e Kosovës, si Batllava, Badovci dhe Radoniq. Sistemet lundruese fotovoltaike përfshijnë instalimin e paneleve diellore në strukturat lundruese, të cilat mund të vendosen në trupa ujorë në liqene ose rezervuarë ujorë. Kjo ofron një mori përfitimesh, duke përfshirë reduktimin e hapësirave tokësore për fotovoltaik, zvogëlimin e avullimit nga sipërfaqja e ujit, por edhe përmirësimin e cilësisë së ujit duke siguruar hijezim dhe reduktim të rritjes së algave.

Ndërtimi i paneleve fotovoltaike lundruese në Kosovë do të kërkonte një investim të konsiderueshëm në infrastrukturë dhe teknologji, si dhe konsideratë të kujdesshme të ndikimeve mjedisore dhe sociale.

Për më tepër, duhet shikuar drejt krijimit të hapësirave ligjore dhe rregullatore në lidhje me lejet përkatëse.

Në përgjithësi, fizibiliteti i ndërtimit të impianteve fotovoltaike lundruese në Kosovë varet nga një numër faktorësh, duke përfshirë disponueshmërinë e fondeve, nivelin e investimeve në sektorin vendor të energjisë dhe klimës së përgjithshme ekonomike. Megjithatë, nëse këto sfida mund të tejkalohen, sistemet FV lundruese mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të rritur përdorimin e energjisë së ripërtëritshme dhe për të reduktuar varësinë e saj nga lëndët djegëse fosile.

/Motilokal.com