Prezantohet insekti më i ri në Kosovë

Prezantohet insekti më i ri në Kosovë

Profesori i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Prishtinës, prof. dr. Halil Ibrahimi llojin e ri të insektit të zbuluar në Bjeshkët e Sharrit, të quajtur “Potamophylax humoinsapiens”.

Në fjalën e tij profesor Halil Ibrahimi tha se insektet kanë një rol shumë të rëndësishëm në botë, pa ekzistimin e tyre nuk ka zhvillim, duke theksuar se jeta e të gjitha gjallesave në botë varen nga insektet.

“Nëse insektet do të zhdukeshin, edhe bota për disa kohe nuk do të ekzistonte. Nga insektet varet jeta e të gjitha gjallesave. Janë 1 milion lloje të njohura të insekteve. Në Kosovë ka pasur të dhënë të pakta për insekte. 19 lloje te reja të insekteve janë zbuluar në dekadën e fundit nga departamenti i biologjisë në Universitetin Hasan Prishtina”, theksoi ai.

Profesor Ibrahimi tha se insekti “Potamophylax humoinsapiens”, është lloj unik që jeton vetëm në Kosovë, duke shtuar se ky insekt ka një rol shumë të rëndësishëm për funksionimin e lumenjve dhe pyjeve.

“Ky është lloji i fundit që ka filluar të hulumtohet që në vitin 2010, ka vazhduar me vite të tëra në teren, e laboratorë. Hulumtimi është finalizuar këtë vit. Janë lloje kyçe për funksionimin e lumenjve, pastrimin e lumenjve, me pas ujin e pastër prej burimeve. Ky insekt edhe të tjerat të ngjashme janë ajo barriera e parë që pëson nga ndotja e mjedisit, tregojnë se nuk është duke shkuar mirë me mjedisin. Rëndësia është që i identifikon dhe i përshkruan ato zona që janë anashkaluar dhe ndoten në mënyrë masive e te cilat janë të rëndësishme. Nëpërmjet këtij hulumtimi jemi duke vërtetuar atë thënie që Kosova është vatër e biodiversitetit në Evropë, që tashmë është edhe me fakte. Përmendja e këtyre hulumtimeve në botë na bënë të ndihem mirë, prej krejt këtyre hulumtimeve janë 60 punime të publikuara në revistat më prestigjioze në botë”, u shpreh profesor Ibrahimi.

Tutje ai e ka shpjeguar edhe kuptimin e emrit të cilin ia ka vënë: “Tekstualisht emërtimi ‘humoinsapiens’ vjen nga dy fjalë latine: ‘humo’ që në shqip do të thotë ‘të mbulosh me dhe, të varrosësh’ dhe ‘insapiens’ që do të thotë ‘i pamatur, i pamençur’ dhe i referohet trajtimit të pamatur të habitateve ku është gjetur lloji i ri. Shpeshherë në mjedise të tilla kemi ‘lumenj të varrosur’ në tërësinë e tyre.

“Mirëpo emërtimi ‘humoinsapiens’ që tingëllon si Homo insapiens (njeriu i pamençur) është më tepër sarkazmë me emrin shkencor të llojit njeri Homo sapiens (njeriu i urtë, njeriu i mençur). Me ‘njeriu i pamençur’ kemi dashtë me tërheqë vëmendjen në paurtësinë marramendëse të njeriut modern karshi trajtimit të mjedisit të dhënë në përkujdesje nga Zoti”, tregoi prof. Ibrahimi.

Në fund ai tha se me këto zbulime Kosova po e vërteton që është vatër e biodiversitetit në Evropë.

/Motilokal.com