Një familje e kometave rihap debatin rreth origjinës së ujit të tokës

Një familje e kometave rihap debatin rreth origjinës së ujit të tokës

Prej nga erdhi uji i Tokës? Megjithëse kometat, me bërthamat e tyre të akullta, duken si kandidatë idealë, analizat deri më tani kanë treguar se uji i tyre ndryshon nga i oqeaneve tona.

Një ekip ndërkombëtar, që përfshin hulumtuesit e CNRS (Centre national de la recherche scientifique) të Laboratorit për Studime të Rrezatimit dhe Materies në Astrofizikë dhe Atmosferë (Observatorit të Parisit - PSL / CNRS / Universitetit të Sorbonne-s / Universitetit të Cergy-Pontoise-t) dhe atat të Laboratorit të Studimeve Hapësinore dhe Instrumentacionit në Astrofizikë (Observatorit të Parisit - PSL / CNRS / Universitetit të Sorbonne-s / Universitetit të Parisit), ka zbuluar se një grup kometash hiperaktive përmbajnë ujë të ngjashëm me atë të Tokës. Studimi i datës 20 maj 2019, i botuar në revistën “Astronomy & Astrophysics”, bazohet në veçanti në matjet e kometës 46P/Wirtanen të kryer nga SOFIA - Observatori Stratosferik i NASA-s për Astronominë Infra të Kuqe.

Teoria standarde jep të kuptojmë se Toka është formuar nga përplasja e trupave të vegjël qiellorë të njohur si planetësimalë. Meqenëse këta trupa ishin të paktë në ujë, uji i Tokës duhet të ishte mbushur ose nga një planet më i madh ose nga një ‘dush’ objektesh të vogla si asteroidet apo kometat.

Për të gjetur burimin e ujit tokësor, hulumtuesit kanë studiuar raportet izotopike dhe në veçanti raportin e deuteriumit ndaj hidrogjenit në ujë, i njohur si raporti D/H (deuteriumi është formë më e rëndë se hidrogjeni). Si një kometë që i afrohet Diellit, akulli i saj sublimohet dhe formon një atmosferë të avullit të ujit që mund të analizohet në distancë. Sidoqoftë, raportet e D/H të kometave të analizuara deri tani kanë qenë në përgjithësi dy deri në tri herë më të larta se ato të oqeanit, gjë që nënkupton që kometat prodhuan vetëm rreth 10% të ujit të Tokës.

Kur kometa 46P/Wirtanen iu afrua Tokës në dhjetor 2018, ajo u analizua duke përdorur observatorin ajror SOFIA, të vendosur në një avion Boeing. Kjo ishte kometa e tretë e zbuluar që shfaqte të njëjtin raport të D/H si të ujit tokësor. Ashtu si dy kometat e mëparshme, ajo hyn te kategoria e kometave hiperaktive, të cilat me t’u afruar Diellit, lëshojnë më shumë ujë seç duhet ta lejojë sipërfaqja e bërthamës së saj. Teprica prodhohet nga grimcat e pasura me akull që gjenden në atmosferën e tyre.

Studiuesit kurreshtarë përcaktuan fraksionin aktiv (pra, fraksionin e sipërfaqes së bërthamës që kërkohet për të prodhuar sasinë e ujit të pranishëm në atmosferën e tyre) të të gjitha kometave me një raport të ditur D/H. Ata gjetën se kishte një korrelacion të kundërt midis fraksionit aktiv dhe raportit D/H të avullit të ujit. Kështu që, sa më shumë që një kometë ka tendencë drejt hiperaktivitetit (p.sh. një fraksion aktiv tejkalon 1), aq më shumë raporti i D/H zvogëlohet dhe i afrohet atij të Tokës.

Kometat hiperaktive, avulli i të cilave lirohet pjesërisht nga kokrrat e akullta të shpërthyera në atmosferën e tyre, kanë një raport D/H të ngjashëm me atë të ujit tokësor, ndryshe nga kometat me gaz halo, të cilat e prodhojnë vetëm nga akulli sipërfaqësor. Studiuesit sugjerojnë se raportet D/H të matura në atmosferën e fundit nuk janë domosdoshmërisht tregues për prezencën e akullit në bërthamën e tyre. Nëse kjo hipotezë del e saktë, uji në të gjitha bërthamat e kometave mund të jetë në të vërtetë shumë i ngjashëm me ujin tokësor, duke rihapur kështu debatin mbi origjinën e oqeaneve të Tokës. ^Marrë nga phys.org /Motilokal.com/