Kosova ende pa Ligj për veturat elektrike, vazhdon të paguhet njëjtë regjistrimi, dogana si ato me djegie

Kosova ende pa Ligj për veturat elektrike, vazhdon të paguhet njëjtë regjistrimi, dogana si ato me djegie

Nga Shkëlzen Rrecaj

Kosova është një prej vendeve që ka më së paku vetura elektrike në qarkullim. Ndërkohë që shumë shtete kanë nisur të bëjnë hapa drejt fillimit të automjeteve elektrike, kjo teknologji vazhdon të jetë e fundit në vendin tonë.

Në një përgjigje për Motilokal, Dogana e Kosovës ka bërë të ditur që në vitin 2021 janë doganuar 42 vetura të reja dhe 5 të vjetra gjithsej 48 vetura elektrike.

Viti 2022 shënon një rritje krahasuar me vitin paraprak 165 vetura të doganuara, 145 prej tyre të reja.


Numri më i madh i veturave që përdorën në vendin tonë është i atyre që përdorin naftën dhe benzinën për djegie.

Arsyet janë të shumta përse qytetarët e Kosovës dhe kompanitë e ndryshme nuk investojnë në vetura elektrike, me emetim zero të ndotjes. Një prej arsyeve është mungesa e subvencioneve nga shteti dhe çmimi i lartë i doganës, TVSH-së dhe akcizës. E për dallim nga Kosova që nuk ka lehtësira në këtë aspekt, në Shqipëri veturat elektrike janë të liruara nga dogana dhe TVSH-ja.

Edhe përkundër që disa kompani të taksive kanë filluar të investojnë në veturat elektrike kjo lë pak për të dëshiruar.

Kohë më parë në një postim në Facebook ministri i Mjedisit i Republikës së Kosovës, Liburn Aliu ka premtuar që 30 për qind e veturave do të jenë elektrike deri në vitin 2030 në Kosovë.


Lidhur më këtë se kur Kosova do të ketë lehtësira për veturat elektrike kemi dërguar pyetje ministrit Liburn Aliu, Ministrisë së Mjedisit, Zhvillimit Ekonomik dhe të Financave, kjo e fundit as haberin nuk e kishte për këtë çështje dhe të tjerët nga angazhimet e mëdha që kanë nuk kanë gjetur kohë të përgjigjen.


Ndërsa pyetjes tonë i është përgjigjur deputetja nga LVV, Fitore Pacolli, e cila është kryetare e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim në Kuvendin e Kosovës.

Ajo për Motilokal u shpreh: “Ju njoftoj se në agjendën legjislative për këtë vit është Ligji për Automjete ku do të trajtohet çështja e veturave elektrike. Tani është herët të japim informacion se si do të rregullohet sepse akoma nuk kemi draft final të projektligjit.”

Në anën tjetër Agan Hajdarhoxha, anëtar i grupit Marakli t’kerreve, për Motilokal theksoi se Kosova duhet më patjetër të merret me ligjin për automjete dhe ta ndryshoj atë, sepse ka shumë parregullsi sidomos sa i përket veturave elektrike. Sepse në vend vazhdohet të paguhet njëjtë, regjistrimi, sigurimi e dogana si për vetura elektrike si për vetura me djegie të brendshme.

Ai thotë se në shumë shtete të BE-së qeveritë kanë filluar që t’i subvencionojnë vozitësit që zgjedhin vetura elektrike, madje disa prej tyre i subvencionojnë deri në 70% të vlerës së tyre.

“Kosova është shumë mbrapa edhe shteteve të rajonit sa i përket kësaj çështje, prandaj duhet që patjetër të gjendet një modalitet sa më i favorshëm dhe qytetarët të kenë më shume arsye që të blejnë vetura elektrike”, u shpreh Hajdarhoxha.

Ndërsa ekologja Egzona Shala nga EcoZ për Motilokal deklaroi se Kosova edhe pse e lënë anash nga shumë iniciative mjedisore, nuk është e përgatitur ende për vetura elektrike.

“Premtimet e dhëna të ministrit Aliu nuk kanë filluar të marrin masë vepruese andaj mbetet si premtim”, theksoi Shala.

Ekologja Shala tha se ajo çfarë do të duhet të ndërmarrim si shtet është infrastruktura ligjore dhe incentivizimi i blerjes së veturave elektrike (TVSH, doganë e akciza të jenë të larguara, ashtu siç është premtuar) por në anën tjetër duhet edhe infrastruktura fizike të jetë në vend.

“Ndërtimi i stacioneve të mbushjes së shpejtë, ndërtimi i rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, lehtësim në blerje dhe në zhdoganim”, u shpreh Shala.

Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që të vetëdijesohen qytetarët të cilët janë ngasës të veturave që të kenë parasysh që veturat elektrike janë më të konvenueshme dhe të përshtatshme për të ardhmen si dhe ju ofrojnë një siguri dhe një kursim monetar më afatgjatë.

Automjetet elektrike janë parë vazhdimisht si armë e rëndësishme për të mposhtur ngrohjen globale. Mbetet të shihet në muajt në vijim se si do të veprojnë institucionet e Kosovës me veturat elektrike dhe jo elektrike.

/Motilokal.com