Liqeni i Shkodrës më i madhi i Evropës Jugore dhe më i vjetri në botë

Liqeni i Shkodrës më i madhi i Evropës Jugore dhe më i vjetri në botë

Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet  Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit dhe zonat ujore, ultësirat dhe formacionet karstike, ushqejnë faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë.

Pasqyra e tij ujore gjendet në një lartësi 6 metra mbi nivelin e detit, dhe ka një sipërfaqe prej 368 km², nga të cilat 149 km² me një gjatësi brigjesh prej 57 km i përkasin Republikës së Shqipërisë; ndërsa 2/3 Malit të Zi, ku me 1983 e shpalli Park Kombëtar liqenin.

Ka një breg shumë të larmishëm të tipit të ultë të “marsheve” në veri dhe shkëmbor në jug. Në bregun jugor shquhen plazhet në rrugën nga Shkodra për në Shirokë e Zogaj, ku më i madhi është Zalli i bardhë. Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është padyshim pelikani, zogu më i madh në Evropë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin jug-lindor shtrihet Shkodra, nga ku merr edhe emrin.

Në këtë liqen nga ana malazeze derdhet lumi i Moraçës e nga ana shqiptare, në mes të rrugës Shkodër-Shirokë merr formë lumi Buna si vazhdim. Bregu i tij është 11 milje me shtrirje nga lindja në perëndim. Pranë liqenit është Taraboshi. Pak para derdhjes së Drinit në Bunë, ndodhen 10 dajane për gjuetinë e peshkut; më të famshmit janë krapi, qefulli, ngjala dhe blini. Fitimet nga këta dajlanë derdhen në arkën e kështjellës.


Liqeni i Shkodrës është i pozicionuar në veriperëndim të Republikës së Shqipërisë, në drejtim të dinaridëve, përkatësisht drejtimin e shtrirjes e ka veriperëndim-juglindje. Edhe pse gjendet në trojet shqiptare, në tërësi nuk është i përfshirë në territorin e shtetit aktual shqiptar. Me pjesën më të madhe veriperëndimore, i takon shtetit të Malit të Zi dhe me atë më të vogël, juglindore, i takon Shqipërisë.

Liqeni është i rrethuar me male të larta. Në verilindje të liqenit ngrihet masivi i Bjeshkëve të Nëmura, kurse në jug e juglindje lartësohen malet Tarabash (595 m), Rumia (1593 m), Sutorman (1188 m) dhe Sozina (992 m). Në veriperëndim lartësohen shpatet e malit Llovqen, kurse në veri shtrihet Rrafshira e Zetës.

Formën liqeni e ka të një elipse të zgjatur. Gjatësia arrin 44 kilometra, kurse gjerësia rreth 14 km. Madhësinë liqeni e ka të ndryshme, varësisht nga sasia e ujit që pranon gjatë sezonit të lagështisë.

Gadishuj më të mëdhenj janë: Obid me lartësi absolute prej 171 metra dhe Petrova Ponta me një lartësi absolute prej 237 metra (në territorin e Malit të Zi). Përgjatë kufirit me Shqipërinë gjendet një pjesë e ndarë e liqenit me emrin Humsko blato. Gjatësinë e ka 12 kilometra, kurse gjerësinë 2.5 kilometra. Gjatë nivelit të lartë këneta bashkohet me liqenin dhe përbëjnë një tërësi. Pastaj ekzistojnë edhe disa këneta të tjera, por më të vogla.

Nëse ngjiteni në Kalanë e Rozafës, do keni një panoramë vërtet të rrallë të liqenit dhe pikës ku Buna degëzohet deri në takimin me lumin Drin dhe Kir. Bregu i Ranës, Bishtiqendia, Shegani apo Stërbeqi, janë disa nga zonat e tjera turistike përreth liqenit që ja vlen t’i vizitoni.

/Motilokal.com