Ta njohësh Kosovën nga tregimi i një guide: Historia e fshehur e një vendi të bukur

Ta njohësh Kosovën nga tregimi i një guide: Historia e fshehur e një vendi të bukur

Padyshim që deti është njëri prej destinacioneve kryesore që iu vije në mend njerëzve kur bëhet fjalë për t’i kaluar pushimet verore. Mirëpo, anipse Kosova nuk ka det, ajo ka shumëçka për t’iu dhuruar turistëve, të cilët vendosin ta vizitojnë atë dhe t’i shijojnë bukuritë e saj.

Një rol të rëndësishëm për promovimin e turizmit e luajnë edhe guidat - udhërrëfyesit. Për të kuptuar më mirë punën e tyre motilokal.com zhvilloi një intervistë me guidën nga Prishtina, Muamer Hasanin.

Në këtë intervistë me Muamerin, diskutuam rreth rolit dhe sfidave të guidave turistike në vend.

Ai tregoi për sfidat me të cilat ballafaqohen guidat në Kosovë, duke theksuar se shumica e udhërrëfyesve këtë punë e kryejnë si punë të dytë.

Sa i takon rolit të guidave, Muameri theksoi se ata kanë përgjegjësi të mëdha për të dhënë informacione të sakta dhe për të ofruar një përvojë të këndshme për turistët. Guidat i ndihmojnë turistët që ta eksplorojnë historinë dhe kulturën e vendit.

Po ashtu, Muameri na sjell disa përvoja dhe rrëfime interesante nga turistët e huaj që tashmë pothuajse çdo ditë i shohim nëpër rrugët apo bjeshkët e Kosovës.

Ju ftoj ta lexoni intervistën dhe ta shihni se si është të jesh udhërrëfyes i bukurive të Kosovës.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Muamer, ju kemi parë vazhdimisht që kritikoni punën e guidave apo të atyre që s’kanë të bëjnë fare më këtë punë që “plaçkitin” turistët, që nuk i dërgojnë në vendet e duhura. Si është puna, si funksionon apo duhej të funksiononte një guidë?

Në fakt, kur flasim për guida apo për udhërrëfyes, sipas ligjit parashihet që emërtimi adekuat për ciceron apo për guidë është udhërrëfyes. Ajo është një punë e këndshme po në të njëjtën kohë ka edhe përgjegjësi. Ashtu siç ju e përmendët puna e guidave apo udhërrëfyesve të huaj është goxha e ndjeshme. Është e ndjeshme ngaqë në të njëjtën kohë edhe dëmtohemi ekonomikisht nga gudiat e huaja. Po ashtu, në të njëjtën kohë që është ende më e rëndësishme, ta quaj prej një këndi pak më ndryshe, ndryshohet edhe historiku i Kosovës. Udhërrëfyesit të cilët vijnë në Kosovë nuk e lodhin kokën shumë në ofrimin e informatave të sakta rreth temave të të caktuara. Shpeshherë më ka ndodhur ta bëj si test, me grupet të cilat nuk kanë guida lokale në Kosovë, duke i pyetur turistët se cilat janë informata që u janë ofruar atyre. Zakonisht janë huqje totale domethënë 70 për qind na kanë thënë që janë shqiptarë ose 23 për qind janë serbë ose diçka e tillë. Kur i dëgjon këto, është e frikshme se çfarë informatash u jepen edhe pse ndoshta nuk çojnë peshë në kuptimin e asaj, sepse ai nuk ka ndonjë rol ose diçka, mirëpo njerëzit të cilët vijnë në Kosovë duhet që të paktën t’u servohen informata korrekte apo zyrtare se ku qëndron shteti i Kosovës

Me çfarë sfidash ballafaqoheni si guidë në Kosovë dhe si i adresoni ato?

Sfidat janë të shumta sikurse në çdo sektor në Kosovë. Njëra prej sfidave është se pothuajse të gjithë udhërrëfyesit këtë punë e kanë sekondare. Është e pamundshme të mbijetojmë prej kësaj pune. Sfidë tjetër është se nuk punojmë si guidë gjatë gjithë kohës dhe se guidat e huaja janë ata që e marrin punën tonë. E treta, puna e guidave është diçka që ndryshon gjatë gjithë kohës. Kjo nënkupton që ky profesion duhet të përditësohet, duhet bërë trajnime shtesë, pra një punë që nuk është statike. Për shembull, unë punoj me një vend ku ka ndodh që të pres vizitorë që kanë qenë të verbër edhe unë nuk kam ditur se si të sillem, sepse në rastet klasike në muze i thua e sheh këtë derë ose a e sheh këtë pikturë, a skulpturë. Në raste si këto duhet pasur komunikim krejtësisht tjetër. Këto janë finesat që si udhërrëfyes duhet zotëruar dhe për këtë duhet që paraprakisht të trajnohesh. Pastaj të mos flasim për çështje të tjera që janë më sensitive siç rëndom janë raportet diplomatike ose politike të Kosovës me ndonjë shtet tjetër. Ngjashëm, edhe për këtë duhet ndjekur trajnime. Përveç pasjes së informatave të cilat ia transmeton dikujt, në të njëjtën kohë duhet njohur edhe kulturën e atyre që e vizitojnë Kosovën.

Sa ka ndryshuar turizmi në Kosovë gjatë viteve të fundit dhe si ka ndikuar roli i guidave?

Turizmi në Kosovë gjatë viteve të fundit më thënë popullorçe është duke u bërë mirë e ma mirë. Përveç periudhës së pandemisë, e cila sektorin e turizmit jo që e ka ngulfatur, por e ka mbytë. Por, prapë kemi njëfarë rikthimi në normalitet megjithëse lufta në Ukrainë e ka pasur impaktin e vet. Vitin e kaluar prej disa grupeve që i kam pasur personalisht janë anuluar shkaku i krizës dhe mosnjohjes së hapave të ardhshëm në konfliktin në Ukrainë. Kur flasim për këtë çështje guidat zakonisht e marrin një program, i cili jepet prej një tur-operatori ose prej një agjencie të caktuar, ne luajmë vetëm rol përcjellës. Pra, agjencitë që i sjellin turistët ua caktojnë pikat të cilat do t’i vizitojnë, ne si guida nuk kemi ndonjë interinar se si kishim pasur dëshirë ne që t’i drejtojmë. Zakonisht kontaktohemi nga një operator, agjenci apo prej ndonjë ambasade në vend, ta japin planin e tyre dhe kaq.

Cilat janë destinacionet më të preferuara për turistët në Kosovë dhe pse?

Destinacionet më të preferuara në Kosovë nga turistët është Prishtina, Prizreni dhe Peja. Prishtina është kryeqytet dhe është i patejkalueshëm dhe statistikisht Prishtina ka më së shumti turistë, pastaj vjen Prizreni. Prizreni ka rolin e kryeqytetit historik, që është një kombinim i shtresave të ndryshme, i civilizimeve të cilat i gëzon ky qytet, duke cekur edhe bukurinë që e ka. Pastaj Peja me bukuritë e saja malore, e cila kur vjen puna te turizmi malor në Kosovë është goxha mirë, por mund të bëhet edhe më mirë. Gryka e Rugovës mbetet një destacion i turistëve. Në Pejë është investuar shumë qoftë nga komuna apo niveli qendror. Janë disa ‘zipline’, me një fjalë kur vjen puna te turizmi aventurier është shumë përpara. Nuk duhet tejkaluar për asnjë moment edhe Gjakovën, Artanën, e cila për mendimin tim është njëfarë thesari i fshehtë – njëlloj i “Hidden Games’ të Kosovës. Në Artanë mund të gjesh kombinimet e të gjitha këtyre që i përmendëm Prishtinën, Prizrenin... Ke një kala, pastaj ka turizmin malor, kulturor, hiking dhe është fare pranë Prishtinës. Po ashtu, kjo pjesë mund të përdoret edhe gjatë dimrit si ski qendër. Është vend i bukur dhe shumë afër kryeqyteti, por që ka mbetur pa kurrfarë investimi dhe si e tillë përbën deri diku problem për ta plasuar ose shitur si një pako turistike. Duhet ta cekim edhe Mitrovicën për truizmin e errët. Jo tek ne, por në botë turizmi i errët është popullor dhe në trend. Zakonisht vizitohen vendet ku ka patur ndonjë tragjedi natyrore ose lufte. Tani edhe tek ne kanë filluar të kemi kërkesa që të vizitohet edhe Mitrovica. Vizita deri te ura që e ndan qytetin në dysh. Thjesht, është vend fantastik. Fantastik në kuptimin që i plotëson të gjitha kriteret për turizmin e errët.

A mund t’na tregoni se cilat janë mënyrat më të mira për të eksploruar kulturën dhe historinë e Kosovës duke udhëtuar me një guidë?

Puna e guidës është që ta ndjekë rrugën më të sigurt, më të shkurtër, ai i di detajet, fshehtësitë edhe informatat për monumentin ose për natyrën. Prandaj, në botën e turizmit, guida është pjesë e pandashme, sepse ai është njeriu kompetent që kujdeset jo vetëm për sigurinë, por edhe për informatën e saktë objektive si dhe për humorin e turistëve. Si i tillë guida është i patejkalueshëm në zinxhirin e turizmit. Ka raste ku grupet të cilat vijnë nga vendet nordike, apo ato që vijnë nga Japonia insistojnë që ta kenë gjithmonë guidën lokale. Nuk ka shans me turistët e vendeve nordike apo të Japonisë të mos ketë guidë lokale. Në të njëjtën kohë e pasuron, por në të njëjtën kohë merr informata të dorës së parë në vendin të cilin po e viziton.

Prishtina nuk ofron shumë për ta vizituar përveç shijimit të makiatos dhe pak objekteve të trashëgimisë kulturore. Por, cilat atraksione jashtë qytetit do të këshillonit t’i vizitoni për të përjetuar bukurinë natyrore të Kosovës?

Fatkeqësisht, kryeqyteti është dëmtuar shumë prej regjimit komunist. Pra, një pjesë e madhe e pjesës vjetër të qytetit është shkatërruar nga komunistët, por për hir të së vërtetës edhe një pjesë e tyre është dëmtuar edhe nga vet ne pas luftës 98-99. Ajo çka mund të vizitohet në Prishtinë është pjesa e vjetër e qytetit prej muzeut Etnologjik, Xhamia e Madhe, Sahatkulla deri tek Xhamia e Çarshisë përfshirë edhe Muzeun Kombëtar. Pastaj fillon pjesa brutaliste apo periudha e komunizmit që fillon prej sheshit Adem Jashari (ish-përmendorja Bashkim-Vllaznimi) vazhdon deri te katedralja ku futet edhe Biblioteka Kombëtare së bashku me New Born. Mirëpo, Prishtina si e tillë, si qendër kulturore ekonomike administrative është e patejkalueshme. Çfarë kemi afër Prishtinës? Për shembull afër Prishtinës e kemi Artanën siç e ceka më parë. Afër Prishtinës ka edhe plot vende të tjera që mund të vizitohen jo vetëm nga të huajt por edhe nga vendorët. Në rajonin e Gollakut janë disa kështjella, Kalaja e Keqekollës apo shtëpia e Mulla Ademit, Xhamia e Prapashticës një xhamie autentike e shekullit 19-të. Të gjitha këto që po i përmendi fatkeqësisht janë në gjendje shumë të keqe. Kështu që gjatë vizitave mund të shijohet natyra edhe pak a shumë arkitektura e asaj periudhe të shekullit të 19-të ose fundit të shekullit të 18-të. Duhet bërë më shumë investime. Kosova ka çfarë ofron si për nga bukuritë natyrore dhe ato kulturore. Por, mjerisht nuk ka investime. Nëse ty të rekomandohet vizita e një monumenti, ju do të hasini në probleme për ta gjetur atë, nuk ka as shtigje për të arritur atje, nuk ka as informata, madje as edhe një tabelë orientuese.

Si ndiheni ju si guidë kur ndihmoni turistët të shohin dhe të kuptojnë më mirë historinë dhe sfidat e sotme të Kosovës?

Ky është profesioni ynë. Kjo është për çfarë na edhe kontaktohemi. Ne jemi ata që duhet të japim informata të dorës së parë, informata zyrtare përreth një ngjarjeje, vendi apo monumenti. Ne ndihemi të kompletuar, sepse ne jemi të përgatitur për ta kryer këtë detyrë. Gjithashtu, është interesante se kur punon si guidë krijon kontakte të reja, shoqëri të reja, pastaj dëgjon rrëfime të ndryshme për përjetimet e tyre të shumta. Kam pasur rastin të takoj turistë që kanë vizituar Shqipërinë në vitin 1988. Personi i cili kishte vizituar Shqipërinë në atë kohë, ka qenë në aeroplanin e dytë që ka ateruar me turistë të huaj. Në përgjithësi është si profesion tejet i rëndësishëm, me shumë përgjithësi, por në të njëjtën kohë është edhe shumë atraktiv.

Turistë nga vende e kultura të ndryshme, a mund të ndani me ne disa nga përvojat më të veçanta që keni pasur si guidë në Kosovë? A mund të na tregoni një histori interesante?

Në vitin 2018 kam udhëhequr një grup me anglezë. Njëri prej tyre më tregoi një histori shumë interesante. Ky e kishte vizituar Kosovën në vitin 1967. Në vendin tonë kishte hyrë nga Mali i Zi dhe kishte shkuar në Çakor. Ajo çfarë e bën interesante këtë gjë është se qysh atëherë ishte temë demarkacioni dhe Çakori. Në fakt ky ishte profesor në Kembrixh, njëri prej universiteteve të famshme në botë. Ai e largoi komplet dilemën se Çakori a i takon Kosovës, apo jo. Ai saktësoi se Çakori ka qenë brenda territorit të Kosovës.

Si e konsideroni rolin tuaj si guidë në promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe të kulturës së Kosovës?

Kur flasim për një turizëm të qëndrueshëm, kjo duhet të jetë njëra prej qëllimeve tona primare.  Është një sektor që i përket vendeve ku turizmi është industri fitimprurëse. Tek ne është problem të flitet për një turizëm të të qëndrueshëm. Qytetarët e huaj kanë dëgjuar për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, por nuk e kanë dhe fort të qartë se çfarë të pyesin, apo me çka do të ballafaqohen kur të mbërrijnë këtu. Ata e dinë se ka pasur luftë në këto anë, vijnë me paragjykime, rezerva, mirëpo në momentin uljes së aeroplanit apo arritjes së autobusit në Kosovë, qasja e tyre ndryshon qind për qind.

Muamer, a ka ndonjë mungesë të mbështetjes dhe infrastrukturës për guidat në Kosovë? Nëse po, si ndikon kjo në punën tuaj?

Për hir të së vërtetës vitin e kaluar është miratuar Ligji i turizmit, ndërsa në këtë vit ka përfunduar Udhëzimi Administrativ. Ne tash mundemi të aplikojmë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për regjistrim si udhërrëfyes, me këtë rast parashihet me ligj kufizimi, ndalimi i operimit të guidave dhe udhërrëfyesve të huaj në Kosovë. Kosova po bëhet vend më i sigurt që po e mbron edhe vetë profesionin e guidave. Pas këtij udhëzimi do të shohim se si do të veprohet, çfarë bashkëpunimi do të kemi me inspektoratin e punës. Kjo është shumë e rëndësishme në kuptimin e parandalimit ose pengimit të operimit të udhërrëfyesve ilegalë. Hëpërhë, sipas ligjit është gjithçka në rregull, por sa do të ketë sukses zbatimi i tij në praktikë mbetet të shihet?

A keni hasur ndonjëherë turistë të pamërzitshëm ose të papërgatitur? Si i trajtoni ata dhe si përpiqeni t'i ktheni eksperiencat e tyre në pozitivitet?

Njerëzit shpeshherë kanë paragjykime ose presin diçka më shumë për atë vend që e vizitojnë. Zakonisht ndodh me turistët që vijnë nga Serbi. Atyre iu rekomandohet që të mos vizitohet vendi ynë, sepse është një vend i pasigurt, se mund të kidnapohen, të vidhen, etj. Në këtë drejtim nuk ka nevojë absolutisht asgjë të ndërmerret, përveçse t’i lëmë pak orë të shëtitën nëpër Kosovë dhe të binden se Kosova është një nga vendet më të sigurta ndoshta edhe në krejt Evropën. Ne nuk kemi nevojë ta ngrehim zërin ose të bëjmë mrekulli për të treguar se Kosova nuk është aspak se çfarë ata kanë lexuar, kanë parë nëpër media, apo se çfarë iu kanë thënë. Sa i përket mikpritjes dhe sigurisë ata janë më të sigurt se sa në vendet e tyre dhe se është top destinacion në Evropë dhe jashtë saj.

A kanë qytetet apo komunat e Kosovës guidë dhe zyrë informacioni për turistë apo duhej të kishin?

Qyteti i Pejës është shembull. Ky qytet i ka dy ose tri zyra informative për turistë, është pionier në këtë drejtim. Prishtina nuk e ka asnjë. Njëherë e ka patur një zyrë informative për turizëm, e cila ka qenë në shesh. Ajo është djegur dhe është shndërruar në ËC publike. Komuna në bashkëpunim me një organizatë të huaj e ka bërë dizajnimin e një qendre të informacionit, por le të shohim se kur do të vendoset në shesh. Në kushte normale do të duhej të ishin nëpër sheshe e stacione të autobusëve, në aeroport, pra aty ku është frekuentimi më i madh i turistëve dhe qytetarëve të huaj. Kjo është vija e parë ku ballafaqohesh me turistët.

Dhe për fund, ju jeni shpesh organizator për pastrimin dhe mbrojtjen e ambientit, po ashtu ka një shqetësim se edhe guidat po kontribuojnë në ndotje gjatë ecjes në natyrë me turistë. Çfarë këshille apo sugjerimi keni për këta persona?

Është e vërtetë! Unë jam edhe anëtar i një organizate “Alternativa e Gjelbër” jemi një grup shoqëror që dalim nëpër parqe, përreth monumente të vjetra. Kur shohim se ato janë në gjendje të rënduar, apo ka shumë mbeturina, atëherë fillojmë pastrimin e tyre. Në këtë rast më shumë gishtin e kisha drejtuar te vizitorët vendas sesa tek ata të huaj dhe kjo bëhet më shumë nga ata që shkojnë me shoqëri ose me familje në piknik. Ka pasur raste kur me “Alternativën e Gjelbër” kemi bërë pastrimin e Ujëvarës së Mirushës, ku brenda një dite i kemi larguar mbi 140 qese të mbeturinave 100 litërshe apo tre kamionë. Mirusha ishte shndërruar në deponi mbeturinash. Po ashtu, kemi bërë pastrimin disa herë të liqenit të Badovcit. Kultura e një vendit shihet se si trajtohet ambienti, monumentet, qyteti dhe monumentet kulturore në atë vend. Për shembull, afër një xhamie është krijuar një deponi e mbeturinave, pastaj te teatrit ku ka afishe ku thotë ju lutem mos hidhni mbeturina. Këtu duhet bërë njëfarë analize pak a shumë psiko-sociale se cilët janë faktorët që i shtyjnë njerëzit të hedhin mbeturina. Mirëpo, nuk bën asnjëherë të dorëzohemi, pavarësisht se dikush mund të thotë përse duhet heq mbeturinat e tjetërkujt. Një gjë është e sigurt, Kosova është e jona. Ne duhet të kujdesimi dhe ta japim imazhin më të mirë për vendin tonë. Duhet të jemi shembull për gjeneratat e ardhshme, duke filluar nga fëmijët tanë.

/Motilokal.com