Filmohet rrëqebulli i Ballkanit në Kosovë

Filmohet rrëqebulli i Ballkanit në Kosovë

Të shohësh rrëqebullin e Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) në natyrë konsiderohet shumë e rrallë.

Kushdo që arrin ta shikojë dhe aq më tepër ta fotografojë apo filmojë, është me fat, pasi surpriza të tilla nuk ndodhin çdo ditë.

Një fat pakëz më ndryshe e pati edhe fotografi i njohur  botë së egër Arian Mavriqi, i cili përmes kamerave kurth ka arritur ta dokumentoj pranin e rrëqebullit në Malet e Sharrit. Së shpejti edhe pamjet do të publikohen nga fotografi.


Rrëqebulli (Lynx lynx balcanicus Buresh, 1941) për nga pamja e jashtme është i ngjashëm me macen e egër dhe atë shtëpiake, por ka madhësi më të madhe.

Sipas shënimeve të autorit Daut Rexhepaj në Librin e Kuq, thuhet se gjatësia e Rrëqebullit është prej 80 deri në 130 centimetra, kurse pesha rreth 32 kilogramë. Mashkulli është më i madh se femra. Trupi është i mbuluar me qime të buta dhe të dendura.

Gjatë verës, ngjyra e trupit është më e ndritshme, e verdhë ose me nuanca të arit, kurse gjatë dimrit është më e mbyllët në të kuqërremtë.

Është shtazë shumë e shkathët, lëvizë natën, por edhe ditën brenda territorit deri në 25 km, të cilin e shënjon me anë të jashtëqitjeve. Ushqehet me gjitarë, por edhe me shpendë. Ky lloj jeton deri në 18 vjet.

Lloji i habitatit: 1. Pyje (1.4. Pyjet të klimës mesatare); 3. Shkurre (3.4 Shkurre të klimës mesatare); 4. Kullosa (4.4. Kullosa të klimës mesatare).

Rrëqebulli banon në zonat malore, duke filluar nga 700 metra e deri në 2500 metra lartësi mbidetare të tipit alpin, duke u ambientuar në klimën e tipit boreal. I preferon vendet shkëmbore dhe të thyeshme, të qeta dhe larg vendbanimeve.

Përhapja e përgjithshme

Rrëqebulli ballkanik është endemik i Ballkanit. Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni, Shqipëri (Breitenmoser-Würsten & Obexer-Ruf 2003).

Përhapja në Kosovë

Reka e Allagës, Koshutan, Mbi fshatin Bogë, Tek hidrocentrali në Deçan.

Popullata

Trendi i popullatës: Në rënie Popullatat janë në rënie e sipër në të gjithë arealin e përhapjes.

Ky lloj është vlerësuar në kategorinë: Skajshmërisht i Rrezikuar, për shkak të reduktimit të vëzhguar të popullatës në të kaluarën, ku shkaktarët e rënies mund të mos kenë pushuar ende, bazuar në vëzhgimin direkt dhe rënien e cilësisë së habitateve të përshtatshme për llojin. Rënia e vazhdueshme e vëzhguar bazohet në numrin e individëve të rritur, që është më pak se 50.

Lista e kërcënimeve: 4 Korridoret e transportit dhe shërbimit (4.1 Rrugët dhe hekurudhat); 5 Përdorimi i burimeve biologjike (5.1 Gjuetia dhe mbledhja e kafshëve tokësore: 5.1.1 Përdorimi i qëllimshëm (lloji që vlerësohet është i synuar), 5.3 Prerja dhe vjelja e pyjeve). 6 Ndërhyrjet njerëzore dhe shqetësimet (6.2 Luftëra, trazira civile dhe stërvitje ushtarake); 7 Modifikimet e sistemeve natyrore (7.2 Digat dhe menaxhimi/ përdorimi i ujit); 8 Llojet invazive dhe të tjera problematike, gjenet dhe sëmundjet (8.3 Materiale të futura gjenetike). Kërcënimet kryesore për rrëqebullin ballkanik kanë të bëjnë me popullatën e vogël, bazën e kufizuar të presë për të, degradimin e habitatit dhe gjuetinë pa leje. Prerja e pyjeve, gjithashtu, është një faktor i rrezikimit të popullatës së këtij lloji.

Lloji është i mbrojtur (Udhëzimi Administrativ Nr. 18/2012 Për Shpalljen e Llojeve të Egra të Mbrojtura dhe Strikt të Mbrojtura).

Prania e këtij lloji është tregues i cilësisë së njëmendtë të habitatit dhe mbrojtja eventuale e llojit siguron efekt mbrojtës për lloje të tjera dhe lokalitetin/lokalitetet ku gjendet.

/Motilokal.com