Ja sa hapa në ditë janë të mjaftueshme për të qenë të shëndetshëm

Ja sa hapa në ditë janë të mjaftueshme për të qenë të shëndetshëm

Prej kohësh është thënë se 10,000 hapa në ditë është numri magjik që ju nevojitet për të qëndruar në formë dhe të shëndetshëm, por një studim i ri tregon se më pak se 5,000 mund të jenë të mjaftueshëm për të parë përfitimet e një ecjeje të shëndetshme.

Duke analizuar jetesën e më shumë se 226,000 njerëzve në mbarë botën tregoi se 4,000 hapa ishin të mjaftueshme për zvogëlimin e rrezikut të vdekjes së parakohshme për shkaqe të ndryshme. Pak më shumë se 2300 janë të mjaftueshme për të pasur zemër dhe enë gjaku të shëndetshme.

Sa më shumë hapa të bëni, aq më shumë përfitime shëndetësore shihen, thanë studiuesit.

Çdo 1000 hapa shtesë përtej 4000 ul rrezikun e vdekjes së hershme me 15%.

Ekipi nga Universiteti Mjekësor i Lodz-it në Poloni dhe Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit Johns Hopkins në SHBA zbuloi se përfitimet e ecjes ishin efikase për të gjitha gjinitë dhe moshat, pavarësisht se ku jetonin. Megjithatë, përfitimet më të mëdha u panë tek mosha nën 60 vjeç.

Profesor Maciej Banach, nga universiteti Lodz tha: “Unë besoj se duhet të theksojmë gjithmonë se ndryshimet në stilin e jetës, duke përfshirë dietën dhe stërvitjen, që ishte fokusi kryesor i analizës sonë, mund të jenë të paktën po aq, ndoshta edhe më shumë efektive në reduktimin e rrezikut kardiovaskular dhe zgjatjen e jetës, sesa medikamentet dhe trajtimet”.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aktiviteti fizik i pamjaftueshëm është përgjegjës për 3.2 milion vdekje çdo vit, shkaku i katërt më i shpeshtë në mbarë botën.

Honey Fine, trajnere personale dhe instruktore për një kompani globale të fitnesit theksoi problemet që vijnë nga jeta pasive.

“Mund të ngadalësojë metabolizmin tuaj dhe të ndikojë në dobësimin e forcës së muskujve, gjë që mund të shkaktojë dhimbje”, tha ajo për BBC.

“Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë mund të shkaktojë gjithashtu të gjitha llojet e problemeve të shpinës, ne e hasim këtë sidomos të njerëzit që punojnë në zyrë, që shpina e tyre vihet vazhdimisht në një pozicion të ngjeshur të stresuar që shkakton shumë më tepër probleme më vonë në jetë.”

/Motilokal.com