S'ka me vjedh më ujin! Intervistë me Arjeta Mjeku prijësen e aksioneve kundër keqpërdoruesve të ujit

S'ka me vjedh më ujin! Intervistë me Arjeta Mjeku prijësen e aksioneve kundër keqpërdoruesve të ujit

Keqpërdorimi i ujit si dhe mospagesa e faturave ka detyruar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” që të marrë masa ndaj konsumatorëve të saj në disa lokacione të ndryshme në zonën që ofron shërbime.

Përveç inspektorëve dhe stafit menaxhues të kësaj kompanie, aksioneve po iu prinë edhe zëdhënësja për media e KRU “Prishtina” Arjeta Mjeku.

Motilokal ka zhvilluar një bisedë për t’u njoftuar më shumë rreth këtij aksioni,

Në këtë intervistë ajo ka treguar edhe shifrat aktuale të borxheve të ujit, duke përfshirë amvisërinë dhe bizneset si borxhlinjtë më të mëdhenj. Po ashtu, ajo ka treguar se aksioni për shkyçet ilegale ka patur ndikim të madh në të hyrat financiare, ku ka falënderuar edhe mediat për këtë ndikim.

Tutje ajo ka theksuar se kyçjet ilegale më së shumti po e rëndojnë furnizimin me ujë të pijshëm qytetarët e përgjegjshëm, sidomos ata që janë të rregullt me pagesa dhe që ujin e shpenzojnë në mënyrë të drejtë.

Në fund znj. Mjeku ka një thirrje për të gjithë konsumatorët dhe ata që janë kyçur ilegalisht.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Znj. Mjeku, KRU “Prishtina” ka nisur një aksion për identifikimin e kyçjeve ilegale dhe borxhlinjve. Si po shkon ky aksion, sa kyçje ilegale keni hasur deri më tani dhe sa është numri i borxhlinjve, po edhe borxhi në total? 

Aksioni për identifikimin e kyçjeve ilegale ka nisur më intensivisht në qershor, por edhe fushata e shkyçjeve ilegale e ka bërë të veten, pasi keqpërdoruesit janë ndjekur vazhdimisht nga inspektorët e KRU “Prishtina”. Megjithatë, publikimi i rasteve e ka arritur qëllimin tonë, që nuk tolerojmë më kyçje ilegale, ngase është antiligjore dhe si pasojë po humbasin durimin konsumatorët e përgjegjshëm. Kyçjet ilegale janë faktori kryesor i rëndimit të furnizimit me ujë, pasuar nga infrastruktura dhe rritja e vazhdueshme e numrit të konsumatorëve.

Borxhi total tejkalon 45 milionë euro, përfshirë amvisërinë me 40 milion dhe bizneset me mbi 5 milion, derisa institucionet kanë vonesa, mirëpo janë më të rregullt në pagesa.

Cili është efekti i aksionit për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe bizneseve përkitazi me lajmërimin e regjistrimit të orës dhe pagesave të faturave? A janë rritur të hyrat pas ndërmarrjes së aksionit kundër kyçjeve ilegale?

Po, kemi tendencë të rritjes së të hyrave. Rritja e të hyrave ka nisur pas aksioneve të marra në dy muajt e fundit. Por, më këtë rast mediat duke e përcjellë aksionin tonë kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e të hyrave, meqenëse shkyçja e përcjellë përmes mediave po e bën më të fuqishëm aksionin duke iu dhënë zë konsumatorëve të përgjegjshëm.

Shpeshherë në këso lloj aksionesh ka edhe pakënaqësi. A ka patur ndonjë rezistencë nga ana e qytetarëve apo bizneseve ndaj punëtorëve të KRU “Prishtina” për të ndaluar shkyçjen ilegale të ujit? Si i keni menaxhuar këto situata?

Krahasuar me vitet e kaluara, vitin e fundit nuk kemi hasur në ndonjë rezistencë të theksuar, me përjashtim të një rasti në Shtime. Ritheksojmë që nuk na ndalë asnjë sulm verbal apo fizik, nuk ka gjë që mund ta pengojë aksionin tonë në përndjekje të keqpërdoruesve. Aksioni do të vazhdojë dhe nuk do të ketë mbarim, ngase e kemi rritur dhe do ta rritim numrin e inspektorëve, të cilët do të merren enkas me inspektimin dhe identifikimin e personave të papërgjegjshëm, duke e cekur si një ndër neveritë më të mëdha, ujitjen e disa hektarëve të tokës punuese me ujë të pijshëm. Në raste të tilla përveç që shkyçen nga sistemi i furnizimit me ujë, keqpërdoruesve po i ushtrohet kallëzim penal. Sipas Kodit Penal të Republikës se Kosovës, vjedhja e ujit dënohet madje deri në 3 vjet burg.

Një nga sfidat në këtë fushë është ndërgjegjësimi i qytetarëve. A keni filluar ta përdorni ndonjë metodë për ta sensibilizuar komunitetin për rëndësinë e përdorimit të ligjshëm dhe të qëndrueshëm të ujit?

Sa i përket ndërgjegjësimit të qytetarëve për përdorim të ujit, ne kemi filluar kampanjën "Tenda 2023" në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë 7 ditë dhe 2 ditë në Fushë Kosovë. Përmbyllja ka qenë më 19 gusht 2023. Qytetarët janë njoftuar për se afërmi me shërbimet tona, duke filluar nga teknologjia, respektivisht pagesa e ujit përmes aplikacionit e-krup në iOS dhe Android, pastaj kanë pasur mundësi të marrin informacione për borxhet, faturimin, ujëmatësit, etj. Aty janë shpërndarë edhe Karta e Konsumatorit më të drejtat dhe obligimet ligjore.

Disa lagje në Prishtinë po ballafaqohen me reduktime të ujit si pasojë e keqpërdorimit. Pse duhet të penalizohet ai që e paguan ujin e pijshëm për shkak të atij që nuk e paguan?

Ndërkaq, sa i takon reduktimeve, mund të theksoj se janë disa zona të pasluftës që kanë reduktime si Veterniku dhe disa lagje të Podujevës. Një gjë që jemi duke e bërë është zgjerimi i infrastrukturës, sepse nuk ka kapacitete për të përballuar një rritje kaq të madhe të konsumatorëve në zonat urbane dhe rurale. Rritja e vazhdueshme e konsumatorëve në zonën e shërbimit i bënë të pamjaftueshme burimet e ujit që i kemi në dispozicion. Asnjë person, kur ka plane për ndërtimin e shtëpive nuk pyet se a do ketë ujë apo jo? Pastaj shumë kyçje ilegale janë në ato zona ku ka mungesë uji. Ne nuk penalizojmë askënd, por ajo çfarë ne po bëjmë janë inspektimet e kyçjeve ilegale nga persona të papërgjegjshëm, të cilët pa kurrfarë mëshire ndërtojnë shtëpi me ujë të pijshëm, ujisin arat me ujë të  pijshëm dhe kjo vërtet është shqetësuese.

Cilat janë planet e KRU “Prishtina” për të vazhduar luftën kundër kyçjeve ilegale të ujit? A e keni në plan zgjerimin e këtij aksioni edhe më shumë?

Ky aksion do të marrë përmasa të mëdha, ngase së shpejti do të punësojmë edhe disa inspektorë, me ç’rast nuk do të mbetet shtëpi, banesë a biznes që nuk do të inspektohet nga ne.

Nuk tolerojmë më vjedhje të ujit!

Për fund, cili është mesazhi juaj për qytetarët dhe bizneset në lidhje me përdorimin e ligjshëm të ujit, ndikimin që e ka në jetën e tyre dhe te komuniteti në tërësi?

Mesazhi ynë: Paguani me rregull faturat e ujit, sepse ka një kosto të lartë trajtimi i ujit dhe shpërndarja deri te konsumatori, pagesa e energjisë elektrike është e lartë si shkak i funksionimit të impianteve, stacioneve të pompimit, etj! Mos u kyçni në rrjetin e ujësjellësit pa e marrë paraprakisht pëlqimin nga ne! Mos abuzoni me ujin e pijshëm, sepse pasojat do të jenë të mëdha në zhvillimin ekonomik të vendit, derisa një pjesë e madhe në botë vdesin nga mungesa e ujit të pijshëm!

Vetëdijesimi i përdorimit të drejtë të ujit ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve për periudhat e ardhshme me theks të veçantë për gjeneratat e reja.

Ujin e zëvendëson vetëm uji, asgjë tjetër!

/Motilokal.com