Bota e egër në objektivin e Jetmir Troshanit

Bota e egër në objektivin e Jetmir Troshanit

Të jesh fotograf i botës së egër nuk është gjë e lehtë pasi që kjo kërkon durim dhe përqendrim të madh. Por ndonjëherë edhe mund të jetë i këndshëm, pasi që ky lloj i fotografisë të jep mundësinë të njohësh më mirë natyrën, të udhëtosh nëpër vende të ndryshme, të gjendesh përballë lloj-lloj kafshe dhe natyrisht të shkrepësh fotografi mahnitëse që të gjithë do t’i pëlqejnë.

Një i apasionuar pas këtij zhanri është edhe shkodrani Jetmir Troshani, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Nju Jork të SHBA-ve. Mirëpo Jetmiri nuk e harron në asnjë moment vendlindjen e tij, duke u munduar që sa më shumë ta promovojë florën dhe faunë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij, ai ka realizuar shumë shkrepje të bukura të shpendëve dhe kafshëve të egra, por njërën e ka të veçantë - Shqiponjën e Artë, të cilën e ka shkrepur në malet e larta të Bullgarisë.

Këtyre ditëve ai po qëndron në Shqipërinë kuadër të një ekspedite me miqtë e tij të  grupit “Wildlife - Albanian Photographers”. Portali ynë e ‘kapi’ Troshanin për t’na e zbuluar dashurinë dhe pasionin që e ka për natyrën, botën e egër dhe planet për të realizuar  një ekspeditë edhe në Afrikë.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Troshani, përse zgjodhët fotografinë e botës së egër? 

Është një lidhje që i ka fillesat që në fëmijërinë time me shpendët dhe kafshët në oborrin e gjyshes. Ajo çfarë erdhi më pas ishte krejtësisht natyrale. Frymëzim për këtë zhanër ka ardhur tërësisht nga “Wildlife - Albanian Photographers”, me hapjen e grupit në Facebook, më 13 mars 2018, ku do të doja të veçoja Granit Hysenin, Besnik Jakupin dhe Arian Mavriqin, fotografë të shkëlqyer, por edhe miq shumë të mirë.

Image may contain: 4 people, people smiling, beard, outdoor and nature

Çfarë ju frymëzon më shumë dhe cili lloj i fotografisë ju tërheq më shumë? 

Frymëzohem nga natyra. Preferoj fotografinë e botës së egër, specifikisht atë të shpendëve në fluturim, fotografi të cilat përbëjnë edhe një sfidë të vazhdueshme, për nga vështirësia teknike.

Image may contain: ocean, sky, outdoor, water and nature

Cilat janë vështirësitë me të cilat ballafaqohet një fotograf i kafshëve të egra? 

Vështirësia është pjesë e kësaj pune. Personalisht, më ka qëlluar të fotografoj gjatë dimrit në habitate ku bënte shumë ftohtë, por pasioni ishte më i ngrohtë, kështu që u përballua pa probleme. Ka raste që miqtë që përmenda më lart kanë fotografuar në këneta, në kushte të vështira, të fundosur në ujë, në pritje të subjektit për ta fotografuar.

Bajukla, në Liqenin e Shkodrës e realizuar nga Jetmir Troshani me 26 Dhjetor 2019

Sa është e pasur Shqipëria me faunë dhe a është ajo e rrezikuar nga zhdukja? 

Për nga perspektiva e fotografisë kam mësuar nga miqtë studiues se fauna është e pasur në vendin tonë. Një nga librat e fundit që kam lexuar të Prof. Dhimitër Dhorës flitet për 283 lloje të ndryshme shpendësh që gjenden në kohëra të ndryshme në Liqenin e Shkodrës. Unë me miqtë e mi kemi fotografuar në Liqenin e Shkodrës si dhe në Divjakë-Karavasta dhe jemi mahnitur nga diversiteti që ofrojnë këto zona në aspektin fotografik.


Pelikani Kaqurrel e realizuar në Liqenin e Shkodrës nga Jetmir Troshani  me 28 Gusht 2019

Sa po bën shteti shqiptar që ta ruajë florën dhe faunën? 

Duke qenë se jetoj jashtë nuk e kam informacionin e plotë. Gjithsesi, jam i sigurt se gjithsecili dëshiron që fauna të pasurohet në Shqipëri. Kësisoj, reagimi im është pozitiv në këtë këndvështrim.

Image may contain: bird, sky, outdoor, water and nature

Ju jetoni në SHBA, sa keni arritur ta promovoni faunën e gjeografisë shqiptare në këtë vend dhe jo vetëm? 

Promovimi im është modest, patjetër mundohem të ndaj atë çfarë shkrep me kolegët e mi të punës dhe çdo njeri që njoh. Në të ardhmen mund të realizojmë me miqtë e “Wildlife - Albanian Photographers” një ekspozitë në New York dhe Washington DC.

Image may contain: bird, sky and outdoor

Troshani, një fotograf i botës së egër patjetër që e ka një shkrepje të tij të preferuar. Cila është ajo dhe kush është historia prapa saj? 

Shqiponja e Artë, patjetër! E kam fotografuar në bashkëpunim me Granit Hysenin. Këtë fotografi e realizuar duke u mbështetur me guida të profilizuara dhe bëmë të mundur fotografimin e simbolit kombëtar, Shqiponjën e Artë në malet e larta të Bullgarisë, si asnjëherë më parë nga duart e shqiptarëve. Bashkë me anëtaret aktivë fotografë të WAPH, nuk do të ndalemi për asnjë arsye deri sa ta fotografojmë edhe në trojet tona këtë shpend legjendar, Shqipen e Shqiptarëve.

Image may contain: bird

Shqiponja e Malit, e realizuar në Malet e larta të Bullgarisë nga Jetmir Troshani me 28 Dhjetor 2019

Cila kafshë do t'ju pëlqente më shumë që t’i kapnit me syrin e kamerës, mbase ndonjë që ende nuk e keni kapur? 

Ndoshta Luanin. Kemi plan të shkojmë në të ardhmen me një ekspeditë fotografie në Afrikë.

Image may contain: bird, outdoor, water and nature

Çfarë ju tërheq veçanërisht në fotografinë e natyrës? 

Qetësia.

Troshani, vini nga Shkodra një qytet me avangardë kulturore, por edhe me i pasur me biodiversitet. Me shumë pëlqeni zonën tuaj apo keni edhe zona tjera të preferuara? 

Shqipëria në përgjithësi është e pasur. Nuk mund të lë këtu pa përmendur Divjakën, lagunën e Karavastasë, Kunen, Lezhën, lagunën e Nartës në Vlorë, Prespën e patjetër dy vendet e zemrës, Liqenin e Shkodrës dhe Velipojën.

Image may contain: bird, sky, outdoor, water and nature

A keni ndonjë vend të cilin do të dëshironit që ta vizitonit për të realizuar ëndrrën tuaj si fotograf i jetës së egër? 

Në Liqenin e Shkodrës kemi organizuar dy ekspedita fotografike me miqtë e “Wildlife - Albanian Photographers”, Granit Hyseni, Besnik Jakupi, Arian Mavriqi dhe Aurora Zylaj. Në ekspeditën e fundit u përfshi edhe Ruzhdi Ibrahimi,i cili ishte edhe ideatori i ekspeditës. Stafi organizativ i WAPH parashikon që në një të ardhme të afërt, këto ekspedita të ofrohen edhe në vende të tjera në trevat tona.

Foto e realizuar nga Ilirjan Kallaj ne ekspeditën 3 ditore fotografike ne Shkodër me datën 19 Shkurt 2020.

Gjatë punës suaj si fotograf i natyrës nuk mund të kaloni pa rreziqe, por edhe momente gazmore. Keni pasur incidente të tilla që do të mund t'i ndanit me lexuesit e portalit tonë? 

Në eksperiencën time kam pasur sfida të ndryshme. Porse në vendin ku jetoj ky hobi është i koordinuar mirë dhe incidentet janë të pazakonta. Shpresoj të ndërtojmë shtylla konstruktive edhe në trevat tona, pasi ky zhanër fotografie ka edhe sakrificat e veta.

A ju ka ngjarë të përballeni me ndonjë shtazë të rrezikshme?

Nuk mund të them të rrezikshme, porse me ka ndodh që çakalli dhe dhelpra më kanë dalë në befasi në një distancë rreth 20 metra larg. Ato nuk i afrohen njeriut, porse në moment aksidental që i pashë të dyja palët u shastisëm pak.

Dhelpra, e realizuar ne Richard W. DeKorte Park, New Jersey nga Jetmir Troshani me 21 Tetor 2019

A është i shtrenjtë arti që ju e bëni dhe cila është këshilla e juaj për ata që janë në hapat e parë të kësaj natyre të fotografisë? 

Kjo lloj fotografie që për mua është në kuadrin e një hobi ka qenë dhe është një pasuri shpirtërore, një lidhje unike me natyrën nëpërmjet jetës së egër. Si ky hobi apo një tjetër të jep pasuri shpirtërore. Kësisoj,mendoj se është e këshillueshme që ta përfshijmë në jetën tonë. Megjithatë, duhet ta përmendim se pasioni për këtë lloj fotografie është i shtrenjtë dhe për të realizuar shkrepje ideale, mbase shpenzimet mund të arrijnë mbi 5000 dollarë./Motilokal.com


Çakalli, e realizuar ne Catskills, New York nga Jetmir Troshani me 20 Nentor 2017.