Evropa po ngrohet pothuajse dy herë më shumë se mesatarja globale

Evropa po ngrohet pothuajse dy herë më shumë se mesatarja globale

Evropa po ngrohet dy herë më shumë se mesatarja globale, duke çuar në valë vdekjeprurëse të të nxehtit dhe përmbytje të rënda, sipas një raporti të publikuar nga ESOTC (Shteti Evropian i Klimës) për vitin 2023.

Sipas raportit, temperaturat në Evropë po rriten me 2.3 gradë mbi nivelet para-industriale në një mesatare pesëvjeçare, krahasuar me 1.3 gradë në nivel global. Raporti është lëshuar së bashku nga C3S (Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus) dhe WMO i OKB-së (Organizata Botërore Meteorologjike) dhe mbulon vitin 2023, i cili ishte viti i dytë më i ngrohtë në historinë e Evropës. Pjesët jugore të Kontinentit të Vjetër regjistruan 60 deri në 80 ditë "stres të rëndë të nxehtësisë", me Spanjën Jugore më të goditurin me më shumë se 80 ditë "stres shumë të rëndë të nxehtësisë". Ndërkohë, Evropa Veriore regjistroi shumë ditë “stres të ftohtë ekstrem”.

Në Islandën Qendrore, kishte 100 ditë me temperatura midis minus 27 dhe minus 40 gradë.

Vdekjet nga goditja e nxehtësisë dhe rraskapitja janë rritur me gati 30 për qind gjatë 20 viteve të fundit. Vera e kaluar solli valë të nxehtit në pjesën më të madhe të Evropës Jugore, duke i bërë aktivitetet në natyrë veçanërisht të rrezikshme për të moshuarit dhe punëtorët. Në kontinent pati përmbytje të mëdha, zjarre dhe zjarri më i madh në historinë e Evropës përfshiu Greqinë.

Raporti 2023 i ESOTC është i fundit në një prirje të errët që është dokumentuar për një periudhë të gjatë kohore. Në tre dekadat e fundit, temperaturat në Evropë janë rritur dy herë më shumë se në pjesën tjetër të botës. Ekspertët e klimës thonë se kjo është kryesisht rezultat i vendndodhjes gjeografike të Evropës, një kontinent që shtrihet direkt nën Arktik, rajoni që po ngrohet më shpejt në të gjithë botën. Ai është gjithashtu i rrethuar nga oqeane që ngrohen me shpejtësi. Shkalla e ngrohjes së sipërfaqes së Mesdheut, Detit Baltik dhe të Zi dhe Arktikut Jugor është tre herë më e lartë se mesatarja globale.

Megjithatë, është pozitive që Evropa po kalon me shpejtësi drejt burimeve të rinovueshme të energjisë. Viti 2023 ishte i dyti në të cilin Evropa prodhoi më shumë energji elektrike duke përdorur energjinë diellore, erën dhe burime të tjera të rinovueshme sesa duke përdorur lëndë djegëse fosile.

/Motilokal.com