INTERVISTA/ Ndryshimet klimatike në Kosovë: Sfidat dhe hapat në luftën kundër kësaj krize globale

INTERVISTA/ Ndryshimet klimatike në Kosovë: Sfidat dhe hapat në luftën kundër kësaj krize globale

Ndryshimet klimatike janë një realitet i pandalshëm që po ndikojnë në të gjithë botën dhe Kosova nuk është e përjashtuar nga ky fenomen. Vite të fundit, vendi ka përjetuar ndryshime të dukshme në mot dhe temperaturë, duke shkaktuar shqetësime të mëdha për shëndetin e mjedisit dhe ekonominë.

Kosova ka përjetuar rritje të temperaturave, ku dy dekadat e fundit janë më të ngrohtat, të përcjella me raste më të shumta të valëve të të nxehtit, thatësirave, zjarreve në pyje, si dhe përmbytjeve. Këto ngjarje ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, infrastrukturën fizike, rendimentet bujqësore, ekosistemet dhe biodiversitetin, të gjitha këto rrisin kostot ekonomike dhe pabarazitë sociale, pasi jo të gjithë kanë të njëjtat mundësi për të lëvizur ose përshtatur.

Për ta adresuar këtë krizë globale, është e nevojshme marrja e masave në nivel individual, biznesi dhe qeveritar për të reduktuar emetimet e gazrave serrë dhe për të rritur rezistencën ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike. Kjo mund të përfshijë kalimin në burimet e rinovueshme të energjisë, promovimin e praktikave të qëndrueshme bujqësore dhe investimin në infrastrukturën rezistente ndaj klimës.

Për të folur rreth kësaj teme tashmë globale Motilokal.com realizoi një intervistë me Agim Mazrekun, Analist i Politikave Mjedisore për Këshillin dhe Sekretariatin e Ndryshimeve Klimatike dhe Këshilltar i Jashtëm për Mjedis dhe Klimë në Ministrinë e Mjedisit (MMPHI).

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

z. Mazreku, a mund t’na tregoni se cili është roli dhe qëllimi i Këshillit për Ndryshimet Klimatike në Kosovë? Si ndikon ky organizim në politikat dhe masat kundër ndryshimeve klimatike në vend?

Tematika e ndryshimeve klimatike është e ndërlikuar dhe ndikimet e saj janë ndërsektoriale, prandaj për zgjidhje efektive domosdoshmërisht kërkohet politikëbërje gjithëpërfshirëse dhe e menduar nga perspektiva të ndryshime. Për këtë arsye, qëllimi primar i Këshillit për Ndryshime Klimatike është të sigurojë që Qeveria drafton dhe aprovon politika që e adresojnë zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike duke marrë parasysh sektorë të ndryshëm. Kjo qasje ndërsektoriale rezulton në ndikim më të madh dhe pothuajse gjithnjë ofron zgjidhje kreative për sfida komplekse. Ashtu sikurse e kemi definuar në Ligjin për Ndryshime Klimatike, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nxjerrë një vendim për themelimin e këtij Këshilli, të përbërë nga Ministrat e ministrive përgjegjëse me qëllim të zbutjes dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, të cilët gjithashtu kanë detyrim të monitorojnë efikasitetin e politikave rreth zbutjes dhe përshtatjes ndaj kësaj çështje. Duke marrë parasysh që politikat, masat apo projektet që ndërlidhen me ndryshime klimatike kërkojnë vazhdimësi dhe qëndrueshmëri, ne kemi siguruar që agjenda e ndryshimeve klimatike dhe funksionalizimi i Këshillit të jenë obligim ligjor për çdo Qeveri që mund të ndërrohet. Ndërsa për të siguruar memorien institucionale të Këshillit, përmes Ligjit për Ndryshime Klimatike kemi dhënë bazë ligjore për funksionimin e Sekretariatit të Këshillit për Ndryshime Klimatike. Ky sekretariat veçse ka qenë aktiv, me më shumë se pesë takime vitin e kaluar dhe përgjegjëse për koordinimin e shumë projekteve të ndryshimeve klimatike përfshirë edhe draftimin e Ligjit për Ndryshime Klimatike.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova sa i takon ndryshimeve klimatike dhe cilat janë prioritetet e Këshillit për t’i adresuar këto sfida?

Ndryshimet klimatike nuk janë më një realitet i së ardhmes, ato ka një kohë që janë prezente përmes ndikimit në produktivitet bujqësor, zjarre, ndryshime në furnizimin me ujë, temperatura të larta verore, thatësira, vërshime, erozione, humbje të biodiversitetit, çrregullim të zinxhirit ushqimor, imigracion dhe ndikime të tjera direkte apo indirekte në ekonomi, siguri dhe mirëqenie të qytetarëve.

Përmbytjet dhe thatësirat janë shfaqur si sfida komplekse për Kosovën, me ngjarjet e fundit në janar 2021 dhe 2023 që theksojnë nevojën urgjente për strategji gjithëpërfshirëse të menaxhimit të përmbytjeve dhe thatësirës. Këto fatkeqësi natyrore kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, komunitet dhe mjedis. Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura dhe shkrirja e borës për shkak të rritjes së papritur të temperaturës kanë shkaktuar vërshim të rrugëve dhe urave buzë lumenjve dhe ndërprerje të furnizimit me ujë në Prishtinë dhe rajone të tjera. Gjithashtu, përmbytjet shkaktuan dëme të mëdha ekonomike siç janë dëmet e vlerësuara prej 12 milionë euro në komunën e Skenderajt vitin e kaluar. Ndryshimet klimatike nënkuptojnë një rritje të intensitetit dhe frekuencës së ngjarjeve ekstreme të reshjeve, prandaj vërshimet vetëm se do përkeqësohen. Kosova gjithashtu ka përjetuar thatësira të shumta në dy dekadat e fundit, duke përfshirë raste të dukshme në vitet 1993, 2000, 2007, 2012 dhe 2017.

Që nga viti 2004, afërsisht 80% e komunave të Kosovës janë përballur me mungesë uji për shkak të thatësirave hidrologjike dhe keqmenaxhimit të burimeve ujore. Sipas Master Planit të Kosovës për Ujitje, aktualisht ujiten vetëm rreth 17,000 hektarë tokë. Thatësira në korrik 2017 rezultoi në një reduktim të ndjeshëm të prodhimit të drithërave dhe misrit, me disa fermerë që pësuan humbje deri në 30% dhe 60% të të korrave respektivisht. Kombinimi i temperaturave të rritura, modeleve të paparashikueshme të reshjeve, zvogëlimit të rrjedhjeve, zhvillimi socio-ekonomik dhe rritja e shfrytëzimit të burimeve ujore e ka rritur cenueshmërinë e Kosovës ndaj thatësirës, duke çuar në degradimin e ekosistemit dhe uljen e shërbimeve të ekosistemit.

Për më tepër, zjarret, si ato në korrik-gusht 2021, që u shfaqën në afërsisht 473 burime aktive në tri rajone të Kosovës, jo vetëm që përbëjnë kërcënim të menjëhershëm, por edhe përkeqësojnë shpyllëzimin, duke varfëruar pyjet e Kosovës, të cilat janë thelbësore për thithjen e dioksidit të karbonit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Duke marrë parasysh këto sfida, në agjendën e re për ndryshime klimatike prioritet më të lartë i kemi dhënë përshtatjes ndaj ndikimeve klimatike.

Këshilli dhe Sekretariati për Ndryshime Klimatike në vitin e parë të funksionalizimit të tyre, 2022, kanë përpiluar një infrastrukturë ligjore të duhur duke aprovuar Ligjin për Ndryshime Klimatike dhe duke hapur rrugë aprovimit të Strategjisë për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike dhe Planit për Energji dhe Klimë.

Në të njëjtën kohë janë koordinuar dhe kanë ndërmarrë masa në reforma tekniko-shkencore që do shërbejnë si bazë për informimin e politikbërjes në linjë me ligjin dhe projektet rrjedhëse. Tek kjo fushë, kryesuesit e Këshillit (më specifikisht MMPHI) me anëtarë tjerë ndër tjerash kanë zhvilluar:

  1. Një varg procesesh për një sistem monitorues, raportues dhe verifikues të gazrave serrë ku synohet të rriten detajet e metodologjisë për kalkulimin e tyre me koeficient të saktë të emetimeve jo vetëm në sektorin e energjisë por edhe në sektor tjerë.
  2. Përmes Instituti Hidrometeorologjik janë koordinuar iniciativa për të transformuar të gjitha pajisjet matëse hidrologjike dhe meteorologjike për të qenë automatike, duke na siguruar të dhëna në kohë reale për parametra sikurse prurjet në pellgje lumore, parametra për sigurinë e digave, nivelin e reshjeve në kohë reale, temperaturën e ajrit e shumë indikator tjerë klimatologjik që do mund të lidhen direkt në një sistem. Pajisjet hidrologjike vetëm se janë ndërruar të gjitha dhe janë të vendosura në pellgjet lumore mbarë territorin e Kosovës, së bashku me sisteme monitoruese për sigurinë e digave.
  3. Kanë mbikëqyrur punën e ARPL-së me Hartat e Rrezikut nga Përmbytjet për të gjithë lumenjtë në Kosovë të cilat harta kanë përfunduar dhe do të ofrojnë një informacion të rëndësishëm për të përcaktuar objektivat dhe për të vendosur masa efektive me efekte afatgjata pozitive mjedisore për menaxhimin e përmbytjeve. Është konstatuar që territori i Kosovës, rreth 3,800 km2 është i ekspozuar ndaj rreziqeve potenciale të konsiderueshme nga përmbytjet. Këto harta janë përgatitur me teknologji LiDAR, duke skanuar zonat më të cenueshme bazuar në modelime me probabilitet të vërshimeve të 20-vjeçarit, 100-vjeçarit, 1000-vjeçarit dhe skenarit të ndryshimeve klimatike.
  4. Ashtu sikurse u përmend, është vendosur një strukturë organizative që do siguroj që politikat dhe projektet që ndërlidhen me ndryshimet klimatike të jenë prioritet për shtetin tonë, duke iu dhënë obligim ligjor nivelit qendror dhe lokal që ndryshimet klimatike të jenë komponentë e të gjitha projekteve zhvillimore.
  5. Tani jemi edhe në procesin e finalizimit të Bordit Këshillimor Shkencor së bashku me USAID, ku prioritet do kemi ofrimin e të dhënave të sakta shkencore që do informojnë politikbërjen e Këshillit për Ndryshime Klimatike.
  6. Gjithashtu është koordinuar përfundimi i studimeve të fizibilitetit për rezervarë ujor kyç për parandalimin e vërshimeve dhe rritjen e përshtatjes ndaj thatësirave. Kështu duke siguruar ujë të pijshëm dhe ujë për ujitje. Si rrjedhojë e punës së Sekretariatit, rreth gjysma e projekteve në Listën Prioritare të Projekteve të Qeverisë janë projekte të ndërlidhura me infrastrukturë të rezervuarëve të ujit, me theks të veçantë rezervarët e ujit në Firajë dhe Shtime.


Si mund të kontribuojë Kosova në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për t’i reduktuar emetimet e gazrave serrë dhe për ta promovuar trajtimin ndaj klimës?

Konventa Kornizë e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), e miratuar në Samitin e Tokës në vitin 1992 është traktati i parë ndërkombëtar për ndryshime klimatike. Traktati përcakton që palët duhet të takohen rregullisht për të adresuar ndryshimet klimatike, në Konferencën e Palëve ose COP (Conference of Parties). UNFCCC është konventa bazë edhe e marrëveshjeve tjera të klimës, sikurse Protokolli i Kyoto’s dhe së fundi Marrëveshja e Parisit.

Në COP 21 në Paris, më 12 dhjetor 2015, Palët e UNFCCC arritën një marrëveshje që është historike duke marrë parasysh kritikat dhe dështimin e COP 15 në Kopenhagen ku disa shtete krijuan një marrëveshje paralele në fund të konferencës, me targete jo të detyrueshme. Marrëveshja e Parisit bazohet në UNFCCC dhe i sjell të gjitha kombet në një kauzë të përbashkët për të ndërmarrë përpjekje ambicioze për ta luftuar ndryshimin e klimës dhe për t'iu përshtatur efekteve të ndryshimit. Qëllimi kryesor i Marrëveshjes së Parisit, i definuar në Nenin 2 të kësaj marrëveshje, është një përgjigje e fortë ndaj rrezikut të ndryshimeve klimatike; duke kërkuar përmirësimin e zbatimit të UNFCCC nëpërmjet:

  • Mbajtjes së rritjes së temperaturës mesatare globale nën 2 °C mbi nivelet para-industriale dhe për të vazhduar përpjekjet për të kufizuar rritjen e temperaturës në 1.5 °C mbi nivelet para-industriale, duke pranuar se kjo do t’i reduktonte ndjeshëm rreziqet dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike;
  • Rritjes së aftësive për t'u përshtatur me ndikimet negative të ndryshimeve klimatike dhe për të nxitur qëndrueshmërinë klimatike (i referuar si climate resilience) dhe zhvillimin e emetimeve të ulëta të gazrave serrë, në një mënyrë që nuk kërcënon prodhimin e ushqimit; Sigurimin që ekonomia dhe financat të rrjedhin në përputhje me një rrugë drejt emetimeve të ulëta të gazrave serrë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ndaj klimës

Për nga aspekti i obligimeve ligjërisht të detyrueshme, Marrëveshja e Parisit është e dobët dhe kërkon vetëm një process të njohur si “Publikimi i kontributit të përcaktuar në nivel kombëtar” i njohur si Nationally Determined Contributions (NDCs). Të gjitha obligimet tjera që rrjedhin nga Marrëveshja e Parisit janë jo të detyrueshme me gjuhë të butë sikurse [shteti anëtar] “do të ishte mirë” (should, në gjuhën angleze) apo “mundet”.

Obligimi për NDC gjithashtu kërkon që të gjitha Palët të raportojnë rregullisht mbi emetimet e tyre dhe për përpjekjet e tyre për zbatimin e planeve për zbutje të emetimeve. Në kuadër të NDCs, një inventar global është funksionalizuar dhe raportohet çdo 5 vjet për të vlerësuar progresin kolektiv drejt arritjes së qëllimit të marrëveshjes njëkohësisht edhe duke informuar për veprimet e mëtejshme individuale që Palët duhet marrin nëse NDC-të e tyre nuk janë ambicioze sa duhet për të qëndruar nën 2.0 apo 1.5 C.

Marrëveshja e Parisit nuk përshkruan natyrën e saktë të NDC-ve. Thuhet që, NDC-të duhet të përmbajnë dispozita për zbutjen e emetimeve, por ato mund të përmbajnë gjithashtu premtime për përshtatjen, planifikime financiare, transferimin e teknologjisë, ndërtimin e kapaciteteve dhe transparencën, etj. Disa nga premtimet në NDC janë të pakushtëzuara, por të tjera janë të kushtëzuara nga faktorë të jashtëm si marrja e financave dhe mbështetjes Teknik.

Tani, duke u bazuar në vendimin e Qeverisë Nr. 07/54, të nënshkruar nga Kryeministri Kurti, për themelimin e Këshillit Ndërministror për Ndryshime Klimatike dhe Sekretariatin e Këshillit, përgatitja e NDC është një ndër detyrat kryesore për aprovim nga Këshilli. Kosova vetëm se ka filluar draftin e NDC-së së parë vullnetare dhe inkluzive, të shpalosur nga Presidentja Osmani dhe Ministri Aliu me delegacion në COP28. Kjo NDC është e para në botë vullnetare pasi që Kosovës i pamundësohet të jetë pjesë e UNFCCC, rrjedhimisht ta ratifikojë Marrëveshjen e Parisit. Megjithatë, në qershor 2024, Qeveria e Republikës së Kosovës pritet ta aprovojë këtë NDC.

Edhe pse emetimet e përgjithshme të rajonit për kokë banori janë më të ulëta në krahasim me Evropën Perëndimore, varësia e rajonit nga djegia e karburanteve fosile për sektorin e energjisë mbetet një sfidë për rrugën drejt dekarbonizimit. Prandaj, rajoni ka një potencial për zbutjen e klimës nëse i nënshtrohet një tranzicioni të energjisë së pastër. Emetimet totale të GHG në Kosovë arritën në 9.5 Mt ekuivalent të CO2 (eq) në vitin 2008 vetëm për të përjetuar një rritje tjetër prej 5.2% deri në vitin 2015 kur emetimet ishin 10 Mt ekuivalent CO2. Targeti i fundit për 2030 për Kosovës është 8.95 Mt ekuivalent të CO2 (eq), në reference me vitin 2016. Ky target është ambicioz por që bazuar në modelimin e bërë nga grupi punues për Planin për Energji dhe Klimë dhe NDC-në vullnetare, si rrjedhojë e Strategjisë për Energji 2022 – 2031 e cila parasheh integrim të energjisë së pastër dhe baterive, Kosova mund të e arrij këtë target.

Si mund të inkurajohen investimet në projekte dhe teknologji që promovojnë qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë? Çfarë politikash duhet të ndërmerren për ta përmirësuar këtë?

Kosova, si shumë vende, po përballet me një krizë të konsiderueshme të gjenerimit të mbeturinave. Vetëm në vitin 2020, vendi ynë prodhoi 580,000 ton mbetje të ngurta komunale. Fatkeqësisht, vetëm 5% e këtyre mbetjeve u ricikluan, duke lënë 95% të paricikluara. Brenda kësaj përqindje mbetjesh, ato të biodegradueshmet përbënin 50% (290,000 ton), ndërsa ambalazhet (letër, plastikë, qelq, metal) përbënin 15% (90,000 ton). Tani, përveç sfidës së gjenerimit të mbetjeve, ndonëse kemi bërë përparim të konsiderueshëm në adresimin e çështjes së deponive ilegale, ende nuk kemi bërë hapa drejt ndarjes së mbetjeve. Tre vite më parë u përballëm me mbi 2500 deponi ilegale. Përmes përpjekjeve të përbashkëta, ky numër ka rënë në 1500 në vitin 2019 dhe më tej është reduktuar në 763 deponi ilegale në vitin 2021. Pra lirisht mund të themi se ky është një trend i mirë që duhet vazhduar më tej.

Ndërsa përpiqemi të përafrim me objektivat e Bashkimit Evropian për Mbetjet për 2030 dhe 2035, është thelbësore që të përshtatemi me zgjidhje të qëndrueshme për trajtimin e mbetjeve jo të riciklueshme. Parashikimet tregojnë se deri në vitin 2030, ne do të gjenerojmë përafërsisht 700,000 ton mbeturina, me vetëm 55% (385,000 ton) që trajtohen nëpërmjet parimeve të R-ve të trefishta-Reduktimi, Ripërdorimi dhe Riciklimi. Duke parë përpara në vitin 2035, ne parashikojmë gjenerimin e mbeturinave prej rreth 750,000 ton, me vetëm 65% (487,500 ton) që do të marrin trajtimin e duhur nëpërmjet riciklimit. Kjo do të thotë që fokusi ynë duhet të përqendrohet në gjetjen e qasjeve efektive për menaxhimin e 45% të mbetur (315,000 ton) deri në vitin 2030 dhe 35% (262,500 ton) deri në vitin 2035 të mbetjeve të pariciklueshme. Për këtë janë disa synime kryesore. Së pari, pesë rajonet në Kosovë do të kenë qendra rajonale të ndarjes. Tre rajone vetëm se janë të mbuluar me fonde të alokuara apo të planifikuara. Këto qendra rajonale të ndarjes do të sigurojnë që çdo mbeturinë të filtrohet sërish para se të përfundojë në deponi apo në trajtim tjetër sikurse MBT apo incinerator. Gjithashtu, përmes këtyre qendrave do mund të promovojmë ndarjen në burim, duke kushtëzuar komunat dhe kompanitë rajonale që mbeturinat që vijnë në qendrën e ndarjes të jenë sa më të pastra për një tarifë hyrëse më të ulët. Kur jemi tek grumbullimi, pas adresimit të çështjeve kyçe mes komunave dhe kompanive rajonale, synojmë që me Ligjin e ri për Mbeturinat, komunat të kenë mundësinë të ndahen nga kompanitë rajonale dhe të krijojnë kompani të tyre komunale apo të kontraktojnë kompani private për grumbullimin e mbeturinave brenda territorit të tyre. Kjo sa i përket nivelit më makro të ndryshimeve në këtë sektor. Paralelisht, vetëm se kemi filluar me iniciativa tjera sikurse Sistemi i Rikthimit të Depozitave, ku shishet e ambalazhuesve do tarifohen me një vlerë që kthehet tek konsumatori në momentin e kthimit të shisheve në pikat e shitjeve, ku synojmë më shumë se 400 pika të kthimit në gjithë territorin e Kosovës. Ndërsa përmes skemës së “Përgjegjësia e Zgjeruar e Prodhuesit” do kemi funksionalizimin e një entiteti që udhëhiqet nga vetë sektori privat për të adresuar fraksione sikurse bateritë e automjeteve, automjetet e vjetra, mbeturinat e ambalazhit dhe gomat. E gjitha kjo sa i përket mundësive për zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e mbeturinave duke inkurajuar industri të re dhe në harmoni me natyrën përmes një ekonomie qarkore.

Sa i përket energjisë së rinovueshme, pa hyrë në detaje që mund t’i lexoni te Strategjia e Energjisë dhe Plani për Energji dhe Klimë, ajo që MMPHI e ka siguruar deri më tani është krijimi i kushteve për investime në fushën e energjisë së pastër përmes lehtësimit të procedurave për energji të pastër të përmasave të ndryshme.

Si rrjedhojë e punës së MMPHI, tani nuk ka nevojë për leje ndërtimore për asnjë sistem solar fotovoltaik në çati të ndërtimeve rezidenciale nën 7 kilovat për njësor. Gjithashtu, janë përfunduar hartat e potencialit për energji solare dhe me erë dhe janë bërë publike në gjeoportalin shtetëror. Paralelisht me hartat, është siguruar qartësi ligjore sa i përket kushteve ndërtimore dhe kritereve hapësinore për projekte madhore të energjisë së pastër.

Kanë përfunduar punë mjaft të mira dhe të ndërlikuara por pa hyrë në detaje edhe për sektor tjerë që ndërlidhen me zhvillim të qëndrueshëm, po përmbyll përgjigjen time duke konstatuar që është kritike që i gjithë potenciali për zhvillim të qëndrueshëm të jetë në vijë optimale mes zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale. Për këtë arsye, kur bëhet punë për projekte madhore të energjisë së pastër sikurse ankandet, paralelisht sigurojmë që ekonomitë familjare gjithashtu kanë mundësinë e përfitimit nga ky tranzicion duke iu lehtësuar procedurat e aplikimit dhe duke iu ofruar subvencione për efiçiencë të energjisë dhe panele fotovoltaike. Kjo politikëbërje që nxit zhvillimin e industrisë, ekonomisë dhe mirëmban një mirëqenie për qytetarët është afatgjate dhe e qëndrueshme.

/Motilokal.com