Karantina, si ta bëjmë pranverën brenda shtëpive tona?!

Karantina, si ta bëjmë pranverën brenda shtëpive tona?!

Është e pashmangshme që në këto ditë karantine, ankthi e pasiguria emocionale mund të jenë natyrshmëri për këdo, e kudo. Rrethanat të detyrojnë të diskutosh për virusin e rrezikshëm me ata që je në kontakt. Por a ka një rrugë për të menaxhuar veten dhe situatën me të cilën po ballafaqohemi?

Portali motilokal.com ka zhvilluar një intervistë me psikologen Ada Mehmeti nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila u shpreh rreth situatës së fundit në vend pas shfaqjes së koronavirusit, menaxhimit të gjendjes psikologjike nga qytetarët me rastin e kësaj pandemie.

Psikologja Mehmeti në këtë intervistë theksoi se fokusi ynë duhet të jetë të menduarit pozitivisht. Sipas saj zëvendësimi i mendimeve negative do të rritë përgjegjësinë dhe kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Znj. Mehmeti, jemi në një gjendje pandemie dhe pothuajse e gjithë bota është izoluar, padyshim që ky vetizolim ka edhe pasoja nga ana psikologjike. Si të përballemi pozitivisht me të në këtë situatë vetizolimi apo "shtet-rrethimi"?

Është e vërtetë se qëndrimi në karantinë sjell përjetime negative te pjesa më e madhe e njerëzve. Por të mos ndalemi te pasojat psikologjike. Për të parandaluar pasojat, alternativa është impenjimi për t’i evituar ato dhe për të përballuar shëndetshëm këtë situatë. Më poshtë kam listuar disa këshilla që vlejnë për të gjithë qytetarët:

1. Vendosni orare zgjimi dhe fjetje për ju dhe fëmijët tuaj.

2. Përcaktoni oraret e vakteve dhe ushqehuni shëndetshëm, duke reduktuar alkoolin dhe ëmbëlsirat.

3. Ndërtoni orare për ajër të pastër (ballkon,verandë) dhe ushtrime fizike sa më shumë të jetë e mundur.

4. Strukturoni ditën tuaj/fëmijës në mënyrë që të keni shumëllojshmëri aktivitetesh dhe kohë pushimi.

5. Rishikoni aktivitetet e bëra gjatë ditës dhe diskutojeni ato në familje. Ndjesia e arritjes është e rëndësishme për fëmijët dhe të rinjtë.

6. Bëjeni të hënën deri të premten ndryshe nga fundjava duke strukturuar aktivitetet njësoj si në ditët e mëparshme.

7. Përcaktoni se kur dhe për sa gjatë ju/fëmijët do të keni akses tek pajisjet elektronike edhe për çfarë motivi.

8. Mbani kontakt me miqtë dhe familjen përmes teknologjisë.

Sa ndikon kjo situatë vetizolimi tek fëmijët të cilët e kanë të vështirë qëndrimin brenda, po edhe tek të moshuarit?

Fëmijët do të reagojnë ndaj situatës aktuale nëpërmjet vëzhgimit dhe perceptimit të reagimeve të prindërve të tyre. Nëse kemi prindër të qetë, elastik dhe bashkëpunues gjatë vetizolimit, do të kemi përballim të shëndetshëm nga fëmijët. Është shumë e rëndësishme të ruani strukturën dhe rutinën për fëmijët tuaj, ndërkohë që shkollat janë mbyllur. Gjithashtu, publikimi masiv i statistikave të vdekshmërisë në televizione dhe prania e problematikave të tjera shëndetësore, bën që mosha e tretë të ndjejë veten më të frikësuar dhe më të rrezikuar nga ky virus. Sa më e madhe frika aq më shumë ankth, zemërim, axhitim apo tërheqje shfaqet te të moshuarit. Të moshuarit duhet të komunikojnë të gjitha shqetësimet dhe paqartësitë me të afërmit e tyre, të cilët duhet gjithmonë t’u japin informacione të sakta pa përhapur panik.

Sot kryetemë e çdo bisede është koronavirusi, por si t’i mbajmë larg fëmijët nga këto biseda apo si të sillemi me ta?

Fëmijët duhen mbajtur larg nga media, por jo nga bisedat rreth koronavirusit. Është e rëndësishme t’u jepen shpjegime konkrete pa katastrofizuar. Ata mund ta kenë të vështirë të kuptojnë gjithë informacionin e përcjellë nga media, për këtë arsye ata mund të përjetojnë ankth, stres apo trishtim. Ata e kuptojnë se diçka po ndodh në botë, prandaj duhen pyetur se si ndihen dhe çfarë pyetjesh kanë. Fëmijët dhe adoleshentët krijojnë ide personale mbi atë që ndodh, është e rëndësishme të nxiten për t’i ndarë me prindërit këto perceptime, për t’u siguruar që ato nuk janë konfuze apo të ankthshme. Nëse janë të vegjël, në mënyrë kreative dhe të kujdesshme, prindërit duhet t’u shpjegojnë fëmijëve se çfarë po ndodh dhe si duhet të kujdesemi për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Duke ditur se fëmijët janë neglizhentë me higjienën, do të duhet një vëmendje e shtuar ndaj këtij argumenti si dhe një lloj monitorimi që të shmanget futja në gojë e objekteve, konsumimi i frutave të papastruara, etj.

Në këto kushte që ndodhemi cili duhet të jetë fokusi ynë, që ta kalojmë sa më lehtë këtë situatë?

Fokusi ynë duhet të jetë të menduarit pozitivisht. Zëvendësimi i mendimeve negative, do të rrisë përgjegjshmërinë dhe kujdesin ndaj vetes dhe të tjerët. Në vend që të mendojmë se “jemi izoluar në shtëpi”, le të mendojmë se “jemi të sigurt në shtëpi dhe kemi më tepër kohë për të kaluar me familjen”. Apo mendimin se “situata është e paparashikueshme, ndihem jo i sigurt” zëvendësojeni me mendimin “unë kam kontroll mbi sjelljet dhe kontaktet e mia dhe kjo më jep siguri mua dhe familjes time”.

A duhet të shfaqim frikë nga infektimi me këtë virus?

Duke qenë se rreziku është real, edhe frika është reale. Por përdorimi i frikës si katalizator ndërgjegjësues në favorin tonë, është ajo që duhet të bëjë secili prej nesh. Shtimi i kujdesit ndaj higjienës personale (por jo ekzagjerimi), reduktimi i lëvizjeve jashtë shtëpisë dhe kontakteve sociale, informimi vetëm nëpërmjet burimeve të sigurta; do ta mbajnë frikën tonë në kufijtë e normales, pa penguar mirëqenien dhe rehatinë tonë psikologjike.

Sa do të lë pasoja te qytetarët kjo situatë e izolimit në shtëpi, mungesa e takimeve me të tjerët, dëgjimi i lajmeve të ndryshme rreth koronavirusit, etj?

Studimet tregojnë se njerëzit në karantinë për një kohë të gjatë kanë predispozitën për të përjetuar stres, ankth, frikë nga infektimi apo pasiguri edhe pasi pandemia të ketë përfunduar. Të gjitha këto përjetime vijnë në raport të drejtë me kohëzgjatjen e karantinës, tiparet e personalitetit, humbjet në njerëz apo financa... Nëse njerëzit e shfrytëzojnë këtë kohë duke bërë gjërat që ata duan më shumë, duke mbrojtur veten dhe familjen për të evituar humbjet në njerëz, duke reflektuar rreth mendimeve dhe sjelljeve pozitive që duhet të mbajnë, mendoj se pasojat do të jenë lehtësisht të kapërcyeshme.

Për fund një këshillë që ta mbajmë sa më larg nga mendja dhe përmendja e shpeshtë këtë virus?

BESIM! KËRKOJENI BRENDA VETES DHE TRANSMETOJENI TE PERSONAT RROTULL JUSH.

Karl Gustav Jung në “Libri i Kuq”fliste për karantinën e tij: “Po, atë vit na privuan nga pranvera, dhe nga shumë gjëra të tjera, por unë kisha lulëzuar sidoqoftë, e kisha brenda pranverën dhe askush s’mund të ma merrte më atë.”/Motilokal.com