Çfarë ndodh me helikat e vjetra të turbinave të erës? Përgjigjja mund t’ju habisë

Çfarë ndodh me helikat e vjetra të turbinave të erës? Përgjigjja mund t’ju habisë

Fuqia e erës është një nga burimet më të përdorura të energjisë së rinovueshme, që daton që nga mullinjtë me erë më të hershëm të njohur në Persi, mbi 1,000 vjet më parë. Sot, kjo formë energjie ka avancuar ndjeshëm. Nga mullinjtë që përpunonin drithin me fuqinë e erës, kemi kaluar te turbinat moderne që përdorin erën për të vënë në lëvizje një gjenerator dhe për të prodhuar energji elektrike që shpërndahet në rrjetet e komuniteteve.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë mbi 75,600 turbina ere në funksion, sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan (USGS). Çdo brez i ri turbinash ka qenë më i madh se paraardhësi, me turbinat e sotme që tejkalojnë 90 metra lartësi dhe kanë helika më të gjata se 60 metra. Sa më e madhe turbina, aq më shumë energji prodhon por edhe aq më shumë mbetje krijon.

Helikat e turbinave konsumohen nga kushtet e motit dhe zakonisht duhet të ndërrohen çdo 20–25 vjet. Dëmtime të parakohshme mund të ndodhin nga goditjet e zogjve, rrufetë apo dëmtimet gjatë transportit dhe montimit, duke e përshpejtuar edhe më tej procesin e zëvendësimit.

Kriza e mbetjeve nga turbinat e erës

Fatkeqësisht, shumica e helikave të përdorura përfundojnë në deponi mbeturinash, gjë që bie ndesh me synimet "të gjelbra" të energjisë së erës. Një studim i vitit 2015, i botuar në revistën Waste Management, parashikon se 47 milionë ton mbetje nga helikat e turbinave do të grumbullohen deri në vitin 2050.

Lajmi i mirë është se së fundmi ka nisur të zbatohet një plan i guximshëm për riciklimin masiv të këtyre helikave të vjetra.

Pse riciklimi i helikave është kaq i vështirë?

Problemi kryesor qëndron në përbërjen e helikave moderne, të cilat janë ndërtuar kryesisht nga fibër qelqi, një material kompozit që përbëhet nga mikropërzierje xhami dhe plastike. Në riciklimin standard, xhami dhe plastika duhet të ndahen, por kjo është pothuajse e pamundur në rastin e fibrës së qelqit, sepse përbërësit janë të përzier në nivel mikroskopik.

Megjithatë, një kompani ka arritur të gjejë një zgjidhje të papritur: ta shndërrojë fibrën e qelqit në çimento.

Një zgjidhje kreative për një problem të ndërlikuar

Që nga viti 2020, kompania e shërbimeve mjedisore Veolia ka punuar për zgjidhjen e këtij problemi. Ata analizuan helikat në nivel kimik dhe zbuluan se përbërësi kryesor i tyre është siliciumi (silicium dioksidi) elementi bazë i xhamit, dhe një përbërës që mund të zëvendësojë pjesërisht gurin gëlqeror në prodhimin e çimentos.

Për më tepër, rrëshira që ndodhet në helikat e turbinave mund të përdoret si lëndë djegëse gjatë përpunimit të çimentos, duke ulur nevojën për lëndë djegëse fosile.

Edhe kompani të tjera kanë filluar të shndërrojnë fibrën e qelqit në produkte ndërtimi apo produkte të reja nga fibra qelqi. Këto procese të reja riciklimi, ndonëse janë ende në fazat fillestare, paraqesin një alternativë premtuese për të shmangur grumbullimin e miliona tonëve mbetje nëpër deponi.

/Motilokal.com