Meta kundër ndërtimit të HEC-eve në lumin Vjosë: Të shpallet Park Kombëtar

Meta kundër ndërtimit të HEC-eve në lumin Vjosë: Të shpallet Park Kombëtar

Presidenti, Ilir Meta, gjatë takimit në tryezën e rrumbullakët për të ardhmen e Vjosës, me temë “Digat në Parkun Kombëtar”, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ndërtimin pa kriter të hidrocentraleve në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit tha se nuk ka degë lumi që nuk është në proces ndërtimi apo në plan për tu përdorur për hidrocentrale.

“Në këtë fazë tranzicioni mjaft kaotike dhe pa shumë përvojë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit prej vitit 2007 është rritur jashtëzakonisht numri i përgjithshëm i HEC-eve të ndërtuara, në ndërtim e sipër ose në plan për ndërtim. Ekspertët sot theksojnë se nuk ka degë lumi që nuk është në proces ndërtimi apo në plan për tu përdorur për HEC-e. Dendësia e HEC-eve është më e larta në Ballkan, gati dyfishë me vendet e rajonit. Mbi 80 HEC-e janë dhënë edhe brenda zonave të mbrojtura të vendit ose në zona që janë të mundshme për tu mbrojtur në të ardhmen siç është rasti i lumit Vjosë”, tha Meta.

Sipas Presidentit, ndërtimi i HEC-eve në shkallë të gjerë, veçanërisht brenda zonave të mbrojtura, ose zonave që mund të mbrohen në të ardhmen, nuk mund të jetë një rrugë e qëndrueshme për zhvillimin e vendit!

“Shteti shqiptar duhet të ruajë vlerat e natyrës dhe të shëndetit të njeriut. Do të mbështesja ndalimin e digave mbi Vjosë dhe shpalljen e saj Park Kombëtar. Çdo qëndrim kokëfortë s’do i shërbente të ardhmes së vendit dhe rrugës drejt BE-së. Çdo shqiptar duhet të shkojë në lumin Valbonë, që është për të vënë duart në kokë me atë çka është bërë”, deklaroi Meta./Motilokal.com