Këshillat e mjekut: Me pak antibiotik e më shumë fruta e perime të freskëta!

Këshillat e mjekut: Me pak antibiotik e më shumë fruta e perime të freskëta!

Pas një vere përvëluese, hymë në stinën e vjeshtës, e cila po karakterizohet me shfaqje jo të zakonshme, me temperatura të larta mbi mesataren e normales. Si pasojë e kësaj, mund të shfaqen edhe viruse dhe ftohje, ndërsa mund të shfaqen probleme shëndetësore të njohura edhe si infeksione stinore.

Të gjithë njerëzit, qofshin ata fëmijë apo të rritur, sapo ndjejnë shqetësimet e para, apo preken nga ndonjë sëmundje i drejtohen mjekut. Dhe ky është vërtet një veprim i duhur për të mos u rrezikuar nga sëmundjet e ndryshme që i kanosen organizmit të njeriut.

Për të mësuar se si të mbrohemi nga viruset sezonale, portali motilokal.com, bisedoi me dr. Arbër Vokrrin, mjek në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj

Dr. Arbër, jemi në stinën e vjeshtës dhe pas një vere të nxehtë kaluam në temperatura më të ulëta dhe fillojnë gripat sezonale. Si të mbrohemi nga viruset?

Viruset më së shpeshti përhapen përmes spërklave (kollitjes, teshtitjes etj) dhe grumbullohen në ambiente të mbushura ku mungon rrymimi i ajrit. Prandaj është mirë që të shmangen ambiente të tilla. Infeksionin viral e favorizon edhe dobësimi i imunitetit, i cili shkaktohet nga rritja e stresit fizik (p.sh. tranzicioni rapid i temperaturave) e psikologjik (p.sh. nga pakësimi i orëve me diell), prandaj është më mirë të kihet kujdes me veshjen si dhe të rregullohet gjumi në atë mënyrë që të jemi të zgjuar gjatë orëve me dritë natyrale. Imunitetin e forcon edhe marrja e vitaminave nga ushqimi i freskët si dhe kombinimi i tij me shtojcat e vitaminave. Gjithashtu, me rëndësi është edhe higjiena personale dhe ambientale.

Vjeshta është një stinë ku moti është i paqëndrueshëm. Cilat janë infeksionet më të shpeshta në këtë stinë?

Në fillim të vjeshtës dominojnë infeksionet me enterovirusë, d.m.th ata që e sulmojnë traktin gastrointestinal. Nga mesi i vjeshtës nisin të dominojnë rinovirusët që e sulmojnë traktin respirator, ndërsa pranë dimrit e tutje dominojnë virusi i influencës dhe ai respirator-sincicial. Me fjalë tjera, gjatë motit të nxehtë kemi më shumë probleme me barkun, kurse me ftohjen e motit kemi më tepër probleme me rrugët e frymëmarrjes.

Si në stinët e tjera ashtu dhe në stinën e vjeshtës ka persona të cilët nuk mund t’u bëjnë ballë viruseve. Cilat kategori janë më të rrezikuar nga viruset?

Në fakt, fare pak njerëz nuk i përballojnë viruset, nëse me këtë dështim të përballimit nënkuptohet vdekja. Por ka shumë njerëz që nuk i shmangin dot infeksionet virale dhe sëmundjet si pasojë. Më të rrezikuarit janë personat që vuajnë nga sëmundjet kronike, të moshuarit, fëmijët dhe personat që jetojnë në rrethana të papërshtatshme higjienike.

Dr. Arbër, cilat janë komplikimet e gripit, nëse nuk kurohet?

Kjo varet nga shumë faktorë, ndër ta edhe soji i virusit. Mund ta kujtojmë “gripin spanjoll” të para 1 shekulli që mbyti më shumë njerëz se sa Lufta e Parë Botërore, apo edhe “gripin e derrit” që shkaktoi mijëra vdekje në vitin 2009, të dy pandemitë të shkaktuara nga virusi i gripit tip A - H1N1. Pra krahasuar me shekullin e kaluar fatmirësisht komplikimet janë më të pakta dhe sëmundja shumë më e menaxhueshme. Komplikimet më të shpeshta janë pneumonia virale dhe ajo bakteriale, dehidrimi, sinusitet dhe infeksionet e veshit, sidomos tek fëmijët. Gripi mund t’i përkeqësojë sëmundjet kronike si pamjaftueshmëria e zemrës, astma, diabeti, etj.

Një fjalë e popullit thotë “bëhu doktor i vetes”. Ndonjë këshillë për të trajtuar gripin në kushte shtëpie?

Mos merrni antibiotikë pa përshkrim të mjekut! Merrni fruta e perime të freskëta për ta forcuar sistemin imunitar! Flini mirë dhe pini çaj e lëngje! Sa i përket medikamenteve, terapia është simptomatike dhe rekomandohet vetëm nëse nuk mund ta duroni dhimbjen, temperaturën e lartë dhe ethet. Paracetamoli mund të merret edhe pa përshkrim mjekësor në Europë deri në 2g në ditë për të rriturit. Për shtatzënat dhe fëmijët nevojitet përshkrimi i mjekut.

Kur është koha për t’u vaksinuar kundër gripit dhe cilat janë efektet e saj?

Vaksinimi kundër gripit është mirë të bëhet pranë sezonit kur periodikisht shpërthen epidemia, pra zakonisht nga muaji nëntor. Ndonëse shpesh të vaksinuarit nuk janë të kënaqur me nivelin e mbrojtjes, të dhënat tregojnë se dobia është më e madhe nëse merret vaksina. Efekti kryesor është sensibilizimi, pra aftësimi i sistemit imunitar për ta luftuar virusin dhe për ta parandaluar sëmundjen. Fare rrallë mund të ketë efekte anësore të cilat zakonisht janë të lehta.

Dr. Arbër, jemi në stinë e vjeshtës dhe forma e trupit nuk është si në ditët e nxehta, por çfarë duhet të bëjmë për të qenë në formë njëlloj si në verë?

Për ta mbajtur trupin në formë, thjesht siguroni kohë të rregullt dhe të mjaftueshme për gjumë, zgjidheni ushqimin me më pak karbohidrate (brumë e sheqer) dhe më shumë proteina e fibra, dhe stërvitni së paku dy herë në javë.

Moti ka ndikime direkte te njerëzit. Çfarë duhet të bëjmë për të qenë në humor të mirë edhe kur moti është i vranët dhe me shi? 

Pini kafe, hani çokolatë (por mos e teproni), bëjeni atë që ju pëlqen, shmangini lajmet e këqija, komunikoni me të afërmit, miqtë e të dashurit. /Motilokal.com