Korça me resortin e parë të skive

Korça me resortin e parë të skive

Turizmi në Korçë ka njohur një zhvillim të vazhdueshëm vitet e fundit, me hapjen e bujtinave vit pas viti në gjithë qytetin. Një tjetër atraksion turistik pritet t’i shtohet Korçës, një resort skish i munguar për turistët që vizitojnë Korçën dhe gamën e saj të ofertave turistike.

“Korça ka hyrë në një fazë që nuk do ketë më problemin a do ketë turistë. Korça ka hyrë në një fazë që do ketë problemin si do t’i përballojë turistët. Ne kemi dhe disa ndërhyrje të tjera për të bërë këtu, për të krijuar resortin e parë të skive në Shqipëri dhe në zonën lart në Nikolicë është një ndërhyrje që do të sjellë shumë më tepër, por është e frikshme si ndërhyrje pikërisht se unë kam parë një pistë skish që është modeste nga pikëpamja e aftësive akomoduese, flas këtu afër, që është e përmbytur nga kërkesat. Në studimin që patëm bërë atëherë, jemi mahnitur që janë afro 100 mijë shqiptarë, – në këtë vend ku po të hapësh rrjetet sociale e kanalet televizive do dëgjosh gjëra që ta bëjnë vendin të tepërt, – e imagjinoni që të ketë 100 mijë shqiptarë që të shkojnë në resorte dimërore skish çdo ditë. Është statistikë, nuk është opinion. Sot i keni provat. Festa e birrës filloi si festë lokale dhe u kthye në një destinacion ndërkombëtar me të tjerë që vinin nga Greqia, Maqedonia e Veriut e më tutje. Sot ka çdo vit e më shumë arsye për të ardhur në Korçë dhe sfida jonë është që të shtojmë arsyet për të ardhur. Duke shtuar arsyet për të ardhur, të shtojmë ditët e qëndrimit”, tha Kryeministri Rama gjatë bashkëbisedimit me qytetarë e të rinj të Korçës.

Duke folur për ofertën turistike të qytetit aq shumë të dashur për turistët vendas e të huaj, Kryeministri Rama nënvizoi se për hotelerinë “kemi një TVSH 6%, që është një masë e kërkuar kohë më parë nga gjithë komuniteti. Ata donin 8, ne arritëm në përfundimin që mund të shkonim në 6%. Kjo për të thënë që baza për të ndërtuar bujtina është fantastike, sepse bëhet fjalë për një biznes familjar në rastet kur janë struktura shtëpish që i jep familjes mbrapsht më shumë sesa çdo punë që do bënin në emigracion, nëse do ishte një punë e zakonshme. Siç është e njëjta gjë për bujtinat e agroturizmit në fshat, ku me kursimet e emigracionit kthimi i një shtëpie në bujtinë në një zonë sado të largët, duke plotësuar parametrat për agroturizëm, është 100% e analizuar, duke bërë të gjithë përshkallëzimin e llogarive me të ardhurat e emigrantëve nga punët e zakonshme”./Motilokal.com