‘Kujdes po, panikë jo!’/ Ngrohja globale sfidë për planetin

‘Kujdes po, panikë jo!’/ Ngrohja globale sfidë për planetin

Ndërsa pandemia COVID-19 ka tronditur pjesën më të madhe të shoqërisë njerëzore, kërcënimi nga ngrohja globale vazhdon të jetë rrezik për botën.

Ndryshime tklimatike tani më janë duke ndodhur, ndërsa në vitet dhe dekadat e ardhshme do të rritin ndikimin në elementet thelbësore të jetës kudo në botë, pra edhe në Shqipëri e Kosovë.

Këto ndikime shtrihen përtej rritjes së temperaturës, duke prekur ekosistemet dhe komunitetet në mbarë botën. Gjërat nga të cilat ne varemi si: uji, energjia, transporti, jeta e egër, bujqësia, ekosistemet dhe shëndeti i njeriut - po përjetojnë efektet e ndryshimit të klimës.

Ngrohja globale ka pasoja të ndryshme. Valët e nxehtësisë janë bërë më të shpeshta, reshjet po bëhen më intensive, përmbytjet dhe niveli i detit po rritet, këto janë ndër pasojat e ndryshimit të klimës që shihen çdo ditë.

Ajo që po ndikon më se shumti në ndryshimin e klimës tani është aktiviteti njerëzor, dhe ndikimi i tij po rritet jashtëzakonisht shumë nga veprime të pakontrolluara siç janë djegia e karburanteve fosile, prerja e pyjeve, ndotja e mjedisit, etj.

Për të kuptuar më shumë rreth ndryshimeve klimatike që sot është bërë kryetemë në shkallë globale, Motilokal.com zhvilloi një intervistë me njohësin e kësaj fushe Elbasan Bytyçin.

Intervistë: Shkëlzen Rrecaj

Z. Bytyçi, 2020-ta u regjistrua si viti i dytë me i nxehtë pas 2016-së. Çfarë ndikoi në ngritjen e temperaturës në shkallë botërore?

Sipas shumicës së shkencëtarëve që merren me hulumtime të klimës,faktori kryesor për ngrohjen globale të kësaj periudhe kohore është faktori antropogjen, do të thotë vetë njeriu përmes rritjes së përdorimit të lëndëve djegëse fosile, prerjes së pyjeve tropikale (pyje të shiut) dhe veprimeve tjera të ngjashme. Këto rritin sasinë e emetimit të gazrave serë si CO(dioksidi i karbonit),Ch4(metani) etj. në atmosferë dhe kjo rrit efektin serë dhe kështu vjen deri tek ngritja e temperaturës në shkallë globale.

Pas një viti të thatë siç ishte 2020-ta në Kosovë, janari i vitit 2021 regjistroi reshje të mëdha shiu, duke mbushur edhe liqenet akumuluese. Kemi një situatë të përsëritur: disa vite thatësi dhe më pas një periudhë reshjesh të larta. A janë këto teket e natyrës me të cilat njerëzimi duhet të mësohet me to?

Nëse shikojmë të dhënat për vitin 2020 për Prishtinë duke krahasuar më periudhën referuese 1961 – 1990, viti 2020 nuk na del të jetë vit i thatë. Përkundrazi një vit me 15 përqind më shumë reshje se sa periudha referuese. Por mund të themi se disa muaj të vitit 2020 respektivisht muaji janar dhe muaji nëntor të vitit të kaluar kanë qenë muaj më të thatë. Ndërsa janari i këtij viti është padyshim vit i pazakonshëm në aspektin meteorologjik, me sasi rekorde të reshjeve dhe vërshime të mëdha në disa pjesë të Kosovës. Padyshim, njëra ndër pasojat e ndryshimeve klimatike janë edhe vërshimet, kurse sfidë e shoqërisë sonë do të mbetet përshtatja në ndryshimet klimatike.

Cilat janë disa nga efektet indirekte që ndryshimet klimatike mund të paraqesin në jetën tonë?

Me pak fjalë, ndryshimet klimatike ndryshojnë botën, në të cilën jetojmë, me ndikim në natyrë, shoqëri, ekonomi dhe në përgjithësi jetën tonë të përditshme. Disa prej efekteve të këtyre ndryshimeve janë shkrirja e akullnajave, rritja e nivelit të detit, rritja e ditëve me nxehtësi ekstreme, në disa vende vërshime e vende tjera thatësira e shumë e shumë fenomene tjera.

Megjithatë, ekziston një debat në mes klimatologëve lidhur me ndikimin e aktivitetit njerëzor në ngrohjen globale. Thjesht, ka një mungesë konsensusi për të. Plot prej tyre mendojnë se ngrohja globale është cikël normal i natyrës. Ç'mendim keni ju për këtë?

Shumica e shkencëtarëve janë të mendimit se ndikimi i aktivitetit njerëzor në ngrohjen globale është i pamohueshëm. Nëse shikojmë raportin e pestë nga IPCC (Intergovernmental Panel on Climate Change – Paneli Ndërshtetëror për Ndryshime Klimatike), i cili bazohet në mijëra rezultate të publikuara nga hulumtues nga e tërë bota, tregohet qartë ndikimi i vetë njeriut në ndryshimet klimatike. Në grupin e kësaj shumice llogaritet të jenë mbi 90 përqind e shkencëtarëve të kësaj fushe. Po, të njëjtin mendim me këtë grup ndaj edhe unë.

Jemi mësuar të dëgjojmë vetëm për ndikimet negative të ngrohjes globale, por a ka edhe dobi njerëzimi nga ky fenomen?

Edhe nëse do të kishte ndonjë dobi të vogël, dëmet do të jenë shumë më të mëdha dhe të pakrahasueshme me ndonjë përfitim të mundshëm.

Ka një huti të madhe të opinionit lidhur me klimën dhe motin. Shumica nuk arrijnë t’i dallojnë. Shpeshherë i dëgjojmë kur thonë, “Korriku i kaluar ka qenë skajshmërisht i nxehtë”, apo: “Dhjetori i 2018 është fakt se ngrohja globale është duke ndodhur”. A është apo nuk është (ngrohje globale)? Çfarë po ndodh këtu?! A keni mundësi të bëni një sqarim për këtë?A mund të na tregoni se ç’është Protokoli i Kiotos?

Fillimisht do të sqaroj definicionet e motit dhe klimës, që jo rrallëherë ka keqkuptime të ndryshme.

Përderisa moti përshkruan gjendjen fizike momentale të atmosferës në një kohë e në një vend të caktuar, klima paraqet në tërësi ngjarjet e përgjithshme të motit për një periudhë më të gjatë (vite apo dhjetëvjeçarë) në një zonë më të madhe. Klima më të drejtë njihet si statistikë e motit. Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë (WMO - World Meteorological Organization) duhet një periudhë 30-vjeçare e të dhënave të parametrave meteorologjikë si për shembull të dhënat për temperaturën, reshjet, shtypjen atmosferike, rrezatimin diellor etj., që të gjendet shmangia apo anomalia e secilit element klimatik për muajin apo vitin e dëshiruar.

Protokolli i Kiotos, i emëruar nga vendi i konferencës së mbajtur në Kyoto të Japonisë më 11. 12.1997, është një marrëveshje ndërkombëtare në kuadër të kombeve të bashkuar me synim të mbrojtjes së klimës. Synim i kësaj marrëveshje ka qenë ulja e emetimit të gazrave serë si dioksidi i karbonit dhe metanit.

Le të kthehemi në Kosovë. Sa është rritur temperatura mesatare në Kosovë? A zotëroni të dhëna prej kur ka filluar të ndryshojë klima në vend? 

Nëse krahasojmë periudhat 1961-1990 dhe 2000-2018, vërejmë se shmangia e temperaturës në periudhën e fundit është 1,4°C më e lartë. Për ta kuptuar më mirë ecurinë e klimës referohuni grafikut ilustrues vizuel, të paraqitur ne formën “Warming Stripes” temperatura mesatare vjetore për Prishtinë nga viti 1949 deri më 2019.  Fig. 1. Temperatura mesatare vjetore për Prishtinë nga viti 1949 deri më 2019

Warming Stripes janë një ilustrim vizuel i të dhënave shkencore, në këtë rast i të dhënave klimatike. Përmes vijave shumëngjyrëshe, duke filluar nga e kaltëra deri te e kuqja paraqitet temperatura mesatare vjetore për Prishtinë nga viti 1949 deri më 2019. Do të thotë këtu paraqitet ecuria e klimës së Prishtinës në periudhën e lartpërmendur. Sa më e errët të jetë ngjyra, aq më ftohtë respektivisht më nxehtë.

Ndërsa më poshtë në grafik tjetër paraqitet temperatura mesatare vjetore dhe trendi pesëvjeçar për Prishtinë nga viti 1949 deri më 2018. Temperatura mesatare vjetore për periudhën 1961 – 1990 paraqitet me vija të ndërprera. Siç vërehet në të dy grafikët, temperatura mesatare vjetore ka pësuar një rritje të dukshme sidomos në fillim të mijëvjeçarit. Fig. 2.Temperatura mesatare vjetore për Prishtinë nga viti 1949 deri më 2018

z. Bytyçi, sa janë të informuar qytetarët e Kosovës rreth ndryshimeve klimatike dhe a ka nevojë të jetë pjesë e kurrikulave mësimore?

Unë mendoj se qytetarët e Kosovës duhet të jenë më shumë të informuar rreth ndryshimeve klimatike, pasojat dhe përshtatjen ndaj tyre. Qoftë në kurrikulë mësimore apo në çfarëdo mënyre tjetër, senzibilizimi për këtë fushë është shumë i nevojshëm.

Sa do ta prekin bujqësinë ndryshimet klimatike. Nëse po, çfarë duhet bërë në këtë drejtim? 

Bujqësia do të jetë njëra ndër fushat më të prekura nga ndryshimet klimatike. Përveç thatësirave dhe vërshimeve do të ketë edhe efekte tjera. Me rritjen e temperaturës mesatare globale në shumë vende përmes ndryshimit të ciklit të stinëve do të ngadalësohet perioda e vegjetacionit me çka edhe ndryshon koha e të mbjellurave dhe të korrjeve. Përshtatja e farës dhe bimës në temperatura më të larta do të jetë sfida kryesore në bujqësi.

Në fund, a ka vend huazimi i frazës për menaxhimin e pandemisë me Covid-19 edhe për ngrohjen globale: “Kujdes po, panikë jo!”?

Ngrohja globale do të jetë njëra ndër sfidat kryesore të planetit. Andaj duke parë këtë rëndësi duhet në vend të panikut të bëhemi më të kujdesshëm në veprimet tona që ndikojnë në shkatërrimin e planetit tonë./Motilokal.com