Gjineshtra, bima pyjore mjekësore që preket nga zjarret

Gjineshtra, bima pyjore mjekësore që preket nga zjarret

Me rritjen e temperaturave verore, Agjencia Kombëtare e Mjedisit apelon për mbrojtjen e Gjineshtrës, kësaj bime pyjore mjekësore, e cila rrezikohet nga zjarri.

Gjineshtra (latinisht Spartium junceum) është një bimë shkurrore mesdhetare e familjes bishtajore (Leguminosae). Lartësia e saj arrin deri në 3m, me degë me rrëvaga, të gjelbra, me gjethe të rënshme, të rralla, gjatore-heshtore, me lule të verdha rreth 2.5 cm të gjata, me erë të  këndshme, me lulesë vile që lulëzon në Maj-Korrik dhe shfrytëzohet në këtë periudhë në gatime, shërben dhe si dekorativ në servisje. Lulet e saj janë plot me nektar të “vizitueshme” nga bletët. Fruti është një bishtajë, vezake gjatore deri në 7cm ku frytëzohet në periudhën korrik-gusht.

Në Shqipëri rritet kudo, në shpate të thata dhe në kullota të zonës së makjes, kryesisht në vende të ngrohta, buzë rrugësh, deri në lartësinë 1000 m, duke krijuar peizazhe të bukura dhe njihet si bimë medicinale me vlera të larta në mjekësi.

No photo description available.

Kërcejtë e Gjineshtrës janë të ndërtuar nga inde që japin 10% fije deri diku të trasha, por të lehta, të përthyeshme e të qëndrueshme kundrejt thatësirës. Me to përgatiten litarë, shporta, thasë e tekstile të trasha. Degët e reja përmbajnë rreth 60% celulozë, e cila përdoret për të përgatitur letër shumë të hollë për cigaret.

Të gjitha organet e bimës veçanërisht lulja e farat përmbajnë vajra esenciale e lëndë ngjyruese. Çaji i përgatitur nga lulet e saj ka shumë veti kurative si p.sh në largimin e toksinave nga trupi, largimin e ankthit, lufton pagjumësi, ndihmon në mirë-funksionimin e veshkave , në djersitjen e trupit (pra ka veti diuretike), në shërimin e plagëve në trup, në lehtësimin e dhimbjeve të nervit shiatik etj.

No photo description available.

Gjatë viteve 2017-2019 sidomos në Jug të vendit, rreth 38% e zjarreve kanë prekur sipërfaqe shkurrore. Bimësia më e dëmtuar përbëhet nga disa lloje shkurresh mesdhetare si: gjineshtër, drizë, shkozë, xinë etj. Gjineshtra për shkak të vetisë djegëse që ka, preket shumë nga zjarret, por në shumë raste ajo ka veti ripërtëritëse./Motilokal.com